Vrau gruan e njerkut, dënohet me 17 vite burg
26/05/2005 TIRANË – Për Alfred Myrdinin, organi i Prokurorisë kërkoi dënimin me 22 vite heqje lirie, duke e deklaruar fajtor për veprën penale të vrasjes me paramendim. Ndërsa dje, gjykata ka ndryshuar kualifikimin e veprës penale, duke e deklaruar fajtor për vrasje me dashje. Masa e dënimit zbutet. Alfred Myrdini, i cili e ka pranuar krimin, do të detyrohet të vuaj dënimin prej 17 vite burg dhënë nga gjykata. Që në fillim të seancës gjyqësore, i pandehuri e ka pranuar veprën, duke treguar edhe faktin se ka njoftuar vetë policinë. Nuk ka qenë dakord me kualifikimin e saj. Alfred Myrdini, 28 vjeç, i martuar me fëmijë, nga qyteti i Fierit, pranoi se në 25 tetor 2003 ka vrarë me dashje gruan e njerkut, Violeta Myrdini. Nuk ka pranuar se vrasjen e ka kryer me paramendim. Madje për të është kërkuar edhe kryerja e një akti ekspertize, për të përcaktuar shkallën e papërgjegjshmërisë. Sipas gjykatës, i pandehuri vite më parë ka humbur babain e tij. Kështu, nëna martohet me një tjetër burrë. Por nuk kaluan shumë vite dhe të pandehurit i vdes edhe nëna. Në këto kushte ishte i detyruar të rritej nën kujdesin e njerkut, i cili martohet me tjetër grua. Por, i pandehuri krijon familje më vete. Kontradiktat kanë lindur brenda familjes së shkartisur. Gruaja e njerkut, sipas akuzës, shpeshherë i ka rrahur fëmijët të pandehurit. Janë bërë disa sherre në familje. Por, gjithsesi, asnjëherë nuk kanë mundur të mbulohen sherret me fjalë. Në datën 25 tetor, në orën 18.00 të mbrëmjes, i pandehuri pas një sherri të gjatë me gruan e njerkut, ka marrë armën automatike që e mbante pa leje dhe ka qëlluar disa herë drejt Violeta Myrdinit. Pas kryerjes së vrasjes, i pandehuri nuk është larguar nga vendi i ngjarjes.