E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokuroria, 50 vjet burg at e bir, vranë për një zgarë mishi

05/04/2005  TIRANË – Vranë për një zgarë mishi, kërkohet dënimi me nga 25 vite burg. Në gjykatë erdhën për t’u gjykuar tre të pandehur, babai me dy djemtë e tij. Prokurorja Lindita Ziguri kërkoi deklarimin fajtor të të pandehurve dhe dënimin e tyre me nga 25 vite heqje lirie. Sipas akuzës, të pandehurit Altin, Florjan dhe Preng Nikolla, në bashkëpunim me njëri–tjetrin kanë vrarë në Kamëz një vit më parë një kasap. Por është provuar dhe vërtetuar se ekzekutori ka qenë i pandehuri Altin Nikolli, i cili gjykohet në mungesë. Vrasja ka ndodhur për motive fare banale. Të pandehurit i kishin kërkuar kasapit një zgarë për të pjekur mishin. Ky i fundit, pasi ia ka dhënë ka shpresuar se familja Nikolli do të blente mish në dyqanin e tij. Por nuk ka ndodhur kështu. Familja Nikolli jo vetëm që nuk ka blerë mish në dyqanin e viktimës Pjetër Qafa, por nuk i ka kthyer as zgarën. Kjo histori fare banale është kthyer në tragjedi. Vrasjen, sipas akuzës, Altin Nikolli e ka kryer në prani të djalit të viktimës. Gjithçka është parë e dëgjuar prej tij. Para gjykatës, të pandehurit që ishin të pranishëm kërkuan gjykim të shkurtuar. Por për akuzën, kjo kërkesë ishte e pambështetur në ligj dhe nuk mund të justifikonte ngjarjen. Florjan Nikolla është përjashtuar nga vrasja, ndërsa është kërkuar dënimi me nga 25 vite burg për at e bir, Altin dhe Preng Nikolla. Konkluzionet e prokurores Lindita Ziguri u lexuan para gjyqtarit Kreshnik Omari. Tashmë radhën për të dhënë pretendimet në gjykatë e ka avokati mbrojtës i familjes Nikolli. Para gjykatës, të pandehurit nuk e kanë pranuar akuzën. Por dëshmia e djalit të viktimës ka mohuar gjithçka të thënë prej tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›