E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy të vdekur nga aksidentet rrugore

05/04/2005  TIRANË- Pakujdesia shkakton dy aksidente me vdekje në kryeqytet. Burime të Qarkullimit Rrugor thanë dje se, që në orët e para të mëngjesit të djeshëm janë shënuar dy raste vdekjesh, ndërsa viktimat ishin të moshuar. Që në orën 08.00 të ditës së djeshme, u njoftua se në afërsi të ish-uzinës së autotraktorëve në Shkozë, në rrugën "Ali Demi", drejtuesi i një mjeti të tipit "Volksvagen" kishte shkaktuar një aksident, gjatë së cilit kishte mbetur i vdekur një 76-vjeçar. Pas mbërritjes në vendngjarje, efektivët e Qarkullimit Rrugor nuk kishin ç’të bënin tjetër, veçse të shoqëronin në polici drejtuesin e mjetit, ndërsa kalimtarët e rastit kishin dërguar në Spitalin Ushtarak, Bajram Troskin, nga Tirana, i cili kishte ndërruar jetë gjatë rrugës. Ende nuk dihet shkaku i vërtetë i aksidentit, ndërsa dëshmitarët i thanë policisë se, Troski ishte duke kaluar rrugën nga njëri krah në tjetrin. Sakaq, aksidenti i dytë ka ndodhur në afërsi të Vorës, ku mbeti e vdekur 48-vjeçarja Sulltane Rama, nga Vora. Burimet e Qarkullimit Rrugor bënë të ditur se, edhe Rama ishte duke kaluar rrugën nga njëra anë në tjetrën, ndërsa makina kishte ndaluar në vend për t’i dhënë asaj ndihmën e parë, duke e shoqëruar për në spital. Edhe pas përpjekjeve të shumta, ajo gjeti vdekjen disa minuta pasi kishte mbërritur në sallën e kirurgjisë. Sipas policisë po hetohet për të dyja rastet e aksidenteve me pasojë vdekjen, pasi paraprakisht dyshohet se përgjegjësit kryesorë për vdekjen e tyre kanë qenë viktimat, të cilët nuk i kanë vënë re makinat duke kaluar. Nga ana tjetër, drejtuesit e mjeteve ndodhen në dhomat e izolimit të policisë, në pritje të masës së tyre të sigurisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›