E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dy tutorët dënohen 36 vite burg

26/05/2005  Trafikuan në bashkëpunim në Itali Liliana Koçin

Prokuroria e Krimeve të Rënda deklaroi dje fajtor për veprën penale të trafikut të femrave për prostitucion të pandehurit Baftjar Gjana dhe Xhevair Lusha. Për të parin u kërkua dënimi me 16 vite burg, ndërsa për Xhevair Lushën, i cili gjykohet në mungesë, u kërkua dënimi me 20 vite burg.

Akuza

Vajza për të cilën akuzohen se kanë trafikuar, quhet Liljana Koçi dhe është banuese në Sauk, Tiranë. Ndërkohë që lidhja e të pandehurve me Liljanën është bërë nëpërmjet shtetases Alma Plaku, e cila më parë ka qenë e njohur me Baftjar Gjanën. Baftjari, sipas prokurorit të çështjes, sapo ka parë Alma Plakun, ka menduar se si vajzë ishte shumë e mirë për në Itali. Kështu, pasi lidhet me Almën, Baftjari kërkon edhe një vajzë tjetër. Shoqja e tij Alma e njeh me Liljana Koçin. Një ditë, Alma së bashku me Liljanën dalin në Sauk. Aty takojnë Baftjar Gjanën së bashku me shokun e tij, Xhevair Lusha. Dy djemtë i mbushin mendjen vajzave të zbresin në Tiranë. Baftjar Gjana dhe Xhevair Lusha, të dy nga Kukësi, kanë hipur shoqet e tyre në autobusin e Vlorës. Ato janë shoqëruar nga dy djem të tjerë. Prej andej vajzat në fund të dhjetorit 2001 me gomone kanë mbërritur në brigjet e Italisë. Bashkë me Almën dhe Liljanën kanë mbërritur në Itali dhe dy vajza të tjera, njëra prej të cilave quhej Rozeta. Në Napoli, Liljana ka treguar se është takuar me Baftjarin dhe Xhevairin. Dy javë ka qëndruar në një dhomë së bashku me Xhevairin, i cili mundohej ta trajtonte si të dashur.

Tafkimi

Muajin e parë, Xhevairi e ka trajtuar shumë mirë Liljanën. Ndërsa muajin e dytë i ka thënë të dalë për të punuar së bashku me Almën. Liljana në sigurimin e provës është shprehur se nuk e dinte çfarë pune bënte Alma. Ndërsa, kjo e fundit e ka porositur të shkonte me të, sepse do ta mësonte se si të sillej me klientët. Kur Liljana ka mësuar se Alma punonte si prostitutë, ka kundërshtuar. Por pas kësaj ka hasur në keqtrajtime të shumta. Baftjari së bashku me Xhevairin e keqtrajtonin. Deri sa Liljana në këto kushte pranoi të punonte. Fitonte 700 mijë lireta në ditë. Fillimisht paratë ia merrte Alma Plaku, ndërsa më vonë i dorëzonte tek Xhevairi. Një muaj pasi kishte dalë në rrugë, Liljana shkëputet dhe në stacionin e trenit në Torino takon një djalë shqiptar, që e ndihmon për të kaluar në Belgjikë. Me të qëndron disa kohë në Belgjikë, për të kaluar më pas në Francë. Në Paris një shtetas francez me emrin Neim Gili, e merr në shtëpinë e tij. Jeton me të një vit. Sapo ka shkuar në Francë, vajza ka shkuar në ambasadën tone, duke kërkuar ndihmë. Më 20 shtator 2004, Liljana Koçi kthehet në shtëpi.

Denoncimi

Në datën 4 dhjetor 2001, babai i Liljana Koçit bën kallëzim për humbjen e vajzës. Në datën 17 shkurt 2001, kallëzimi penal pushohet për mungesë provash. Ndërsa në 7 tetor 2003, Prokuroria pranë shkallës së parë rinis edhe një herë hetimet, pasi babai i Liljanës, Muharremi, kishte marrë kontakt me vajzën, e cila i tregon gjithçka. Në 21 janar 2004, Prokuroria e Shkallës së Parë shpall moskompetencën dhe në 26 janar 2004, çështja regjistrohet te Krimet e Rënda. Liljana Koçi gjatë kohës që ka qëndruar në Itali, ka komunikuar vetëm një herë me familjen, nën ndikimin e Xhevair Lushës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›