E Diel, 1 Nëntor 2026

Mosmbajtja e premtimeve, përçahet PD e BeratitNga TemaZhgënjimi për mosmbajtjen e premtimeve elektorale ka shkaktuar përçarjen e Partisë Demokratike në Berat. Kështu, vetëm katër ditë nga zgjedhjet e 28 qershorit, PD ka humbur një nga zonat më të for

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Mosmbajtja e premtimeve, përçahet PD e BeratitNga Tema

Zhgënjimi për mosmbajtjen e premtimeve elektorale ka shkaktuar përçarjen e Partisë Demokratike në Berat. Kështu, vetëm katër ditë nga zgjedhjet e 28 qershorit, PD ka humbur një nga zonat më të forta të saj në Berat, komunën Kutalli. Në një konferencë për shtyp, drejtuesit e seksionit të Partisë Demokratike në fshatin Drenovicë, së bashku dhe me një grup anëtarësh, kanë deklaruar shkëputjen nga radhët e kësaj partie. Kryetari i seksionit të Partisë Demokratike në Kutalli tha se ai dhe katër drejtues të tjerë të seksioneve të fshatrave po deklaronin dorëheqjen e parevokueshme nga radhët e PD, pasi gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, drejtuesit kryesorë në PD e Beratit kanë përçarë strukturat e kësaj partie në komunë, për interesa të ngushta. Përveç kësaj, sipas këtyre të fundit, qeveria gjatë këtyre katër viteve nuk mbajti premtimet e para 3 korrikut të 2005, për naftën pa akcizë, për donacionet, kreditë e buta etj. Sakaq, drejtuesit e seksioneve në PD e komunës Kutalli janë shprehur të pakënaqur edhe për indiferencën e treguar nga ana e kësaj partie ndaj militantëve këto katër vjet qeverisjeje. “Ne që kemi përfaqësuar PD në vite kemi militantët që na kanë përkrahur gjatë gjithë kohës, por tani që kanë marrë pushtetin nuk pyesin më për ta”, - ka pohuar Arben Dyli, anëtar i seksionit të komunës Kutalli. Sipas drejtuesve të kësaj partie në komunën Kutalli, zëri i anëtarësisë së partisë në bazë ka rënë në vesh të shurdhët, pasi nuk është dëgjuar asnjëherë nga drejtuesit e degës së PD në Berat, gjë që nuk është bërë as në përcaktimin e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 28 qershorit. “Në katër vitet e qeverisjes së PD, dega e kësaj partie në rrethin e Beratit nuk ka marrë parasysh asnjë kërkesë apo propozim të drejtuesve të këtij grup-seksioni, për çdo ankesë që lidhej me aktivitetet e degës, me zgjedhjen e drejtuesve të saj, me përzgjedhjen dhe miratimin e kandidatëve për deputetë të PD në qark, për mënyrën e të bërit fushatës elektorale etj”, - deklaruan drejtuesit e PD në komunën Kutalli. Sakaq, nga PD e komunës Kutalli janë larguar edhe mbi 100 anëtarë të kësaj partie, ndërsa ish-drejtuesit e PD në këtë komunë thonë se numri i anëtarëve të larguar do të shtohet në ditët në vijim. Me largimin e drejtuesve kryesore të PD në komunën Kutalli dhe anëtarëve të saj, kjo e fundit merr një goditje të fortë në qarkun e Beratit për zgjedhjet e 28 qershorit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›