Dështimi i fushatësNga Mero BazeKryeministri, Sali Berisha, ka tërhequr papritur nga ekranet televizive gjithë kandidatët e vet, duke e kthyer javën e fundit të kësaj fushate në një heshtje të parakohshme elektorale. Nëse i hedh tani një sy fushatës
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Dështimi i fushatësNga Mero BazeKryeministri, Sali Berisha, ka tërhequr papritur nga ekranet televizive gjithë kandidatët e vet, duke e kthyer javën e fundit të kësaj fushate në një heshtje të parakohshme elektorale. Nëse i hedh tani një sy fushatës elektorale të zotit Berisha dhe përpiqesh t’i bësh asaj një skanim të shpejtë, shikon qartë se ajo nuk ka asnjë identitet dhe plan të qartë veprimi. Fillimisht ai nisi të agresojë publikun me figura të fabrikuara kandidatësh që recitonin kryesisht kasetat e tij për bilancin e qeverisë, pastaj filloi të censurojë pjesëmarrjen në mitingje duke i vetëfilmuar ato dhe duke imponuar kasetat për televizionet dhe në fund u detyra t’i tërheqë nga beteja, për shkak të alergjisë publike që prodhonin në debate kandidatët, të cilëve u është dhuruar mandati, por nuk u është deleguar e drejta për të menduar.
Një rast i shkëlqyer dështimi ishte Lulzim Basha. Në dy debatet publike, njërin me Ben Blushin dhe Blendi Klosin dhe të fundit me Ditmir Bushatin, ai u shfaq si debatuesi më i dobët dhe thuajse më fals i gjithë kësaj fushate elektorale. Nëse në debatin e parë me Blushin ai u detyra të qante për të tërhequr vëmendjen për akuzat e rënda ndaj tij, në rastin e polemikës me Ditmir Bushatin ai humbi tërësisht vijën logjike të debatit dhe nuk ishte në gjendje të argumentonte as faktin që nuk i mbush dot mendjen gruas së tij ta rimarrë shtetësinë shqiptare.
I ndodhur para këtij bilanci, Berisha tërhoqi në javën e fundit gjithë aktorët nga debatet publike, duke konfirmuar mes të tjerash mungesën e një plani për fushatën dhe veprime e tij kaotike.
Problemi i dytë që iu krijua Berishës nga kjo fushatë pa identitet ishin rivalët e debatuesve të tij. Zoti Rama ndoqi në mënyrë konsekuente linjën e promovimit të njerëzve të rinj të PS, edhe kur shpesh ata nuk ia kishin shumë idenë përse flisnin dhe me kë flisnin. Duke mos e ndërruar taktikën e tij deri në fund, Rama arriti ta çorientojë Berishën dhe me atë ekip rezervë që i nxori në fushën e betejës, njësoj si në vitin 2007. Debatuesit e së majtës nuk shkëlqyen, se nuk pritej të shkëlqenin, por humbjet e njerëzve të Berishës në këto debate nxinin më shumë. Kështu, dështimet spektakolare të Lulzim Bashës në këto debate u kthyen në lajm dhe mbulonin rëndësinë e hutimit të disa të rinjve të Ramës që ende nuk i merr askush seriozisht.
Por problem më i madh Berishës po i krijohet tashmë me perceptimin e fushatës. Duke trukuar mitingjet, duke kontrolluar medien dhe kompanitë e sondazheve, ai po krijon një diferencë të fortë mes realitetit në terren dhe perceptimit të militantëve të tij, që besojnë çdo kasetë të trukuar që u shfaqet në ekranet shqiptare. Dhe kjo mund ta bëjë më të hidhur surprizën më 28 qershor, kur të kuptojë që e vërteta është krejt ndryshe nga sa është trukuar në ekrane.
Duke u përpjekur t’i kushtojë rëndësi vetëm perceptimit të mitingjeve të mëdha dhe i kompleksuar nga dështimi i çeljes së fushatës në Tiranë, Berisha ka një javë që thërret në çdo qytet që të mblidhen të premten në Tiranë për mitingun përmbyllës. Gjithë kjo energji e harxhuar për të rritur perceptimin e njeriut që udhëheq fushatën, në të vërtetë mund ta vënë dhe më shumë në gjumë partinë e tij thuajse të çorganizuar në këtë fushatë, ku mbijnë papritur dhe lajme për dorëzim të teserave të PD.