E Diel, 1 Nëntor 2026

Zjarri i qëllimshëm rrezikon fshatin Pojan

Një zjarr i rënë orët e vona të mbrëmjes së të dielës ka rrezikuar djegien e një lagjeje të tërë në fshatin Pojan. Mësohet se zjarri ka rënë në orën 23.00 dhe në shuarjen e flakëve kanë marrë pjesë forcat e shpëtimit të repartit zjarrfikës, policia e rendit dhe struktura e emergjencave në Prefekturën e Fierit. Fshati Pojan ndodhet shumë pranë parkut kombëtar arkeologjik të Apolonisë. Zjarri ka rënë në masivin me bar të shtetasit Xhoxhi Pipa. Persona të paidentifikuar nga Policia e Fierit i kanë vënë zjarrin mullarit me bar të thatë, që Pipa e kishte përgatitur si ushqim bagëtish për sezonin e dimrit. Kanë qenë banorët e zonës që kanë lajmëruar stacionin zjarrfikës në qytetin e Fierit. Me mjete rrethanore banorët janë përpjekur që t‘i mbajnë flakët larg shtëpive, por era që frynte ka bërë që ato të përhapeshin dhe të djegin gardhet, të mbjellat e oborreve dhe të shkonin deri në ballkonet dhe dritaret e banesave. Tri banesa janë rrezikuar seriozisht, ndërsa flakët kërcënonin një lagje me mbi 200 banesa. Situata është vënë nën kontroll në orën 02.00 pas mesnate, ndërkohë që policia po heton te banorët e fshatit për të gjetur zjarrvënësit. Burimet policore pohojnë për "Shqip" se dyshohet se zjarri mund të jetë vendosur nga persona që kanë pasur konflikt me familjen e Xhoxhi Pipës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›