Prokuroria, 38 vjet burg tre gjermanëve
Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë ka kërkuar 38 vjet burg për tre gjermanët e akuzuar për trafik droge dhe 13 vjet burg për shtetasin shqiptar. Sipas pretencës së akuzës është kërkuar dënimi me 14 vjet burg për Danle Englert, 12 vjet për Regina Kiacek dhe Franc Kiacek si dhe 13 vjet burg për Albert Pëllumbaj. Grupi akuzohet për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike. Arrestimi i tyre u bë në maj të 2009-s në kuadër të operacionit “Kështjella”. Franc Kiacek dhe Daniel Kiacek kishin tentuar të trafikonin rreth 40 kilogramë heroinë nga Kapshtica duke u prezantuar si turistë gjermanë. Lënda narkotike ishte blerë nga Danle Englert tek Albert Pëllumbaj dhe vlera e saj shkonte rreth 500 mijë euro. çifti Kiacek kishte për detyrë thjesht transportimin e saj nga Shqipëria në Greqi dhe pastaj për në Itali. Duke parë gjendjen e tyre të rënduar, për shkak të provave të pakontestueshme të akuzuarit me anë të avokatëve të tyre kërkuan gjykim të shkurtuar. Kërkesa e tyre u pranua nga gjykata dhe në këtë mënyrë automatikisht të katër të pandehurit përfituan uljen e një së tretës së dënimit. Në seancën e djeshme prokuroria dha dhe pretencën e saj për të katër të akuzuarit. Ndërkohë që në seancën e radhës, gjykata pritet të japë dhe vendimin e saj përfundimtar për katër të pandehurit, duke marrë parasysh dhe kërkesën e prokurorisë. Ndërsa i pandehuri tjetër Zaim Tafa është veçuar nga ky grup.
#