E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy të vdekur në aksidente me biçikletë dhe motor

Dy persona kanë gjetur vdekjen dje në dy aksidente të ndodhura në qytetin e Shkodrës dhe në fshatin Velipojë. Aksidentet kanë ndodhur dje në mbrëmje dhe viktimat janë dy burra, njëri prej të cilëve lëvizte me biçikletë ndërsa tjetri me motoçikletë. Policia e Shkodrës njoftoi se në lagjen "10 Korriku" të qytetit, pranë Xhamisë së Ajasmit, një 70-vjeçar është aksidentuar rëndë me biçikletë. Riza Kopliku ka qenë duke lëvizur me biçikletë bashkë me dy të afërm të tij kur është rrëzuar dhe ka pësuar dëmtime të rënda në fytyrë. Burri ka ndërruar jetë disa minuta pasi është dërguar në spitalin e Shkodrës.

Ndërkohë, në rrugën Shkodër-Velipojë, në vendin e quajtur Sektor, rreth dy kilometra larg plazhit, një 55-vjeçar ka gjeture vdekjen kur ka rënë në një kanal me motoçikletën me të cilën udhëtonte. Gjokë Buqela, sipas policisë ka qenë duke udhëtuar i vetëm kur i ka dalë përpara një lopë, pas përplasjes me kafshën ai ka rënë në kanal dhe ka gjetur vdekjen e menjëhershme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›