E Diel, 1 Nëntor 2026

Fufi i kërkuar nga italianët për trafik narkotikësh

05/04/2005  U arrestua 4 ditë më parë në Sauk. Policia: Mund të ketë qenë natën e plagosjes së Ruçit

TIRANË- Trafik ndërkombëtar të narkotikëve, kundërshtim me dhunë të policisë, falsifikim dokumentesh dhe një seri akuzash të tjera rëndojnë mbi 39-vjeçarin Nik Fufi, një ndër personat e pranishëm në pub "Kalhua" një vit më parë, ku u plagos djali i Sekretarit të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi. Burime të Komisariatit numër 1, ku një ndër emrat më të njohur në Mamurras ndodhet i arrestuar që prej datës 1 prrill të këtij viti, thanë se ai ishte i dënuar më parë dhe kërkohej nga drejtësia italiane për disa vepra penale, nga të cilat dominon ajo e trafikut të narkotikëve dhe për këtë shkak, Fufi kishte ndërruar emrin e tij. Pasi kishte nxjerrë një pasaportë false, ai qarkullonte me emrin Nik Pjetro. Mes sendeve që i janë bllokuar ditën e arrestimit, ku ai u përpoq të arratisej, përmendet një pistoletë, të cilën e hodhi para se të mbërrinte te postblloku dhe makina e tij e tipit fuoristrada BMV X5, ngjyrë e zezë, me targa TR 4132 K, të cilat janë sekuestruar dhe mbahen nën cilësinë e provave materiale.

Arrestimi

Sapo grupi i gatshëm i Komisariatit numër 1, pasditen e datës 1 prill ka parë fuoristradën e zezë përtej Urës së Peshkatarit, disa kilometra larg kryeqytetit, në rrugën nacionale Tiranë-Elbasan, lajmëroi me radio krerët e komisariatit. Veprimet u koordinuan në një hark të vogël kohor dhe furgoni i grupit të gatshëm u vu në ndjekje të makinës, ndërsa makinat e tjera të policisë krijuan një postbllok në Sauk. Pasi ka parë tabelën e ndalimit, Fufi hodhi pistoletën nga makina dhe u përpoq të shmangej, duke krijuar një incident të vogël përplasjeje. Gjithsesi ai u vu nën pranga menjëherë dhe u dërgua në dhomat e izolimit të këtij komisariati, ku ende vazhdon të qëndrojë.

Plagosja e Ruçit

Në datën 1 shkurt të vitit 2004, në rrugën “Dëshmorët e 4 shkurtit” në Tiranë, pas një grindje të çastit mbetën të plagosur shtetasit Ledio Ruçi dhe Artur Ceko. Autopatrulla e Repartit “Shqiponja”, me shërbim pranë parkut “Rinia”, pasi ka dëgjuar të shtëna armësh rreth orës 04.00, menjëherë ka njoftuar sallën operative dhe është nisur për në vendngjarje. Nga salla operative është urdhëruar nisja për në vendngjarje edhe e grupit të gatshëm të Komisariatit nr.2. Në vendin e ngjarjes policia ka gjetur shtetasin Ledio Ruçi të plagosur me armë zjarri, të cilin e ka nisur menjëherë për në Spitalin Ushtarak. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes u gjetën vetëm disa gëzhoja pistolete. Policia deklaroi se në pub ndodheshin disa nga personat me mbiemrin Fufi, në Mamurras. Nga verifikimet paraprake, rezultoi se në këtë ngjarje ishte plagosur edhe shtetasi Artur Ceko, i cili ishte dërguar në spital përpara se policia të mbërrinte në vendngjarje. Të gjitha veprimet proceduriale janë kryer nën drejtimin e Prokurorisë së rrethit Tiranë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›