E Diel, 1 Nëntor 2026

Toska: Kriminelët nuk njohin nacionalitete

05/04/2005  TIRANË- Lufta ndaj kriminelëve duhet të mos matet nga nacionaliteti i tyre. Ata duhen luftuar me të njëjtën gjuhë, me atë të ligjit. Kjo ishte një ndër temat që u bisedua dje nga ministri i Rendit Publik, Igli Toska, i cili priti në një takim pune përfaqësuesin e posaçëm të UNMIK-ut për Policinë dhe Drejtësinë, Jean Dussourd. Qëllimi i takimit, sipas zëdhënësit të dikasterit blu, Florion Serjani, ka qenë diskutimi i ecurisë së deritanishme të bashkëpunimit dypalësh në luftë kundër krimit të organizuar, trafiqeve ilegale, etj., si dhe masat që duhen marrë për ta forcuar edhe më tej në të ardhmen këtë bashkëpunim. Në këtë kontekst, të dy bashkëbiseduesit kanë vlerësuar arritjet e deritanishme, veçanërisht në luftën kundër trafiqeve ilegale, trafikut të drogave të forta, kontrabandës dhe kapjes së personave në kërkim. Ministri i Rendit Publik, ka theksuar se duhet bërë më shumë për të thjeshtuar procedurat burokratike dhe për të mundësuar kontakte të drejtpërdrejta të strukturave policore në bazë. Sipas tij, kjo gjë do të rriste efikasitetin e reagimit dhe goditjes së policisë ndaj kriminelëve që nuk njohin kufij dhe nacionalitete. Ministri Toska është shprehur se, nëpërmjet forcimit të bashkëpunimit dypalësh në luftën kundër krimit të organizuar, i jepet një përgjigje të gjithë atyre që synojnë destabilizimin e situatës në Shqipëri, Kosovë, por njëkohësisht edhe në të gjithë rajonin. Të dy bashkëbiseduesit ranë dakord që të organizohet një tryezë e rrumbullakët me ekspertë policorë të të dy vendeve, për të përcaktuar hapat e mëtejshëm që duhen ndjekur për të konkretizuar bashkëpunimin, i cili do të mundësonte efikasitetin në luftë kundër krimit të organizuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›