E Diel, 1 Nëntor 2026

Krimet e Rënda, arrestohet në flagrancë dëshmitari

05/04/2005  Deklarimet në Gjykatë të ndryshme nga ato të marra në Prokurori

TIRANË – Prokurori Etjen Kapo nuk ka ngurruar të prangosë në sallën gjyqit një prej dëshmitarëve të thirrur në proces kundër të pandehurit Bledar Qemalaj. Ishte dëshmitar okular kur është vrarë në afërsi të shkollës "Qemal Stafa", në maj të vitit të kaluar shtetasi nga Fieri, Edmond Vruho. Ka parë gjithçka. Madje në Prokurori ka dëshmuar me vullnet të plotë se e njeh autorin e vrasjes, duke dhënë karakteristikat përkatëse. Dëshmitarit i është paraqitur për njohje në fazën e hetimeve paraprake edhe fotografia e të pandehurit. Ka deklaruar se ishte i bindur në ato që thoshte dhe se e ka parë ngjarjen në afërsi. Dëshmitari quhet Gazmend Uzeiri nga Tirana.

Seanca

Dje para Gjykatës së Krimeve të Rënda ka ndryshuar gjithçka. Është shprehur se nuk ka qenë në vendin e ngjarjes dhe nuk e njeh të pandehurin që ndodhej i ulur në bankën e të akuzuarve. Dëshmitari ka deklaruar se ato që janë shkruajtur në procesverbalin e Prokurorisë, nuk janë firmosur prej tij. Ndryshimi i deklarimeve të bëra më parë në Prokurori e ka irrituar prokurorin Etjen Kapo, i cili është detyruar të urdhërojë arrestimin e Gazmend Uzeirit për veprën penale të dhënies së dëshmisë së rreme.

Arrestimi

Prokurori Etjen Kapo tha dje pas përfundimit të seancës se, arrestimi i dëshmitarit u bë në kushtet e flagrancës. Pas lëshimit të urdhrit të arrestit, dëshmitari u shoqërua në mjediset e Komisariatit numër tre Tiranë. Dëshmitari Uzeiri ishte duke dëshmuar në procesin kundër të pandehurit Bledar Qemalaj, akuzuar për vrasjen e shtetasit Edmond Vruho. Qemalaj ndodhet në gjykim që prej disa muajsh. Viktima Edmond Vruho, sipas akuzës, në vitin 2000 ka vrarë vëllain e të pandeurit Bledar Qemalaj në Fier. Ndërkohë, i pandehuri Qemalaj kishte kohë që e ndiqte gjaksin e tij. Si i pandehuri dhe viktima ishin banorë të Fierit. Ndërkohë që, Qemalaj arriti të zbulojë vendndodhjen e hasmit në Tiranë dhe ta vrasë atë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›