E Diel, 1 Nëntor 2026

I dyshuari pranon vrasjen e tranvestitit: Më doli mashkull

Autori i dyshuar për vrasjen e tranvestitit e ka pranuar krimin e kryer, duke i treguar policisë edhe se ku e kishte fshehur thikën. Në deklaratën e tij në polici, ai ka deklaruar se kishte shkuar me të, pasi mendonte se ishte prostitutë, por kur ka mësuar se ai ishte tranvestit, nuk është përmbajtur duke e goditur me thikë në qafë. Zbardhja e ngjarjes ka ardhur falë bashkëpunimit të policit të burgjeve, i cili ka mundur ta identifikojë autorin e krimit, pasi e kishte vënë re duke u larguar nga vendngjarja, pak çaste pasi e kishte goditur për vdekje tranvestitin.
Grupi hetimor shoqëroi autorin e dyshuar, i cili është identifikuar me emrin Safedin Hoxha, 36 vjeç, dy ditë më parë, pasi e gjeti pranë sheshit "Avni Rustemi". Ai u izolua për disa orë dhe u mor në pyetje nga oficeri i policisë gjyqësore për krimin e kryer. Fillimisht, ai nuk ka pranuar të bashkëpunojë, duke deklaruar se kishte vetëm dhjetë ditë që kishte ardhur nga Kosova, pasi atje jeton dhe se nuk njihte asnjeri në Tiranë. Por polici i burgjeve, i cili njoftoi policinë për vrasjen, është thirrur në polici dhe kur ka parë të dyshuarin, ka deklaruar se ai ishte personi që ishte larguar me shpejtësi natën e ngjarjes. Më pas, policia e ka marrë sërish në pyetje kosovarin Hoxha, që ka pranuar të bashkëpunojë. Ai ka shpjeguar për grupin hetimor se sapo ishte kthyer nga Kosova dhe qëndronte aty ku e zinte nata. Më tej, ai ka thënë se merret me punë të vogla krahu, sa herë i jepej mundësia për të siguruar sadopak lekë për të mbijetuar. Natën e krimit, sipas tij, kishte qenë duke pirë dhe ishte në gjendje të dehur. Rrugës i kishte dalë para tranvestiti, i cili i kishte ofruar seks kundrejt 500 lekëve. Në gjendje të dehur, ky ka pranuar dhe ka shkuar në një vend në errësirë për të kryer aktin seksual. Në ato momente, tranvestiti është kthyer me kurriz dhe është bërë gati për këtë akt. Endacaku nga Kosova e ka kthyer përballë në momentin që tranvestiti ishte gjysmë i zhveshur dhe aty ka kuptuar se ishte mashkull. Safedin Hoxha është mbështetur në një cep e duke menduar i zhgënjyer, i ka kërkuar t‘i kthejë paratë për t‘u larguar. Por tranvestiti i ka thënë se mund të vazhdonte se nuk kishte asnjë problem dhe i është afruar kosovarit. Ky i fundit, duke mos e duruar gjendjen e krijuar, ka nxjerrë një thikë nga xhepi dhe e ka goditur në qafë. Aty e ka lënë të gjakosur dhe ka tentuar të largohet. Në këtë kohë e ka vënë re edhe punonjësi i policisë së burgjeve, duke sjellë dokumentimin e ngjarjes. Më pas, i dyshuari, i cili ka pranuar krimin, ka treguar se thikën me të cilën kishte kryer vrasjen e kishte fshehur poshtë disa llamarinave. Madje, ai ka treguar vendin dhe bashkë me policinë është gjetur edhe arma e krimit, e cila është sekuestruar në cilësinë e provës materiale, ndërsa ndaj tij është kryer arrestimi për vrasje me dashje.
Ngjarja e rëndë ndodhi tri net më parë, në qendër të kryeqytetit, te rruga "Abdi Toptani", përballë hyrjes së Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, tek ish-hotel "Drini". Sipas policisë, ai është gjetur duke ndërruar jetë nga një punonjës i policisë së burgjeve. Tranvestiti ka shkuar pranë kabinës së tij duke kërkuar ndihmë dhe menjëherë është njoftuar policia. Krimi ndodhi jo larg pjesës së pasme të Pallatit të Kulturës, ku rëndom qëndrojnë tranvestitët shqiptarë, në përpjekje për të gjetur klientë. Viktima ishte një tranvestit (person me devijime seksuale) që thirrej Kristina. Policia tha se identiteti i plotë është Petrit Muçaj, 38 vjeç nga Elbasani, banues prej vitesh në Tiranë. Ai ishte pjesë e një grupi tranvestitësh, të cilët qarkullojnë në kryeqytet duke u endur shpesh në kërkim klientësh. Policia tha se viktima disa herë ishte arrestuar për vepra të turpshme në publik, kryerje të marrëdhënieve seksuale apo homoseksuale, si edhe akuzuar për vjedhje, denoncuar kryesisht nga klientë të grupit të tranvestitëve që gjenden pas Pallatit të Kulturës. Polici i burgjeve ka dhënë deklaratën e tij për çfarë kishte parë, duke sjellë edhe prova për grupin hetimor. Për këtë krim policia shoqëroi edhe disa tranvestitë, për t‘i pyetur në lidhje me problemet që kishte personi i njohur me emrin Kristina. Ndërsa ka reaguar Aleanca Kundër Diskriminimit për tranvestitin e vrarë. Në një njoftim, deklarohet se Aleanca Kundër Diskriminimit mësoi e tronditur për lajmin e vrasjes makabre të një tranvestiti në qendër të Tiranës. "Ne kërkojmë zbardhjen e plotë dhe sa më të shpejtë të kësaj vrasjeje që ndodh mu në sytë e policisë, në zemër të kryeqytetit. Kjo është një ngjarje që duhet të na bëjë të gjithëve të reflektojmë, për faktin se sa paturpësisht shkelen të drejtat e njeriut dhe se sa pa vlerë trajtohet jeta njerëzore në Shqipëri", deklaroi AKD-ja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›