E Diel, 1 Nëntor 2026

Komanda identifikon 9 ushtarët amerikanë

05/04/2005  Mbërrin në morg një kufomë. Mjekët: Veprimet kryhen nga amerikanët

TIRANË- Komanda amerikane e Operacioneve Speciale në Evropë, e drejtuar nga Shtutgardi i Gjermanisë, bën të ditur emrat e nëntë ushtarëvë amerikanë, të cilët humbën jetën në aksidentin tragjik të 31 marsit, në malin e Rovjes. Nga ana tjetër, në morgun e Tiranës mbërrin për ekzaminim vetëm një nga nëntë trupat e pajetë. Të gjitha veprimet do të kryhen nga ekspertët amerikanë, ndërsa mjekët tanë ligjorë do të jenë në rolin e vëzhguesve. Pas mbarimit të procedurave ligjore, trupat do të dërgohen në Shtutgard.

Emrat

Emrat e ushtarakëve amerikanë që u vranë gjatë rrëzimit të avionit MC 130 H, janë kapiteni Todd R.Bracy, 34 vjeç; kapiteni J.S.Cronin, 32 vjeç; Serxhent L.B.Gray, 40 vjeç; James R.Henry, 30 vjeç; kapiteni C.Kothakota, 30 vjeç; tekniku Glenn P.Lastes, 39 vjeç; leitnant. Ray C.Oeens Jr, 22 vjeç; Patrick R.Pentico, 22 vjeç si dhe kapiteni G.C. Williamson, 31 vjeç. Komunikata për shtyp nuk konfirmon asnjë të dhënë rreth shkaqeve të rënies së avionit ushtarak MC 130 H, por vetëm shpreh keqardhjen për ushtarakët e vrarë dhe ngushëllimet e thella familjarëve të tyre. Drejtori i Mjekësisë Ligjore, Sokrat Meksi, konfirmoi dje për gazetën "Metropol" se, "deri më tani në morg ka ardhur vetëm një trup i pajetë, që i përket njërit prej ushtarëve. Po operohet nën udhrat e ekspertëve amerikanë dhe të gjitha procedurat do të udhëhiqen nga ata. Pas mbarimit të këtyre procedurave, trupat e pajetë do të dërgohen në Gjermani". Sakaq pritet që ditën e sotme të vijnë edhe trupa të tjerë, por kjo gjithnjë e varuar nga urdhrat e komandës amerikane.

Hetimet

Për të hetuar shkaqet e rrëzimit të avionit “MC 130 Herkules”, në malin e Rovjes, mbërriti një grup hetimor nga SHBA-ja. Tragjedia ajrore, ku humbën jetën 9 ushtarë amerikanë, të specializuar për lirime pengjesh, alarmoi strukturat e shtetit shqiptar, e megjithatë, asnjë zyrtar i shtetit tonë nuk do të merret me hetimet e kësaj ngjarje të rëndë, të ndodhur në një zonë të thellë të Gramshit. Burime nga Prokuroria Ushtarake, pohojnë se nuk kanë asnjë informacion mbi zhvillimet hetimore në lidhje me këtë ngjarje të bujshme, pasi, specialistët amerikanë kanë preferuar që t'i kryejnë vetë të gjitha veprimet për të zbardhur shkakun e vërtetë të rrëzimit të avionit. Përveç ekspertëve të ushtrisë amerikane që ndodhen në vendin tonë, erdhi një grup i specializuar në Shqipëri, për të kryer hetimet e mëtejshme.

Tragjedia

Avioni i ushtrisë amerikane është rrëzuar rreth orës 20.05 minuta të mbrëmjes së enjte, në malin e Rovjes. Ai ka qenë duke fluturuar mbi Gramsh, në kuadër të një stërvitjeje të përbashkët shqiptaro-amerikane. Banorët e fshatit Gridë, që ndodhet më afër vendit ku u rrëzua avioni, pohuan se ai po fluturonte shumë ulët mbi fshat, në kushtet e mjegullës dhe motit të keq. Ndërkaq, mendohet që pilotët e avionit “MC 130 H” të kenë humbur kontrollin, duke u përplasur me pllajën e malit Rovje.

Ushtarakët e aksidentuar

Kapiteni Todd R.Bracy, 34 vjeç

Kapiteni J.S.Cronin, 32 vjeç

Serxhent L.B.Gray, 40 vjeç

James R.Henry, 30 vjeç

Kapiteni C.Kothakota, 30 vjeç

Tekniku Glenn P.Lastes, 39 vjeç

Leitnant Ray C.Oeens Jr, 22 vjeç

Patrick R.Pentico, 22 vjeç

G.C. Williamson, 31 vjeç

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›