Dy tregime
Roland GJOZA
Dy tregime
Një plakë lexon romane dashurie
Kur ranë kullat, unë sapo isha futur në shtëpi. Hapa frigoriferin, mora një birrë dhe e shkullova me një frymë. Televizori kishte mbetur i ndezur.U ula në karrige te mblidhja veten. Punoja roje sigurie në komplekset financiare ngjitur me kullat. Avioni i parë, avioni i dytë. Ashtu përgjumësh mendova se filmat e Hollivudit ndillnin apokalipsin. Pastaj rashë e fjeta, pa kuptuar gjë. Kur u ngrita në drekë, zura kokën me duar dhe qava. Kjo ishte e verteta, po nuk di pse asaj plake i thashë se isha aty kur ranë kullat. I rrëfeva një histori tronditëse, të cilën e besova dhe vetë.
Plaka lexonte një libër te stoli në sallën e amfiteatrit. Ishte e fisme, e veshur me shije, ruante në tiparet e holla bukurinë finoshe të rinisë. Kur u largua, harroi librin ne stol. E mora librin, një roman i mbajtur mirë dhe e ndoqa. Ajo kishte një ecje të hareshme, sikur e priste dikush në një takim diskret. E degjoi zërin tim dhe ndali.
- Zonjë, keni harruar librin.
- E lashë vetë. Mirupafshim.
Ajo dukej që nxitonte. Para se të ikte, e ndjeu të nevojshme të sqaronte dicka:
- Pas pak fillon mesha.
Nga World Trade Center kishte mbetur kompleksi financiar që çdo ditë mbushej me turistë, të cilët donin të shikonin nga dritaret e mëdha Ground Zero. Unë ruaja amfiteatrin dhe një pjesë të tremes që të shpinte në Battery Park. Që aty turistët niseshin me tragete drejt Statujës së Lirisë, portit Ellen Island, ku ndodhej muzeu i madh i emigrantëve dhe pastaj, nga East River, dilnin në Hudson River. Më pëlqente ky vend. Shumë kureshtarë më pyesnin për kullat. Rrëfimi im ishte fantazmagorik. Ata mbeteshin të tronditur dhe në fund më pyesnin se ku ndodheshin banjot.
Plaka erdhi përsëri në fund të javës. Ajo u ul në stol dhe lexoi deri vonë. Aty bënte fresk dhe kishte shumë dritë.Më në fund, ajo la librin në stol dhe iku. Unë e mora dhe e çova në shtëpi. Nuk lexoja libra. Po nuk mund të lija një libër në stol.
Një javë ajo nuk erdhi. E ndjeva mungesën e saj. Ndoshta ishte sëmurë, ose ishte nisur me pushime. Amerikanët udhëtojnë. Stoli ishte bosh. Tani fillova të mendoj se duket bukur një njeri që lexon një libër në stol. E harrova plakën, librin, stolin.
Isha roje sigurie dhe shikoja me kujdes gjithçka, detaje e hollësi, që s'i vinte re njeri.
- Si ndodhi, ju lutem, ishit këtu ju zotëri kur ranë kullat?
Ktheva kokën, ishte plaka.
- Isha këtu, - i thashë. - I ndjeva zërat, i ndjeva zërat vërtet në një çast. Nuk e di si ndodhi. Ishte si një ulërimë e akullt. Më zgjon natën nga gjumi.
- Kisha djalin.
- Djalin tuaj, zonjë?
- Ai po shkonte tek e fejuara. I kishte blerë një unazë me diamant dhe me pyeti tri orë përpara se të nisej: mama, si të duket? Dhe unë i thashë atë që ndjeva, pak e vogël. Pse ia thashë? Ju dëgjuat zëra? O Zot!
- Një si uturimë zërash, gjëmim, tym. Po pashë dhe trupa që binin, zonjë. Nuk ju besoja syve.
- Atë djalë kisha. Edhe burri më ka vdekur në një aksident ajëror. Qielli m'i mori të dy.
Më erdhi keq. Nuk e prisja që djali i saj të kishte vdekur në Ground Zero. Në këto raste njeriu shpik nga mirësia. Ç't’i thoja tjetër?
- A e dini, zonjë, që në Ground Zero kanë mbirë lulet e para, ca lilakë të verdhë?
- Vërtet? Sa gjë e bukur. Unë lilakët i pëlqej shumë.
- Këta janë të veçantë, zonjë, në buzët e petaleve kanë nga një shirit të zi.
- O, kjo është e pabesueshme.
- Unë mbledh shpesh. Do të bëj një tufë për ju. Po erdhët nesër, do ta gjeni në stol.
Ajo erdhi të nesërmen dhe i gjeti vërtet në stol të mbështjellë me letër. I mori në duar dhe i këqyri për një kohë të gjatë. Ndoshta e tërhiqte ai shiriti i zi në buzë të petaleve të mëdha.
Pastaj hapi çantën, nxori librin dhe filloi të lexonte. Kur u ngrit për të ikur, mori vetëm tufën me lilakë, ndërsa librin e la në stol. E pyeta:
- Zonjë, pse i lini gjithmonë librat në stol?
- Unë nuk kam bibliotekë. Nuk dua të kem. Ç'ta dua? Unë lexoj një roman dashurie dhe e le në stol për tjetrin. Unë lexoj vetëm romane dashurie. I blej në mëngjes dhe i mbaroj në muzg. Ato janë shumë të bukur, të bëjnë edhe njëherë të re. Të bëjnë të ëndërosh se dikush është atje, po të pret, kjo pritje, vetëm kjo pritje ndoshta e parealizuar ndonjëherë, ia vlen për të zbukuruar pleqërinë dhe për të shpresuar. Nuk është pak, apo jo?Unë mendoj se, po ta fus në shtëpi ketë roman, do t'i heq pandehmën e pritjes një tjetri, një gruaje si unë, dhe kam kohë që mbjell stolat e Manhattenit me romane dashurie.
Ajo iku. Romani i mbajtur mirë qëndronte në stol. Priste një njeri për ta prekur, për ta shfletuar, për ta lënë, ose për ta lexuar.Unë e harrova për një kohë, po kur u kujtova, e pashë sërisht atje, në anën e djathtë, ku pas pak u afrua një nga pastruesit, e mori me të shpejtë dhe e futi në thesin e zi të plehrave. Doja të thërrisja, të vrapoja pas tij, po nuk munda, sepse isha roje sigurie dhe në atë kohë nuk më lejohej të shkoja atje.
Solomon R. niset për të vdekur
Ai nuk e hapi postën. Nuk vuri asnjë firmë. Celularin e mbylli. Puthi Xhekun, terierin e zi, që kishte dy ditë që angullinte.
Solomon R. niset për të vdekur.
Nata e gushtit poshtë grataçieleve është si diamanti i zi përplot reflekse i unazës së Melanisë. Ajo ishte dashnorja e fundit. Vdiq në gusht, nën hënën që vezullonte te xhami i sahatit të dorës, kur ai priste kirurgun të dilte nga salla. Ai s'kishte ditur të dashuronte, sepse e kishte patur të kollajshme. Po Melania e kishte dashur vërtet. Një grua e kishte dashur, më në fund.
Solomon R. niset për të vdekur.
Ai është një nga miliarderët e Nju Jorkut. Zbret nga qielli ku jeton, në katin 145, në taracën e pafundme, si xhungël, ku buluron luani, aluron ujku, vigmon struci, ngarend me kokën në yje gjirafa, shërbejnë në heshtje ca afrikane të gjata përplot afshe, që ai i merr në hamak netëve të nxehta. Pra, Solomon R. niset për të vdekur.
Vishet si një ronxhobonxho dhe, për herë të parë, në prag të vdekjes, ndjen se nuk e ka provuar ende shijen elementare të njeriut të rëndomtë.
Karrocat mondane të Nju Jorkut janë pronë e tij, aty ka vendosur të vdesë, në një karrocë luksi, ku gratë që shkojnë në kishë dhe në opera, harrojnë trëndafilat e kuq. Ato tani janë vyshkur, se është koha kur gratë zhvishen lakuriq dhe bien për të fjetur. Ai i njeh shumë mirë gratë e trëndafilave, që udhëtojnë me karrocat e shekullit të nëntëmbëdhjetë. Po sa kollaj e ka patur. Kjo e mundon tani, prandaj ka vendosur të mos lajmërojë njeri dhe të niset vetëm për të vdekur.
Ngre dorën në Avenjunë e Pestë dhe karroca me një kalë të bardhë sa një mal, ndalon te kembët e tij. Kali ka punuar gjithë ditën dhe kundërmon shurrë e thartuar, po edhe duhma e trëndafilave të vyshkur të çpon hundët. Ngjitet lart dhe çuditet me karrocierin, Xhejmsin, një irlandez me mjekër të madhe, që nuk zbret ta ndihmojë si zakonisht, t'i thotë fjalë të ëmbla me gazin e tij të sinqertë e turbullues. ǒka ngjarë me Xhejmsin? Është i lodhur? S'ka faj, ishkreti, është gusht dhe ky është udhëtimi i fundit.
Solomon R. është nisur për të vdekur. Më mirë që s’e njohu, ai sonte mendon te jetë një njeri krejt i rëndomtë, se ka harruar, ose s'i ka dalë koha të jetë i tillë. Sa kollaj e ka patur.
”Xhejms, ti nuk më njohe, po kjo mua më pëlqen, se nuk më prish punë. Kam shkuar në kishë, Xhejms, kam kënduar me korin, kam përsëritur fjalët e Krishtit, po sa kam dalë përjashta kam hapur celularin dhe jam marrë me të ardhurat e bankave të mia. Sot jam nisur për të vdekur. Nuk kam patur kohë, miku im, Melania ma kujtoi këtë gjë, se asnjëhere nuk kam patur kohë për të parë se ç'bëhej disa hapa larg bankës e kishës. Edhe në qoftë se bëra një xhungël në taracën e grataçielit tim, këtë e bëra se e bënë të tjerët, po sot dua të nisem vetëm për të vdekur. Nuk kam lajmëruar njeri, Xhejms. Sa mirë që nuk po ma var, Xhejms. Ti as ke ndërmend të më kthesh një përgjigje. Melania nuk pyeti për të ditur se kush isha unë, ajo m'u dha dhe unë ndjeva dhëmbshuri, sikur të kisha vrarë një njeri. Unë e vrava Melanine, Xhejms, se unë jam bankier dhe kam rregullat e mia në ndarjen e pasurisë. Unë i kam vrarë gratë, Xhejms, sepse ato nuk duhet të lindnin. Kështu vdiq Melania, Xhejms, sepse unë e detyrova të dështonte. Ajo vdiq me emrin tim në gojë, kështu më tha Carli, kirurgu, vdiq me emrin tim në gojë. Xhejms, unë nuk paskam jetuar si rëndom jetohet, tani jam nisur për të vdekur.”
Solomon R. vuri re se jo vetëm që Xhejmsi nuk i përgjigjej, po ai nuk i tundte asnjëherë frerët, nuk e nxiste kalin për të ecur më shpejt apo për të ngadalësuar hapin, për të ndaluar apo për të ndërruar drejtim. Nga Avenju e Pestë, kaluan nëpër Rockfeler Center,pastaj me trok u nisën për në Times Square, në mes të trafikut të rënduar, bënë një rrotullim përqark Bryan Park dhe dolën në Americas Avenue, ndërkohë që filloi të breronte një shi dritash përplot ngjyra nga reklamat e bujshme të kanditatëve për president, Barack Obama e Hillary Clinton dhe Solomon R. priste të vdiste pa njerëz të mëdhenj pranë, pa fare ceremoni, pra priste të lëshonte hjeken e fundit në një pajton me një kalë te lodhur, në një natë gushti, si një njeri i panjohur në mes të Manhattenit. Kali dukej sikur ecte në kokë të vet dhe, në një grimë kohë, ndaloi befas, sikur të priste një shenjë. Në qiell këputeshin yje. Kali hapi paksa këmbët dhe bëri shurrën. O, jo, Xhejms, këtë nuk duhej ta lejoje. Solomon R. u ngrit dhe e tundi nga supet karrocierin. Ai kishte vdekur. Ai kishte kohë që kishte vdekur, qysh në fillim, kur miliarderi kishte hipur në karrocë dhe kali kishte bërë po atë rrugë me kokë të vet. Solomon R. thirri policinë. E çoi ne spitalin e tij, por çdo përpjekje ishte e kotë.
Carli, kirurgu, e pyeti për shëndetin, po s'mori asnjë përgjigje.
”Ah, harrova”, tha Carli, “Melania ka lënë një pusullë për ju. Sot e gjeti infermierja.”
Ai e mori dhe e hapi: ''I dashuri im, unë kam një fëmijë në Oregon, te mamaja. Kur po vdisja, ndjeva ose m'u bë, nuk di si të shpjegohem, i dashuri im, që të dua shumë, se po lija në mes të rrugës një jetim.Të lutem, kujdesu për të. Kam shumë besim te zemra jote e mirë, që s'ma ka prishur asnjëherë."
ǒështë kështu, unë jam nisur për të vdekur, kjo është një marrëzi, Melani, unë jam nisur për të vdekur..., pëshpëriti me vete Solomon R.
Kur doli nga spitali, nuk dinte çfarë të bënte, të priste një karrocë tjetër apo t'i çonte një çek familjes së Melanisë në Oregon. Po ai ishte Solomon R., që nuk e kishte zakon të krijonte lidhje delikate, të cilat mund të rrezikonin ndarjen e pasurisë.
Solomon R. ishte nisur për të vdekur.
LETRA Faqe 17
Duke kënduar për dashurinë
Pablo NERUDA
Skllavja ime
Skllavja ime, frikësomë. Më duaj. Skllavja ime !
Jam me ty perëndimi më i gjerë i qiellit tim
dhe në të shpirti im lind si një yll i ftohtë.
Kur prej teje largohen, hapat e mi kthehen tek unë.
Vetë fshikullima ime bie mbi jetën time.
Je ajo që është Brenda meje dhe është larg.
Duke vrapuar si një tufë mjegullash të ndjekura.
Afër meje, po ku ? Larg, ajo që është larg.
Dhe ajo që duke qenë larg, ecën nën këmbët e mia.
Jehona e zërit përtej qetësisë.
Dhe ajo që në shpirtin tim rritet, si myshku mbi gërmadha.
Pelleas dhe Melisanda
Trupi i saj ёshtё njё fli fin dhe i lehtё.
I ka tё kaltër sytё dhe duart prej dëbore.
Nё park pemët duken tё ngrira,
zogjtë ndalen mbi to tё lodhur.
Gërshetat e saja bionde prekin ujin ёmbёlsisht
Si dy krahё tё artё qё shpёrthejnё nga burimi.
Uturin fluturimi i humbur i kukuvajkave tё verbëta.
Melisanda gjunjëzohet – dhe lutet.
Pemët përkulen gjersa prekin ballin e saj.
Zogjtë ndalen nё mbrëmjen e dhimbshme.
Melisanda, e ëmbla, qan pranё burimit.
* * *
Melisanda, e ëmbla, ka humbur rrugёn,
Pelleasi, zambak i bruztё i njё kopshti imperial,
Nё krah e mban, si njё shportё me fruta.
Sonet i ri për Helenën
Kur ti, vajzё, do tё jesh plakё (Ronsari ta ka thёnё),
do tё kujtohesh pёr vargjet qё unё tё recitoja.
Gjinj tё trishtё do tё kesh pёr tё mёkuar fёmijtё e tu,
tё fundit gonxhe tё jetёs tёnde bosh.
Unё do tё jem kaq larg, sa duart e tua prej dylli
do tё lёrojnё kujtimin e rrënojave tё mia nudo,
do tё kuptosh se mund tё bjerё borё nё Pranverё
dhe se nё Pranverё borërat janë mё tё ashpra.
Unё do tё jem kaq larg, sa dashuria dhe mundimi
qё mё parё boshatisa nё jetёn tёnde si njё amforё plot
do tё jenё tё dënuara qё tё vdesin nё duart e mia.
Dhe do tё jetё vonё sepse iku adoleshenca ime,
Vonё sepse lulet vetëm njё herё japin aromё
E sepse edhe po tё mё kërkosh unё do tё jem larg.
Pёr zemrën time
Pёr zemrën time mjafton gjoksi yt,
Pёr lirinё tёnde mjaftojnё krahёt e mi.
Nga goja ime do tё arrijë gjer nё qiell,
Ajo qё ishte e fjetur mbi shpirtin tёnd.
Tek ti ёshtё iluzioni i çdo dite.
Bije si vesa mbi kurora lulesh.
Gёrmon horizontin me mungesën tёnde.
Pёrjetёsisht nё ikje si dallga.
Kam thёnё se këndoje nё erё
Si pishat dhe si direkё anijesh.
Si ata je e lartё dhe e heshtur.
Dhe trishtohesh befas, si njё udhëtim.
Mikёpritёse si njё rrugё e vjetёr.
Tё popullojnë jehona dhe zёra nostalgjikё.
U zgjova dhe ndonjëherё emigrojnë dhe ikin
Zogj qё flinin nё shpirtin tёnd.
LERMI TË LIRA DUART
Lërmi tё lira duart dhe zemrёn,
lërmё tё lirё!
Leri gishtat e mi
tё vrapojnë nёpёr rrugët e trupit tёnd.
Pasioni - gjak, zjarr, puthje -
mё ndez me flakё tё dridhshme.
Ah, ti s’e di ç’ёshtё kjo !
Ështё stuhia e ndjenjave tё mia
qё përkul pyllin e ndjeshёm tё nervave tё mia.
Ështё mishi qё thёrret me gjuhёt e tij tё zjarrta
Ështё zjarri!
Dhe ti, grua, je si njё dru i paprekur
tani qё gjithё jeta ime e kthyer nё hi
fluturon drejt trupit tёnd plot, si nata, plot yje!
Lёrmi tё lira duart dhe zemrën,
Lёrmё tё lirё !
Unё vetëm tё dëshiroj, tё dëshiroj e dëshiroj!
Nuk ёshtё dashuri, ёshtё dёshirё qё than e shuhet
ёshtё vёrshim tërbimesh,
tё afrimit me tё pamundurёn,
por je ti,
je ti pёr tё mё dhёnё gjithçka,
pёr tё mё dhёnё atё qё zotëron e ke ardhur mbi tokё
siç kam ardhur unё pёr tё tё mbajtur,
pёr tё tё dëshiruar,
pёr tё tё pritur!
Mretëresha
Unё tё kam emëruar mbretёreshё.
Ka dhe mё tё larta se ti, edhe mё tё larta.
Ka dhe mё tё pastra se ti, edhe mё tё pastra.
Ka dhe mё tё bukura se ti, edhe mё tё bukura.
Por ti je mbretëresha.
Kur shkon nёpёr rrugё
askush nuk tё njeh.
Askush s’e sheh kurorën tёnde prej kristali,
askush s’e sheh tapetin e artё
qё shkel kur kalon,
tapetin qё nuk ekziston.
Dhe kur ti shfaqesh
tё gjithё lumenjtë uturijnë nё trupin tim,
dredhin qiellin
kambanat,
dhe njё himn mbush botёn.
Vetëm ti dhe unё,
vetëm ti dhe unё, e dashura ime
dёgjojmё.
Ode për të keqardhurën
Bimё e vendit tim, trёndafil toke,
yll kacavjerrës, shkarpё e zezё,
petale e hёnёs nё oqean
qё desha me fatkeqёsitё e saja dhe dallgët e saja,
me thikat e saja dhe rrugicat e saja,
lulkuqe e kreshpëruar, karafil sedefi i zi,
sepse kur kupa ime u pёrmbys
dhe kur zemra ime ndryshoi nga zija nё zjarr,
kur nuk pata pёr ty tё tё ofroja
atё qё gjithё jetёn tё priste,
atёherё ti erdhe,
kur gёrmat pёrvёluese digjen mbi ballin tim.
Sepse rruga e pastër
e kurorës tёnde tё martesёs
erdhi si njё unazё
duke u rrokullisur pёrtokё?
Nuk duhej ti, midis sё gjithash
tё vije nё dritaren time si njё jasemin i vonuar.
Nuk ishe, ah flakё e zezё,
ajo qё duhej tё mё prekte
dhe tё ngjitej me gjakun tim
gjer nё gojёn time.
Tani, çfarë mund tё tё përgjigjem?
Tretu, mos prit, s’ka pritje
pёr buzёt e tua prej guri nate.
Tretu ti nё flakёn tёnde, unё nё zjarrin tim,
dhe duamё
pёr dashurinё qё nuk mundi tё tё presё,
duamё pёr atё qё ti dhe unё
kemi prej guri apo prej bime:
do tё vazhdojmë tё jetojmë
pёr atё qё nuk i dhamë njeri-tjetrit:
pёr supin ku s’mundi tё përkulej njё trëndafil,
pёr njё lule qё vetё e djegura pёrndrit.
Ode për duart e saj
Unё nё njё merkato ose njё det duarsh
tё tuat do t’i njihja si dy zogj tё bardhё,
tё ndryshёm midis tё gjithё zogjve:
fluturojnë midis duarve,
shtegtare, lundrojnë nё ajёr,
trasparente, por kthehen ndanё teje,
ndanё meje,
përkulen, tё përgjumur mbi gjoksin tim.
Transparente janë, tё holla dhe nudo,
tё shndritshme si njё kristalierё,
dhe shkojnë si erashka nё erё,
si pupla tё qiellit.
Bukёs dhe ujit tё kulluar i ngjajnë,
grurit, vendeve tё hёnёs,
profilit tё bajames, peshkut tё egër
qё pёrpёlitet i argjendtё
mbi rrugёn e gurrave.
Duart e tua shkojnë e vijnë
duke punuar, larg, i bien instrumentit
duke prekur pirunjtё,
ndezin zjarr dhe papritur llokoçiten
nё ujin e zi tё kuzhinës,
çukasin makinën duke qartësuar
shkurren e bukur të shkrimit tim,
ngulin gozhdё nё mure, lajnë rrobat
dhe kthehen pёrsёri nё bardhёsinё e tyre.
Kjo mrekulli
qe sistemuar pёr diçka mbi tokё
qё tё flinte dhe tё fluturonte
mbi zemrën time.
Përktheu Faslli Haliti
KOHA Faqe 18
Histori e pathënë gojore
Biografi Joseph Mitchell thotë se, nëpërmjet këtij studenti shqiptar, më 1914 Xho (Joe Ferdinand Gould) u njoh me Fan Nolin, nga i cili thuhet se u frymëzua që të bëhej një zë anglishtfolës për çështjen shqiptare në SHBA. Shqiptarët e Amerikës përbënin në atë kohë komunitetin më të ri të emigrantëve dhe kishin nevojë për miq e përkrahës për çështjen e tyre. Xho krijoi një fond për Shqipërinë dhe filloi t’u dërgonte letra të gjithë të njohurve të tij, duke u kërkuar të ndihmonin financiarisht për çështjen shqiptare. Ai krijoi në Boston edhe shoqatën Miqtë e pavarësisë së Shqipërisë dhe u lidh me redaksitë e gazetave të njohura amerikane, duke u kërkuar të botonin shkrime e komente, që përgatiteshin nga Noli, mbi Shqipërinë.
Xho vishej me rroba që të tjerët i hidhnin ose ia falnin; flinte kudo; në dhomat më të lira të hoteleve më të lira, në shkallët e pallateve, në pragun e shtëpive, në stolat e lulishteve. Gjatë ditës, me një dosje nën sqetull, ai endej rrugëve, restoranteve, klubeve, takonte miq të vjetër e bëntë të rinj. Baza e tij ishte Minetta Tavern në Grënwich Village. Aty ai ulej për të shkruar, pronari i jepte për të ngrënë e ndonje klient i ofronte për të pirë. Në vitet ’40, Gould tërhoqi vemendjen e një piktori të njohur dhe, që prej asaj dite, portreti i tij qëndron i varur edhe sot ne Minetta Tavern. Ai qëndronte shpesh me orë të tëra në bibliotekën e qytetit, i merrte me radhë dyqanet e librave të përdorur. Atë e kishin parë të shkruante papushim nga mesdita në mesnatë.
Xho vdiq më 1957, në moshën 68 vjeçare. Menjëhere pas varrimit, miqtë e tij filluan kërkimet për të gjetur dorëshkrimet e Historisë së tij gojore. Pas disa ditësh, ata arritën të gjenin disa poema, pjesë esesh e ndonjë shënim. Pas një muaji gjetën edhe disa letra të tjera. Më pas asgjë; asnjë nga fletoret e mbushura me shkrimet e tij. Vështirë të thuhet se si qëndron e vërteta. Shumë nga ata që besonin në ekzistencën një historie të tillë, kanë hequr dorë ose nuk janë më dhe misteri rreth “Historisë gojore” vazhdon. “Joe Gould’s Secret”, filmi rreth jetës së tij, shfaqur vitet e fundit, lë të kuptohet se “Historia gojore” ekzistonte vetëm në mendjen e Gouldit, dhe për 30 vjet ajo mbeti vetëm ide. Por kush mund të bënte më shumë në kushtet e një jete si e tij?
Astrit LULUSHI (SHBA)
Joe Ferdinand Gould është quajtur i fundmi i bohemëve të Amerikës. Bostoni ishte qyteti i tij, ku e ndjente veten të huaj, thoshte shpesh ai. Më 1916, Xho shkoi në Nju Jork dhe për 35 vjet e u pa të endej në Grënwich Village i veçuar, i rrënuar ose, siç thonë, i damkosur nga tri “P”: Papunë, Pastrehë, Pijanec, si të ishin pronarë që e mbanin të mos ngrihej. Raskapitur, ai dukej i pavlerë dhe jetoi si i tillë mes atyre që psherëtinin për vitet e humbura, gënjenin veten për ato që mund të kishin bërë dhe mburreshin për ato që thonin se do të bënin, por kurrë nuk i bënë.
Xho dukej i plakur para kohe. Atij i qe bërë zakon që, sa herë takonte ndonjë të njohur a të panjohur, ta pyeste sa vjeç dukej. Hamendjet e tyre ishin midis 65 dhe 75; Xho ishte 53 vjeç. Por atij nuk i vinte keq, përkundrazi, e shikonte moshën si shenjë superioriteti. “Unë marr nga jeta në një vit më shumë sesa njerëzit e zakonëshëm marrin në 10 vjet”, thoshte ai.
Xho vishej me rroba që të tjerët i hidhnin ose ia falnin; flinte kudo; në dhomat më të lira të hoteleve më të lira, në shkallët e pallateve, në pragun e shtëpive, në stolat e lulishteve. Gjatë ditës, me një dosje nën sqetull, ai endej rrugëve, restoranteve, klubeve, takonte miq të vjetër e bëntë të rinj, në mbarë qytetin.
Baza e tij ishte Minetta Tavern në Grënwich Village. Aty ai ulej për të shkruar, pronari i jepte për të ngrënë e ndonje klient i ofronte për të pirë. Kur e pyesnin ç’donte, ai përgjigjej se parapëlqente uiski, por pranonte edhe birrë. Në vitet ’40, Gould tërhoqi vemendjen e një piktori të njohur dhe, që prej asaj dite, portreti i tij qëndron i varur edhe sot ne Minetta Tavern, krahas fotografive, skicave e pikturave të njerëzve të shquar, klientë te rregullt të kësaj taverne, herë-herë pronë e afaristëve të ndryshëm shqiptaro- amerikanë.
* * *
Xho Gould qëndronte shpesh me orë të tëra në bibliotekën e qytetit, i merrte me radhë dyqanet e librave të përdorur. Atë e kishin parë të shkruante papushim nga mesdita në mesnatë. Palarë, parruar, pakrehur, rrobet i ndërronte vetëm kur dikush i jepte të tjera, të vjetra. Shumë njerëz e ndihmonin se u vinte keq, të tjerë sepse kështu dukeshin se qëndronin më lartë se ai. Disa i jepnin për arsye që as vetë nuk i dinin, të tjerë e ndihmonin sepse besonin se libri, që ai kishte vite që thoshte se po shkruante, mund të diltë një kryevepër, dhe donin ta nxisnin të vazhdonte të shkruante.
Xho nuk ishte askushi. Më 1911 ai ishte diplomuar nga universiteti Harvard. Shumë nga shokët e tij të klasës arritën të bëheshin të suksesshëem. Ndonjë edhe kryepeshkop e kryeministër.
Si student në Harvard, Xho nuk kishte ndonjë shoqëri të zgjeruar, përveç tre shokëve të ngushtë, një prej të cilëve shqiptar. Në atë kohë, Harvardi kishte tërhequr disa shqiptarë si Konica, Çekrezi, Noli e ndonjë tjetër. Biografi Joseph Mitchell thotë se, nëpërmjet këtij studenti shqiptar, më 1914 Xho u njoh me Fan Nolin, nga i cili thuhet se u frymëzua që të bëhej një zë anglishtfolës për çështjen shqiptare në SHBA. Shqiptarët e Amerikës përbënin në atë kohë komunitetin më të ri të emigrantëve dhe kishin nevojë për miq e përkrahës për çështjen e tyre.
Xho krijoi një fond për Shqipërinë dhe filloi t’u dërgonte letra të gjithë të njohurve të tij, duke u kërkuar të ndihmonin financiarisht për çështjen shqiptare. Ai krijoi në Boston edhe shoqatën Miqtë e pavarësisë së Shqipërisë dhe u lidh me redaksitë e gazetave të njohura amerikane, duke u kërkuar të botonin shkrime e komente, që përgatiteshin nga Noli, mbi Shqipërinë. Kjo ishte koha e luftrave ballkanike; Shqipëria e djegur ndodhej në prag të copëtimit; mijëra refugjatë e të shpërngulur kishin nevojë për ndihmë; bota ndodhej në prag të Luftës së Parë. Dhe ndërsa Xho Gould u kërkonte amerikanëve të kontribuonin për çështjen, Fan Noli nga ana e tij u drejtohej shqiptarëve. Ishte pikërisht periudha kur Noli shkroi edhe poezinë e njohur “Jepni për nënën”, që kishte për qëllim mbledhjen e ndihmave financiare: ”Sa kërkon e sa të duhen?/ Burrat nga detyra s'druhen, /Trimi i mirë do t'të japë, /Sot me vrap e nesër prapë. /Hidhni, Hidhni tok dollarë, /Të mos mbetemi të sharë.”
Xho Gould qëndroi përkrah Nolit e shqiptarëve të Bostonit deri më 1916, kur vendosi të shkonte në Nju Jork, ku për disa vite punoi si gazetar. Një numër përsiatjesh që ai shkroi gjatë kësaj kohe, patën ndikim të thellë te shkrimtarë e poetë të njohur amerikanë. Më 1920, E. E. Cummings i kushtoi një poezi, ndërsa Saroyan, në atë kohë njëzet vjeçar e që përpiqej të çante rrugën si shkrimtar, tregon se kur lexoi një ese të Gouldit, u lehtësua e sikur u çlirua nga shqetësimi rreth formës. Për shkrimtarin a gazetarin, shkruante Gould, kryesorja është të thotë ç’ka për të thënë, sepse kur vjen koha për të thënë patjetër diçka, forma nuk ka rëndësi.
* * *
Por jeta e tij ndryshoi, jo për mirë, kur i lindi ideja se bota kishte nevojë për një histori ndryshe, informale, dhe vendosi ta shkruante. “Ideja për një histori të tillë”, tregon Gould, “më erdhi në orën 10:30 dhe, më 10:45, telefonova redaksinë e gazetës ku punoja dhe i thashë së nuk vij më.” Për një histori të tillë, atij i duhej të endej për të patur mundësi të takonte e të bisedonte me sa më shumë njerëz. Në këtë drejtim ai punoi afro 30 vjet. Librin e quante “Histori gojore”, ndonjëherë shtonte “e kohës sonë”. Pjesa e parë e librit do të përmblidhte përsiatje, ndërsa pjesa tjetër bisedat e zbardhura, që ai kishte dëgjuar lart e poshtë dhe që mendonte se ishin me vlerë. Xho kishte një kujtesë të çuditëshme. Ai mund të harronte një bashkëbisedim që kishte dëgjuar një ditë më parë, dhe mund të riprodhonte fjalë për fjalë një bisedë interesante, që kishte dëgjuar kalimthi vite të shkuara.
Xho mendonte se çdo gjë, ngjarje, fjalë a veprim, varet nga mënyra se si interpretohet; dikush mund ta kuptojë fjalën ashtu siç thuhet, ndërsa të tjerë hyjnë nën të dukshmen dhe marrin kuptimin e thellë të saj. Një njeri mund të dëgjojë dy pleq që flasin e biseda t’i duket e mërzitshme, një tjetër dëgjon të njëjtën bisedë dhe gjen në të kuptmin e thellë historik. Ky ishte pak a shumë argumenti që Xho Gould përdorte ndaj atyre, që shprehnin mosbesim. “Në të ardhmen”, thoshte ai, “ky libër do të lexohet për të kuptuar se ku gabuan njerëzit e kohës sonë, njësoj siç lexohet sot “Rënia e Romës” e Gibonit për të parë se ku gabuan romakët.” Ai thoshte gjithashtu se libri i tij ishte sa dhjetë bibla së bashku, por nuk besonte se do të botohej sa ishte gjallë. 2/3 e dorëshkrimeve, ai thoshte se do t’ia linte universitetit Harvard dhe 1/3 institutit Smithsonian. Më 1942, Muzeu metropolitan i Nju Jorkut i hoqi veprat kryesore të artit nga ekspozita dhe i magazinoi në bodrume e strehime të nëndheshme, nga frika e bombardimeve. I shtyrë nga e njëjta frikë, Xho Gould i ndau dorëshkrimet e tij në shumë pjesë, i paketoi dhe i fshehu në vende të ndryshme.
Xho vdiq më 1957, në moshën 68 vjeçare. Menjëhere pas varrimit, miqtë e tij filluan kërkimet për të gjetur dorëshkrimet e Historisë së tij gojore. Pas disa ditësh, ata arritën të gjenin disa poema, pjesë esesh e ndonjë shënim. Pas një muaji gjetën edhe disa letra të tjera. Më pas asgjë; asnjë nga fletoret e mbushura me shkrimet e tij. Vështirë të thuhet se si qëndron e vërteta. Shumë nga ata që besonin në ekzistencën një historie të tillë, kanë hequr dorë ose nuk janë më dhe misteri rreth “Historisë gojore” vazhdon. “Joe Gould’s Secret”, filmi rreth jetës së tij, shfaqur vitet e fundit, lë të kuptohet se “Historia gojore” ekzistonte vetëm në mendjen e Gouldit, dhe për 30 vjet ajo mbeti vetëm ide. Por kush mund të bënte më shumë në kushtet e një jete si e tij?
PROFIL Faqe 19. (Foto e autorit te shkrimit, foto e poetit Rrahman Dedaj, një foto e madhe nga Prishtina, te shkruhet brenda saj: Prishtinë.)
Simbolika e nënqeshjes së trishtuar
Duke vëzhguar ecurinë e poezisë së Rrahman Dedajt nga një libër në tjetrin, nuk është e vështirë të bindesh sa për rritjen e shkallëshkallshme të mjeshtërisë dhe thellimin e individualitetit të tij krijues, aq edhe për koherencën ideoartistike të poezisë së tij. Uniteti i theksuar i strukturës përmbajtësore e stilistike të krijon përshtypjen sikur ai varion nëpër shtratin e poezisë të njëjtat ide të trajtuara nga kënde e kahje të ndryshme, të njëjtat stilema e mënyra të procedimit artistik.
E ndërtuar me kontraste, antiteza, antonime, me pohime e mohime shpesh dhe brenda një sindagme, poezia e Rrahman Dedajt strukturohet e krijohet kështu nëpërmjet kontradiktave dhe ekziston nëpërmjet tyre. Prej këtej dalim te një tipar tjetër i saj: Kemi një simbiozë të vetëdijshme të konceptimit lirik me atë dramatik të motiveve e temave, por gjithmonë brenda karakterit mbizotërues meditativ. Me të drejtë kritika letrare ka vlerësuar në poezinë e tij pasurinë e simboleve, që funksionojnë si një sistem i organizuar dhe që marrin vlerë semantike brenda këtij sistemi.
Ironia në poezinë e Rrahman Dedajt, edhe pse është e kujdeshme dhe e matur, ka funksione të ndryshme ideore e stilistike. Ironia ndaj njerëzve të vet, pra dhe ndaj vetes, kthehet në një nënqeshje të trishtuar, kur poeti vëren ngarkesat e papëlqyeshme të së kaluarës ose të së huajës që rëndojnë mbi ndërgjegjen e tyre dhe kushtëzojnë veprime e sjellje që bien ndesh me frymën e kohës, ose janë në kundërshtim me interesat e tyre jetike. Në çdo rast, ironia shfaqet në emër të së vërtetës dhe aspak si një pozicion komod i distancuar i një poeti, që e kundron botën me sy mefistofeli.
Sazan GOLIKU
Rrahman Dedaj (1938 – 2006) është një nga poetët e Kosovës, për veprën e të cilit është shkruar më së shumti nga kritikë letrarë me emër, me përvojë e të rinj. Poezia e tij është shqyrtuar, vlerësuar e interpretuar nga anë e kënde të ndryshme, nga pozita ideoestetike e kritere te ndryshme, por të gjithë pajtohen për vlerat cilësore të saj, duke e radhitur poetin ndër më të shquarit në poezinë e sotme shqiptare.
Duke vëzhguar ecurinë e poezisë së Rrahman Dedajt nga një libër në tjetrin, nuk është e vështirë të bindesh sa për rritjen e shkallëshkallshme të mjeshtërisë dhe thellimin e individualitetit të tij krijues, aq edhe për koherencën ideoartistike të poezisë së tij. Uniteti i theksuar i strukturës përmbajtësore e stilistike të krijon përshtypjen sikur ai varion nëpër shtratin e poezisë të njëjtat ide të trajtuara nga kënde e kahje të ndryshme, të njëjtat stilema e mënyra të procedimit artistik.
Të thuash se poezia e Dedajt ka denduri figuracioni, ky është një konstatim i drejtë. Të zbulosh se sa e si ka ndikuar kjo denduri në viskozitetin e strukturës e të shprehjes artistike, pra në qartësinë e perceptueshmërinë e tekstit poetik, ky është problem, zgjidhja e të cilit kushtëzon dhe vlerën reale të kësaj poezie. Prandaj, pa hyrë në brendësi, pa njohur simbolet (sidomos ato vetjake) e stilemat e poetit, nuk mund të hapësh dot portën e krijimtarisë së tij. Ky çelës gjendet, po t’i kundrosh nga afër e me kujdes shtresat strukturore të poezisë.
* * *
Metaforizmi i shprehjes poetike me anë të kompleksitetit të tropeve e figurave të tjera stilistike, përdorimi i simboleve të njohura e vetjake me funksion përgjithësues e formal, aktivizimi i ironisë dhe i shprehjeve paradoksale, të gjitha këto karakterizojnë në mënyrë eksplicite, ku më shumë e ku më pak, stilin e kësaj poezie. Këtë mund ta shpjegojmë me prirjen vetjake, por dhe me kushtet e rrethanat në kohë e në hapësirë të krijimit.
Trajtimin e përanshëm të lëndës poetike mund ta quajmë tipar themelor të stilit të autorit. Me qetësi dramatike e urtësi pleqërore, me lëndë kombëtare e konceptim modern të shprehjes artistike, Rrahman Dedaj ka krijuar fizionominë e vet artistike për nga temperamenti e smilari artistik. Lumi i tij poetik nuk rrjedh asnjëherë furishëm, me valë e shkumë. Në sipërfaqe vërtet duket i qetë, por duhet të kridhesh në thellësitë e tij për të ndierë rrymat e vorbullat, fuqinë tronditëse që vetëm sa ravizohet sipër. Vetë përmbajtja, ruajtja e ekuilibrit midis shprehjes së ndjenjave dhe gjykimit të heroit lirik ose vetë poetit është sa aftësi, aq dhe prirje e autorit.
“Patetiken midja s’ma pranon”, shprehet poeti në vjershën “Monologu”, ashtu siç nuk pranon dhe tonet e ngjyrimet retorike.
Gjithashtu, mund të thuhet se i ka zhdukur elementet rrëfimtare të ligjërimit. Saturimi i vargut, por edhe i gjithë strukturës së poezisë, duke pasur për bazë simbolin, metaforën, shprehjet metaforike dhe metaforat e simbolizuara, bën që lakonizmi i formave të ligjërimit dhe dendësia e përmbajtjes ideoemocionale të arrijnë një pikë ngjizjeje, por duhet thënë se herë-herë edhe një pikë kritike djegieje.
E ndërtuar me kontraste, antiteza, antonime, me pohime e mohime shpesh dhe brenda një sindagme, poezia e Rrahman Dedajt strukturohet e krijohet kështu nëpërmjet kontradiktave dhe ekziston nëpërmjet tyre. Prej këtej dalim te një tipar tjetër i saj: Kemi një simbiozë të vetëdijshme të konceptimit lirik me atë dramatik të motiveve e temave, por gjithmonë brenda karakterit mbizotërues meditativ.
Studiuesi e kritiku Rexhep Qosja vëren se “duke filluar prej përmbledhjes së parë “Me sy kange”, miti, folklori, magjia, dhe, rrjedhimisht, simboli i kulturës popullore do të ketë rëndësi gjithnjë e më të madhe në krijimtarinë poetike të Rr. Dedajt”. Këto elemente, duke mos pasur vetem funksione thjesht formale, kanë ndikuar në njëfarë shkalle edhe në mënyrën e strukturimit të kësaj poezie, pra, janë kthyer në elemente karakterizuese. Me të drejtë kritika letrare ka vlerësuar në poezinë e tij pasurinë e simboleve që funksionojnë si një sistem i organizuar dhe që marrin vlerë semantike brenda këtij sistemi.
Shpesh, simbolet e njohura bëhen simbole kontekstuale, por edhe këto përdoren me konotacione ose nuanca konotacionesh të ndryshme. Ky prosede, nga njëra anë shton vlerat polisemantike të fjalëve të ngritura ose të përfytyruara si simbol, nga ana tjetër kjo lëvizshmëri shpesh e vështirëson kapjen e atypëratyshme të idesë së poezisë.
Simbolet vetjake të ndërthurura me metafora të shumëfishta, kapërcimi e shkëputja e mendimit nga strofa në strofë ose dhe brenda strofës, nuk mund të mos i bëjnë një pjesë të poezive të vështira për t’u shijuar e perceptuar si një e tërë.
* * *
Ironia në poezinë e Rrahman Dedajt, edhe pse është diskrete dhe e matur, ka funksione të ndryshme ideore e stilistike. Diku përcakton qëndrimin e poetit ndaj një dukurie negative ose të papranueshme. Diku tjetër ndihet si shprehja e keqardhjes ndaj një gjendjeje të caktuar, por që poeti e shoqëria aktualisht nuk mund ta ndryshojnë. Ironia ndaj njerëzve të vet, pra dhe ndaj vetes, kthehet në një nënqeshje të trishtuar, kur poeti vëren ngarkesat e papëlqyeshme të së kaluarës ose të së huajës që rëndojnë mbi ndërgjegjen e tyre dhe kushtëzojnë veprime e sjellje që bien ndesh me frymën e kohës, ose janë në kundërshtim me interesat e tyre jetike. Poeti e ndërton disa herë ironinë me anë të përqasjes apo kundërvënies së fakteve, që mohojnë njëra-tjetrën. “Europa fle nën ombrellë” (edhe pse poeti nuk e thotë, po merret me mend se është fjala për ombrellën atomike)/ e zgjohet si fëmijë i frikësuar me këmishë të reckosur”. Çdo vit vdesin 50 milionë njerëz nga uria, jep faktin e thatë poeti, ndërsa “bota ndërron lëkurën/ dhe trillon zot të hijshëm/ që të kthehet besimi”. Kështu, në çdo rast, ironia shfaqet në emër të së vërtetës dhe aspak si një pozicion komod i distancuar i një poeti, që e kundron botën me sy mefistofeli.
Duke i qëndruar kurdoherë besnik trajtimit të përanshëm të lëndës poetike, Rr. Dedaj përdor jo rrallë edhe paradoksin në harmoni me ironinë e metaforikën e dendur, po dhe në funksion të tyre: “Mbylli veshët me dyll/ dëgjoje fishkëllimën në pyll”, “n’tym/ mundeni me lehtë ta lexoni/ emrin tim”, “Të pishë ujë në këtë krua/ etja gjithnjë më e madhe”. Shpjegimi dhe qëllimi i vargjeve paradoksale mund të kuptohen disa herë vetëm në kontekstin e poezisë, jashtë këtij konteksti mund të tingëllojnë absurdë.
Një tipar, që bie menjëherë në sy, është edhe karakteri aforistik i mjaft vargjeve. Flakja e pjesëve të tepërta të fjalisë, ngjeshja e shtrydhja në maksimum për të mbetur në varg ajo që është thelbësore, e kanë çuar drejt formave lakonike të shprehjes. Po ky tipar, më tepër se pasojë, është synimi i vetëdijshëm. Në qoftë se me “shkapërderdhjen” e “fragmentarizmin” poeti, herë-herë, sikur shkërbën ëndrrën, me shprehjet aforistike gati të gurëzuara sikur shkërbën proverbat, kapuçat, gjëegjëzat që burojnë aq natyrshëm, me rimë e pa rimë, nga goja e popullit.
Ky tipar do të ishte shprehje e një cerebraliteti të pashpjegueshëm, sikur vargjet të mos ishin konstrukte të mirëfillta poetike me konceptim e mjete figurative adekuate: “Nënshkruan me gisht/ e fshin me bisht”, “Mundohesh të mbash rërën/ s’e zë as ujin, as rërën”, “Zogjtë vetëm kur fluturojnë/ i përngjajnë lirisë”, “Kryeneçësia vepron me kalë/ urtësia vazhdon në këmbë”.
Gjatë ligjërimit poetik, në poezi të ndryshme Dedaj kalon sa në vetën e parë njëjës, ku shpesh identifikohet me heroin lirik (“Unë jam ai kalorësi i erërave të kuqe/ që gjithmonë ka vrapuar/ më shpejt se dhimba e vet”), në vetën e parë shumës (“Mund të na marrin valët/ të mbesim pa mendime./ Si të kthejmë nga harresa/ me emër e mbiemër”), ku kemi shprehjen e ndjenjave, të mendimeve dhe qëndrimin e një kolektiviteti, me të cilin e njëjtëson veten poeti. Ligjërimi në vetën e dytë autorui e përdor zakonisht për të krijuar marrëdhënie të ngrohta, intime me personin ose objektin që i drejtohet (“Vetëm ty s’të pranon harrimi/ historisë s’po i vdes mallëngjimi”), por në ndonjë rast edhe për t’u distancuar prej tij (“Zbrit nga skena mik i t’paqenave/ vetëm ylli yt di të përkulet/ lulet nuk çelin në mes gishtërinjve…”). Disa herë merr trajtën e sentencës a të këshillës (“Le t’i bartë koka këmbët/ jo këmbët kokën”, ose “Mashtrimi le të luajë/ me zemrnë e vet/ e ti mos vë pikë ku duhet të vazhdosh”).
Kush është personi që i drejtohet poeti me “ti”? Lexuesi, njeriu që ai do, i njëjtë me gjakun e tij dhe që ka besim tek ai? Autori nuk e thotë për ta zgjeruar gamën që do të përfshinte dëftori “ti”. Ligjërimi në vetën e tretë, që është më i shpeshtë, zakonisht përdoret kur poeti përsiat rreth një dukurie ose objekti. Në funksion të brendisë, ligjërimi kapërcen nga veta e tretë në vetën e parë, nga veta e parë shumës, në vetën e dytë njëjës etj. edhe brenda një poezie.
Rrahman Dedaj nuk ka paragjykime lidhur me vlerën e metrave e mjeteve te tjera metrike, megjithëse vargu i lirë mbizotëron në të gjitha përmbledhje e tij poetike. Edhe në ato poezi ku kemi vargje të rregullta të çlirta, rimat mungojnë, ashtu siç shfaqen befas rimat e puthura edhe mes vargjeve të lira.
MOZAIK
Kur të rrihnin me shkopinj
(Nga dosjet e sirtarët)
Dhori QIRJAZI
Po i jap “albanias së vogël” disa poezi të pabotuara as në shtyp, as në librat e mi prej shumë vitesh. Secila ka datën kur është shkruar. Disa nga ato u inkuadruan në librin tim “Të fala botës”, ku vendin e parë e zinin lirikat erotike dhe disa prej tyre ishin direkt intime. Kjo temë u bë shkak që ai libër të mos botohej. Më e keqja është se unë tani nuk e kam të plotë atë libër, i cili shkoi dorë më dorë dhe nuk e di se kush e ka e ku qëndroi. Rastësisht, disa kohë më parë, znj. Meri Lalaj më recitoi një prej tyre dhe iu luta të ma jepte me shkrim, mbasi unë nuk e mbaja mend si ajo. Kjo poezi fillonte me vargun: “Ecja në muzg, më shoqëronin drurët”. Me këtë rast, dua të falënderoj shoqen tonë të mirë, Meri. Ai libër ka shumë lirika të këtij niveli, por ishte kjo temë që e hodhi poshtë në vitin 1959. Kjo bëri që të mos kujdesem për atë më vonë. ǒmbaja mend, u botuan më 1963 në librin “Baladat intime”. Më ka mbetur peng e nuk e di pse nuk u botua atëherë edhe një baladë me temën e gruas shqiptare dhe dramën e saj të kurbetit. Tani po e jap për botim. Balada është shkruar më 1960. Në vitin 1961, në librin e radhës, kam dorëzuar jo vetëm këtë krijim, por edhe një baladë tjetër: “Balada e mullirit”, që e emërtova “Poema e mullirit”. Ky krijim nuk u botua kurrë në librat e mi, sepse u quajt krijim pacifist nga redaktorët dhe ndihmësit e tyre. Pastaj, menjëherë “u larguan” edhe dy poezi të tjera të vitit 1961: “Bisedë” dhe “Balada e qenit”, si dhe “Kënga e daulles”, me idenë se kjo vegël muzikore këndon vetëm kur e rrahin me shkopinj. Meqë edhe “Balada e vërtetë e ushtarëve” u kritikua si një poezi që shprehte keqardhjen për ata që po vriteshin në tokë të huaj, unë u vura në pozitë të shkarjes, sepse thosha atë të vërtetë të përjetshme në mbrojtje të njeriut.
Tani që po i botoj s’kam përse trembem, sepse ato janë të vërteta, paçka se kanë ndenjur 50 vjet të mbyllur në dosje e në sirtarë.
Autori
Balada e një gruaje
(Ashtu si e tregon ajo vetë)
…………………………..
Të nesërmen që me sabah
kur “miku” na kish shkuar,
im atë më thirri dhe më tha:
“Ty, mbrëmë të kemi vluar!”
Unë ika shpejt e shpejt përposh,
u fsheha nga qilari;
nuk di se si u ndodha bosh,
ja shkrepa një të qari.
Po shkuan ditë dhe pastaj
i vura gishtin kokës,
e thashë: “S’di përse po qaj,
të bëj hatër’e botës.”
Dhe shkuan muaj. Një nga një
plot krushq na erdhë një ditë,
më thanë dil e shih Atë
më dhanë dhe një sitë.
Sa u mundova, po më kot,
pas sitës në dritare,
e cili ish? S’e pashë dot,
e kisha humbur fare.
Më thanë: “Ja, ay atje,
shikoje, sa i mirë,
ka hedhur gunën supeve
(si duket paska ngrirë).
Po unë prapë s’e pashë dot
e kisha humbur unë,
pastaj, oborri ishte plot
me shargje dhe me gunë.
U bëra nuse… (Eh, sa vrer
gëlltite, o e ngratë,)
s’më deshi vjehrra, as im vjehrr,
dhe as ime kunatë.
E pse, s’e dija kush kish faj,
mendohesha me vehte;
më pas tim shoq me zor babai
e nisi në kurbete.
Dhe që ahere shkoi im shoq
me lulet në pranverë,
dhe që ahere më s’u poq
me mua dhe njëherë.
Shum’ vjet e prita un’ atë,
shum vjet, e mjera unë,
një nat m’u duk sikur me zë
më thirri dhe në gjumë.
U ngrita. Pashë rreth e qark,
kish vetëm errësirë;
trokiste shiu në çardhak
dhe qante er’e ngrirë.
Po qysh ahere shkuan vjet,
po, shkuan shumë vjete,
më ngjan ay se më thërret
kudo që shkoj e vete.
Sikur më thotë: Jam këtu,
në prak, sapo në derë,
sikur më thotë: jam këtu,
me erën i përzjerë.
Edhe s’më shfaqet. S’di se pse,
se ndofta më sheh plakë,
a ndofta fare nuk më njeh
dhe turret ec’e jakë…
1960
Bisedë
Përse dritaret i kemi kaq të ngushta
o nënë e dashur, dhe hekura u kini vënë?
Hajdutët ç’do të na merrnin,
të varfër ne a s’kemi qenë?
A s’flinim ne në dyshemenë e zhveshur
dhe derën s’mund ta mbanim fare hapur?
Vërtet stërgjyshët kështu a s’e kanë lënë?!
Dhe nëna tha: Në të vërtetë s’e di për çfarë më pyet
Ndofta, o djalë, të mbetet ty t’i thyesh!
10 nëntor 1961
Kënga e daulles
Daulle, prapë të rrahin me shkopinj
dhe zërin ta dëgjoj si nget me tmerr;
e vetme je që rrihesh e këngë merr.
E çmendur je, e çmendur zemërngurtë
Kështu i nis ti njerëzit për në luftë!
15. 9. 1961
Baladë për qenin
Po pse po leh o qen në errësirë,
bariu e shtroi gunën, a s’e sheh?
e kurse ti gjithnjë po rri e leh!
Më kot kreshpërohesh. Egërsira
e di që je i lidhur, përse po unguron?
Shiu të lag e s’ka mëshirë
po ti i dëshpëruar po leh dhe leh!
1. 12. 1961
Në takim
E dashur, je ngritur këtë mëngjes më parë
ëndrra të bukura të zgjosh në trotuarë!
Me taka të larta
me buzë të kuqe
si mjergull e bardhë
do vish ti që tutje!
Era do të fryjë në të vjeshtës drurë,
retë do bien mbi pellegjet me ujë
dhe ti mjergull e bardhë mbi ta do lëkundesh.
E dashur, do ecësh ti në trotuarë
në erën e vjeshtës që bredh si e marrë
me pardesy mbi supe,
si mjergull e bardhë do vish ti që tutje!
Me sy të mëdhenj, me flegra të hapura
do nuhatësh ajrin nga shirat të larë!
Atëhere ca sy të qetë, kalimtarë,
do shohin tek ty një grua me borsetë.
Flokët e tu gështenjë, të verdhë,
era e vjeshtës me krëhër do t’i krehë,
të bruztët flokë era do t’i shprishë;
e dashur, tani s’je nisur për në kishë,
po në takim me mua në poemë!
Krifën e kuqe ngrenë drurët e artë,
takat përpiqen të të ngrenë më lartë;
vështrimin mbi vargje ke hedhur,
vargjet mbi letër të mbetur...
Vargjet janë gurë të zemrës!
Vargjet nuk janë veç heshta,
skelete ushtarësh përmbiellë,
vargjet, e dashur, s’janë rërë,
vargjet, e dashur, janë dielli!
Gusht, 1962.
Ecja në muzg
Ecja në muzg,
më shoqëronin drurët
pluhur i verdhë në çdo vend,
të thirra ty,
po rruga ish e shurdhët
dhe hapësirat gëlltitën emrin tënd!
Dhe ishte natë,
frynte erë në drurë,
ku ishe ti, s’e merrja dot me mend;
të thirra ty,
po rruga ish e shurdhët
dhe hapësirat gëlltitën emrin tënd!
1959
Ti
Ti do të shkosh prej meje e etur
në rrugë të tjera, dashuri të tjera;
si hirin e djegur do shpërndajë era
netët jetime që shkuam pa fjetur.
Ti do të shkosh prej meje në botë
pa ankth të zakonshëm, pa fjalë të prera,
pa hije mendimesh, pa lot e të tjera:
gjithmonë e dashur, gjithmonë e ngrohtë!
1963
11 Gusht 2008