Albpetrol do të jepet me koncesion
Kompania “Albpetrol” mund të jepet me koncesion. Pak ditë pas deklaratës së ministrit të Ekonomisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, lidhur me privatizimin e aseteve shtetërore, drejtuesit e “Albpetrol” zbulojnë strategjinë e privatizimit. Gjithçka ka dalë në dritë gjatë analizës vjetore tekniko-ekonomike financiare të kompanisë, që u zhvillua mesditën e djeshme. Në analizë ishte parashikuar ardhja e ministrit Prifti, por kanë qenë të pranishëm vetëm disa përfaqësues të lartë të METE-s. Një nga anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të “Albpetrolit”, pasi ka zbërthyer zë më zë arritjet dhe mosarritjet për vitin 2009, është ndalur pikërisht te strategjia e privatizimit. Ai tha se duhet parë ideja që kompania e “Albpetrolit” të mos privatizohet, por të kthehet në shoqëri koncesionare dhe me kapital të përbashkët. Këtë mundësi të dytë privatizimi përfaqësuesi i këshillit mbikëqyrës e hodhi për diskutim te drejtuesit e departamenteve kryesore të “Albpetrolit” dhe përfaqësuesve të lartë të ministrisë. Edhe pse pas kësaj teze “privatizimi” takimi u zhvillua me dyer të mbyllura, mësohet se kjo ide është mbështetur nga të gjithë drejtuesit e kompanisë. Madje, burime të sigurta të gazetës “Shqip” kanë bërë të ditur se një formë e privatizimit të “Albpetrolit” mund të jetë pikërisht kjo skemë. Qëllimi i implementimit të kësaj skeme privatizimi është bërë për arsye që një pjesë e mirë e industrisë së naftës të kontrollohet nga shqiptarët. Vërejtje të tjera këshilli mbikëqyrës ka pasur lidhur me marrëdhëniet e “Albpetrolit” me kompaninë private ARMO. Gjatë analizës u tha se duhen rishikuar kontratat me ARMO-n dhe t’u jepet mundësia kompanive të tjera për përpunimin e naftës. Kjo vjen për shkak të mungesës së korrektësisë nga ARMO, që shpeshherë vë në pikëpyetje likuiditetet me kompaninë “Albpetrol”. Treguesit tekniko-ekonomikë të vitit 2009 u bënë prezentë dhe nga drejtori i përgjithshëm Ferdinand Murati. Për investimet Murati tha se janë realizuar në masën 67.1 për qind, çka është justifikuar me problemet e marrjes së parave nga shitja. “Mungesa e likuiditetit shtet me shtet dhe shtet me privat ka bërë që zëri i investimeve të mos realizohet në masë të madhe”, sqaroi shefja e financës Enkelejda Peshkopia. Për të njëjtën arsye ka pasur edhe vonesa të pagave për punonjësit e “Albpetrolit” dhe gishti drejtohet nga kompania ARMO, që nuk shlyen në kohë faturat. Me nisjen e implementimit të strategjisë së privatizimit pritet që mbi 1000 naftëtarë të lënë vendin e punës. Aktualisht kompania ka 4369 puse, nga të cilët 2114 puse janë në punë, 1539 janë të fondit të ndalur dhe 716 mbahen nën vëzhgim. Kompania operon në 8 rrethe dhe asetet e saj llogariten në miliona dollarë.
#