E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dy tutorë dënohen me 18 vjet burg

00/00/0000  Shfrytëzuan një 23-vjeçare, nga Fieri, 6 vjet në Greqi dhe Itali

Fier – Gjykata e Fierit ka dënuar dje me 18 vjet burg dy të

pandehur, të akuzuar për veprën penale të shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese. Neritan Cjapi dhe Ervis Kostandini, janë dënuar respektivisht me nga 10 dhe 8 vjet burg, pasi, nga viti 1997 deri në vitin 2003, kanë shfrytëzuar si prostitutë, në kohë të ndryshme, në Greqi dhe në Itali, një 23- vjeçare nga një fshat i Fierit.

Shfrytëzimi

Gjatë shqyrtimit gjyqësor rezultoi se ngjarja ka ndodhur në vitin 1997, ku i pandehuri Neritan Cjapi ka mashtruar shtetasen me inicialet S.M., duke i premtuar martesë. Edhe pse vetë ishte i martuar dhe me fëmijë, e mori të dëmtuarën jashtë shtetit dhe e dërgoi në Greqi. Në kryeqytetin helen, ai e ka detyruar të ushtrojë profesionin e prostitutës, duke përdorur forcë fizike dhe psikike mbi të. Nga puna e saj si prostitutë, i pandehuri ka nxjerrë përfitime materiale. Në Athinë ka qëndruar disa muaj dhe është larguar prej të pandehurit Neritan Cjapit, kur kishte mësuar se "i dashuri" i saj do ta shiste te një i moshuar grek. Ajo është dorëzuar në polici dhe këta të fundit, pas një jave, e kanë shoqëruar të dëmtuarën në Kakavijë. Ndërkohë, vajza ka marrë në telefon të pandehurin tjetër, Ervis Kostandini, të cilin e kishte njohur para ca kohësh në Greqi dhe ky i fundit, duke përfituar edhe nga gjendja e rëndë psikologjike e të dëmtuarës, duke përfituar nga fakti se ajo nuk mund të kthehet në shtëpi, e mori në shtëpinë e tij, në Fier, duke i premtuar martesë, të cilën nuk e ka realizuar.

Gjykimi

Nga gjykimi në gjykatën e Fierit është provuar se i pandehuri Ervis Kostandini e ka çuar në Itali, ku edhe pse nuk ka përdorur dhunë mbi të e ka mashtruar dhe e ka shfrytëzuar si prostitutë. Të ardhurat ai i përdorte për të përballuar jetën në Itali, si edhe për t’i dërguar familjes së tij. E dëmtuara ka qëndruar me këtë të pandehur prej vitit 1998 deri në vitin 2003, derisa është kapur nga policia italiane, të cilët e kanë nisur për në Shqipëri. Pas mbërritjes në atdhe, ajo ka bërë kallëzim për të dy të pandehurit, ku i ka akuzuar se e kanë shfrytëzuar si prostitutë, gjë që u provua me fakte edhe nga gjykata e Fierit. Për veprat penale të kryera, gjyqtarja Ilirjana Olldashi, e cila ishte edhe kryesuese e kësaj seance gjyqësore, pasi ka dëgjuar edhe prokuroren Violeta Shkurti, përfundimisht ka dënuar Neritan Cjapin me 10 vjet burg dhe të pandehurin tjetër, Ervis Kostandini, me 8 vjet heqje lirie.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›