E Diel, 1 Nëntor 2026

Kontrabanda e cigareve mbërrin te Krimet e Rënda

05/04/2005  Dosja penale me emrat e personave që dyshohet se kanë kryer kontrabandë me mallra për të cilat paguhet akcizë, ka mbërritur në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Kalimi i kësaj dosje te Krimet e Rënda është bërë për shkak se disa prej të pandehurve, kryesisht pronari i anijes, menaxheri i firmës, akuzohen edhe për ngritjen e një grupi kriminal. Ndërsa në pranga kanë rënë marinarët, nuk është arrestuar ende pronari i anijes "Eni", Fatmir Zotaj, i shpallur në kërkim. Pasi është dhënë masa e arrestit nga Gjykata e Durrësit, dosja penale ka kaluar për hetim në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, me kërkesë të prokurorit të Prokurorisë së rrethit Durrës. Menjëherë ishte kjo prokurori që ka depozituar në gjykatë dosjen për të bërë vlerësimin e masës së arrestit. Dosja është në duart e gjyqtarit Idriz Mulkurti, i cili ende nuk ka caktuar datën dhe orën kur do të marrë në pyetje të pandehurit. Kontrabanda e cigareve kaloi te Krimet e Rënda, pasi u vërtetua se ai ishte një trafik i vazhdueshëm dhe numri i personave të përfshirë në këtë skandal ishte tepër i madh. Hetimet kanë nxjerrë emra personash të dyshuar për një trafik të lidhur midis dy vendeve, Italisë dhe Shqipërisë. Gjithsesi hetimet e mëtejshme do të vërtetojnë përfshirjen ose jo të personave me pushtet në këtë trafik të cigareve. Sasia e mallit të kapur arrin shifra të mëdha. Në magazinën e pronarit të anijes, Fatmir Zotaj, u sekuestruan 7 kontenierë me 7188 koli me 3.594.000 paketa gjithsej.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›