E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkodër, polici identifikon vrasësin e së hënës

Hetimet Shpallet në kërkim 18-vjeçari Ardit Brahimi. Dyshime për bashkëpunëtorë të tjerë

Pa kaluar as 24 orë nga vrasja e 17-vjeçarit Eduart Thana, Policia e Shkodrës identifikon vrasësin. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Shkodrës bëjnë të ditur se autor i vrasjes është Ardit Brahimi, 18 vjeç, banues në lagjen “Ahmet Haxhija” të Shkodrës, i cili tashmë është shpallur në kërkim. Mbi të rëndojnë akuzat e “vrasjes me dashje” dhe “armëmbajtje pa leje”. Ndërkaq janë ngritur postblloqe policie në akset kryesore, si dhe në pikat e kalimit kufitar me Malin e Zi. Ndonëse nuk është kapur autori, grupi hetimor shprehet se ka mbledhur prova të mjaftueshme për të vërtetuar fajësinë e 18-vjeçarit Brahimi. Prania e dëshmitarëve ka bërë që uniformat blu të rindërtojnë ngjarjen dhe të dyshojnë se në këtë vrasje autori është ndihmuar nga persona të tjerë. Janë marrë në pyetje më shumë se 30 persona, si dhe janë marrë si prova gëzhojat e gjetura në vendngjarje, si dhe telefoni celular i viktimës. Nga ky i fundit është gjendur edhe bashkëpunëtori në vrasje. Një telefonatë e ka nxjerrë nga lokali Eduard Thanën, ndërsa vrasësi e priste jashtë. Nga hetimet është mësuar se dy të rinjtë kanë pasur një grindje disa orë para se të ndodhte vrasja. Ardit Brahimi ka mësuar lokalin ku po rrinte 17-vjeçari dhe nëpërmjet një telefonate e ka nxjerrë nga lokali ku Eduarti po pinte kafe. Një gjë të tillë e konfirmojnë dëshmitarët okularë në vendngjarje, të cilët kanë pohuar se i riu ishte në trotuar kur është qëlluar disa herë me pistoletë. Më pas autori është larguar me shpejtësi me një makinë. Për policinë ka mbetur pa u zbuluar makina që ka ndihmuar vrasësin, si dhe personi që ka bërë telefonatat. Ngjarja e rëndë ndodhi të hënën rreth orës 18.15, në një nga zonat e populluara të qytetit të Shkodrës, pranë Universitetit “Luigj Gurakuqi”.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›