E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ilirjan Dida rikthehet për hetime te 313-ta

26/05/2005  Transferimi pas vendimit të gjykatës së Beratit për procesin në vazhdim

TIRANË – Ilirjan Dida, dënuar me 4 vite burg nga Gjykata e Gjirokastrës për akuzën e nxjerrjes së pasaportave të falsifikuara, tashmë do të jetë para drejtësisë për një tjetër vepër penale. Nga ana e gjykatës së rrethit gjyqësor Berat, ndaj Ilirjan Didës është marrë masa e arrestit burg pa afat për veprën penale të vrasjes. Në këto kushte, Ilirjan Dida dje në mesditë është transferuar nga burgu i sigurisë së zakonshme Vaqarr, për në dhomat e paraburgimit të Repartit 313-të. Ilirjan Dida disa herë është vënë para drejtësisë për vepra të ndryshme penale. Në të gjitha rastet ka kundërshtuar. Hera e fundit kur Dida u përball me drejtësinë, ndërsa ishte duke u gjykuar në Gjirokastër, ishte kur baxhanaku i tij e akuzoi për gjobëvënie. Ai u arrestua dhe pas disa ditësh arriti të linte qelitë për të dalë në arrest shtëpie. Por nuk pati fatin e madh. Dida përsëri vihet në pranga. Ai duhej të vuante dënimin prej 4 vitesh burg dhënë nga Gjykata e Gjirokastrës. Tashmë, Dida do të merret në pyetje për një vrasje e ndodhur gjatë kohës kur ai ishte në krye të policisë së Beratit. Dida në cilësinë e shefit të policisë kishte marrë urdhër për të arrestuar disa persona të shumëkërkuar. Mes këtyre personave, gjatë aksionit mbeti i vrarë shtetasi Gjergji Bushali. Ndonëse për disa kohë kjo ngjarje mbeti në heshtje, Prokuroria tashmë është zgjuar. Dyshohet se Ilirjan Dida ka dhënë urdhër për vrasjen e Bushalit. Megjithatë, kjo mbetet ende në fazën e dyshimeve. Hetimet që do të bëhen nga Prokuroria, do të mund të zbardhin të vërtetën. Një vit më parë, Ilirjan Dida, para Gjykatës së Tiranës e ka kundërshtuar këtë fakt, por tashmë ka ndodhur e kundërta. Ai është marrë në përgjegjësi penale dhe ndaj tij Gjykata e Beratit ka marrë masën e arrestit burg pa afat. Këtë e pohoi edhe avokati i Ilirjan Didës, Asaf Hadëraj, i cili ishte në dijeni të lëvizjes së klientit të tij nga burgu i Vaqarrit në repartin e paraburgimit 313-të. Dida i shpëtoi për mrekulli akuzës së gjobëvënies. Kjo për shkak të tërheqjes së baxhanakut të tij. Ndërsa, Prokuroria ka nisur disa herë hetimet në drejtim të tij. Në të gjitha rastet kur ka dalë para gjykatës, Ilirjan Dida ka akuzuar për makinacione ministrin aktual të Rendit, Igli Toska.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›