E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkëndija elektrike shkrumbon banesën e të moshuarve

Një zjarr që dyshohet të jetë shkaktuar si pasojë e një shkëndije elektrike ka shkrumbuar krejtësisht një banesë në një fshat të rrethit të Beratit. Ngjarja ka ndodhur në një lagje të largët të fshatit Kapinovë, Komuna Vërtop, ku nuk është regjistruar as në repartin e zjarrfikëses dhe as në atë të policisë, pasi familjarët nuk kanë lajmëruar për rënien e zjarrit, për shkak të terrenit tepër të vështirë ku ndodhej banesa e tyre. Pronarët e banesës, çifti i moshuar Ballo, fatmirësisht kanë mundur të shpëtojnë pa u lënduar. Ata kanë qenë duke fjetur në kohën që flakët e zjarrit kanë përfshirë tavanin e banesës. Dy të moshuarit kanë mundur të largohen me shpejtësi nga banesa sapo kanë pikasur se tavani i katit të dytë të saj ishte përfshirë nga flakët. Mendohet se shkak i zjarrit të jetë bërë një shkëndijë në rrjetin elektrik, që shtrihej pikërisht në tavanin e banesës. Zjarri ka shkrumbuar plotësisht banesën e të moshuarve, të cilët nuk kanë mundur t‘i shuajnë flakët. Duke qenë larg zonës tjetër të banuar, dëmi i shkaktuar është mundur të konstatohet vetëm në mëngjes. Ndërkohë, mësohet se komuna do të ngrejë një grup për verifikimin e dëmeve, ndërsa është kërkuar ngritja e një grupi ekspertësh, të cilët do të nxjerrin shkaqet e rënies së këtij zjarri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›