E Hënë, 2 Nëntor 2026

Prioritetet e mia janë urbanizimi, punësimi dhe arsimi

26/05/2005  Kush është Ermelinda Meksi

Ermelinda Meksi është ministre e Integrimit Evropian të Republikës së Shqipërisë dhe Kryenegociatore e Shqipërisë për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian. Përpara këtij posti, Meksi ka qenë zëvendëskryeministre dhe ministre Shteti për Integrimin Evropian nga korriku deri në dhjetor 2003 dhe nga viti 1997 deri në vitin 2002, ministre e Ekonomisë, ministre e Bashkëpunimit Ekonomik dhe Tregtisë dhe ministre Shteti për Zhvillimin Ekonomik.

Në këto pozicione, Meksi ka drejtuar negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim- Asociimit me Bashkimin Evropian, me programimin, koordinimin dhe monitorimin e ndihmës së huaj në Shqipëri, me hartimin dhe zbatimin e politikave tregtare dhe analizave ekonomike si dhe me politikat e menaxhimit dhe privatizimit të pronës shtetërore.

Gjatë kësaj kohe Meksi ka qenë edhe Koordinatore Kombëtare e programeve të Bashkimit Evropian dhe Kombeve të Bashkuara, Koordinatore Kombëtare e Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore si dhe Guvernatore e Shqipërisë në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Bankën Evropiane të Investimeve dhe Bankën Islamike të Zhvillimit. Ajo ka drejtuar organizimin e tre Konferencave të Donatorëve për Shqipërinë (Bruksel 1997, 1999 dhe Bukuresht 2001).

Ermelinda Meksi ka qenë Kryenegociatore e Shqipërisë në procesin e anëtaresimit në Organizatën Botërore të Tregtisë, i cili u krye me sukses në shtator 2000. Përpara vitit 1997, ajo ka qenë eksperte e Këshillit të Evropës për çështjet demografike si dhe lektore në disa universitete në Itali, SHBA, Belgjikë dhe Irlandë.

Ajo është diplomuar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës, në vitin 1979. Nga viti 1980 deri në 1992, Meksi ka qenë pedagoge në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës, në degën e demografisë dhe statistikës. Ajo mban titullin Profesor, ka dy doktoratura, njërën në demografi nga Universiteti La Sapienza, i Romës dhe tjetrën në statistikë, si dhe ka mbaruar disa kurse pasuniversitare. Gjatë këtyre viteve, ajo ka botuar një numër të konsiderueshëm librash, tekstesh shkollore dhe artikujsh, të cilët janë botuar në Shqipëri dhe jashtë saj. Ajo zotëron shumë mirë gjuhët angleze dhe italiane si dhe ka një njohje të mirë të gjuhës frënge. Ermelinda Meksi është bashkëthemeluese e Partisë Socialiste në vitin 1991 dhe deputete e Kuvendit të Shqipërisë që nga viti 1992. Ajo është e martuar dhe ka një fëmijë.

Zonja Meksi si kandidate për deputete e Partisë Socialiste, cila është platforma elektorale dhe strategjia për zhvillimin e zonës 35?

Fillimisht do të dëshiroja të përshkruaja me pak fjalë evoluimin e shpejtë urban, të zonës elektorale nr.35, ku unë kandidoj për zgjedhjet e 3 korrikut. Deri në fillim të viteve ’90-të, territori i zonës elektorale nr.35 përfshinte objekte banimi deri në pesë kate, si edhe ndërtesa njëkatëshe. Pas viteve ’90-të, kjo zonë iu nënshtrua një zhvillimi urban intensiv në të gjithë shtrirjen e saj, si pasojë e ‘bumit’ të ndërtimeve shumëkatëshe të banimit, sidomos në rr. «Medar Shtylla» dhe të shtëpive-vila nga 1-4 kate në zonat e Kopshtit Botanik, të atij Zoologjik, Kompleksit ‘Dinamo’ e në Selitë. Në krahasim me vitin 1990, popullsia e zonës është katërfishuar. Në Mars 2005 popullsia e kësaj zone arriti në rreth 48.000 banorë. Kjo shtesë popullsie përbëhet nga të ardhurit nga fshatrat përreth Tiranës, nga rajonet jugore të Shqipërisë si: Fieri, Tepelena, Skrapari, Berati etj. Siç shihet, sfida ishte dhe mbetet mjaft e madhe për të mundësuar që tërë këta banorë të kenë ujë e energji të bollshme, rrugë dhe kanalizime, shkolla e kopshte për fëmijët e tyre, ambulanca e qendra shëndetësore, parqe e lulishte etj. Si deputete e zonës 35 së Tiranës së Re, unë kam patur dhe kam ide mjaft të qarta për zhvillimin harmonik të kësaj zone, si një hapësirë urbane me zhvillim dinamik ekonomik e social në vitet e fundit. Kjo zonë tashmë i ka tejkaluar fazat e emergjencës apo të tranzicionit dhe është në një proces zhvillimi të shpejtë, ndryshimesh të dukshme pozitive, nga dita në ditë. Si kandidate për deputete për legjislaturën e ardhshme, ofroj të gjithë sigurinë dhe garancinë përpara elektoratit tim, se do të angazhohem me të gjitha mundësitë për realizimin e objektivave kryesore të platformës time elektorale, falë edhe politikave të qëndrueshme zhvillimore të qeverisjes së tashme socialiste dhe shpresoj edhe të ardhshme. Duke iu përgjigjur kërkesave të banorëve, gjatë periudhës 2000-2005, janë përfunduar shumë projekte që kanë sjellë më shumë rrugë, më shumë furnizim me ujë, më shumë energji, shkolla më të mira, për të cilat janë dëshmitarë vetë banorët e zonës 35.

Ajo që unë i ofroj elektoratit tim, nuk janë premtimet boshe, që janë absolutisht jashtë natyrës time, përkundrazi, unë ofroj angazhim maksimal për të realizuar ato që premtoj. Këtë që po them e vërteton më së miri aktiviteti im politik dhe në fushën e qeverisjes jo vetëm gjatë katër viteve që shkuan, por që nga dita e parë e përfshirjes time në skenën politike shqiptare. Gjatë gjithë këtyre viteve, jam përpjekur me të gjitha energjitë e me të gjitha kostot përkatëse, ta përfaqësoj sa më denjësisht zonën tonë elektorale, duke realizuar shumëfishin e premtimeve të dhëna.

Cilat janë prioritetet tuaj për zonën?

Prioritetet e mia si politikane dhe kandidate për deputete janë të shumëfishta, që nga integrimi i Shqipërisë në strukturat Euroatlantike, forcimi i shtetit të së drejtës dhe ekonomisë së tregut, duke ofruar më shumë mbështetje ndaj iniciatives së lirë private, duke përmirësuar kështu mjedisin për zhvillimin e biznesit e deri te projektet infrastrukturore, arsimi e shëndetësia, që do të vazhdojnë të jenë fusha prioritare për mua dhe banorët e zonës që përfaqësoj edhe në të ardhmen. Në vitet e ardhshme konkretisht synoj realizimin e kërkesave të banorëve të Zonës Elektorale 35, mbështetur në planin e zhvillimit urbanistik të zonës, ku ndërhyrja ime do të përqëndrohet në të gjitha fazat e zhvillimit të saj. Ndër këto investime të ardhshme mund të përmend psh., rikonstruksionin e rrugëve “A.Frashëri”, “V.Pasha”, “B.Curri” dhe “I.Tomini”, ndërtimin i ujësjellësave në Selitë-Qendër, të një centrali të ri telefonik, zgjerim-asfaltim të rrugëve ekzistuese, ndërtimi i parqe-lulishteve në zonën e Vilave e Serave etj. Të gjitha këto investime do të kryhen si gjithnjë në konsultim dhe bashkëpunim të ngushtë edhe me strukturat përkatëse të pushtetit lokal.

Me këtë rast, nëse më lejoni, dëshiroj t’ju drejtohem votuesve të zonës 35, në emër të punës dhe bashkëpunimit intensiv që kemi patur së bashku gjatë 8 viteve të shkuara. Si përfaqësuese e PS dhe e alternativës progresiste që kjo parti ofron, ju bëj thirrje që ndërsa shikoni dhe vlerësoni me gjakftohtësi e pa paragjykim, pikën apo ‘kilometrin zero’ se nga u nisëm dhe se çfarë kemi bartur nga e kaluara dhe nga keqqeverisja e mëparshme ‘blu’, se çfarë arritjesh kemi realizuar deri më sot dhe se çfarë sfidash të reja na presin përpara, do të ishte gjëja më e mirë e mundshme për ju dhe familjet tuaja, për fëmijët tuaj, që të votonit për përfaqësuesin e PS, me qëllim që vendi të progresojë edhe më tepër përpara, që objektivat që i kemi vënë vetes në planin afatmesëm e afatgjatë të jenë të arritshme, të prekshme dhe të mundshme, jo vetëm për brezat e ardhshëm, por edhe për brezin tonë. Prandaj edhe motoja dhe njëkohësisht thirrja ime në këtë pragzgjedhjesh është: “Të qeverisim së bashku që ritmi të mos ndalet dhe të mos kthehemi më prapa”!

Zonja Meksi, si i vlerësoni kandidatët e partive të tjera që keni përballë në këto zgjedhje?

Jam e prirur që të respektoj gjithmonë frymën dhe parimin themelor të një fushate elektorale, e cila bazohet në respektin dhe transparencën ndaj rivalëve të të gjitha forcave të tjera politike.

Projekte të realizuara në zonën nr. 35:

1.Rikonstruksioni i rrugës në Selitë të Vogël.

2.Rrugët: "Vasil Shanto", "Irfan Tomini", "Gjik Kuqali", përmirësime në rrugën "Bajram Curri".

3.Me fondacionin SOROS, shkollat "Sabaudin Gabrani" dhe "Vasil Shanto",

4.Përmirësime të dukshme në furnizimin me energji elektrike në Selitë-vendosja e nënstacionit 220 kV,

5.Janë vendosur me mijera numra të rinj telefoni dhe janë në proces lidhje kontratash të reja për një numër të konsiderueshem banoresh të zonës.

6.Ujrat dhe kanalizimet janë në gjendje shumë më të mirë se katër vjet përpara.

7.Rikonstruksioni rr. “Grigor Heba” dhe rr. “Irfan Tomini”

8.Rikonstruksioni rr. "Sami Frasheri"

9.Ujësjellësi në lagjen e vjetër Selitë;

10.Rikonstruksioni i rrugës Tirana e Re - Selitë;

11.Zgjerimi i rr. “Sulejman Delvina”

12.Rruga blloku “Ndërtim Vila”

13.Rikonstruksioni i ndërtesës së Fakultetit Juridik dhe Shkenca Sociale

14.Vendosja e transformatorit 400 kV Selitë

15.Linjë elektrike 20 kV në zonë

16.Trasformatorë te Selita 3 dhe lagjes Xhafajve.

17.Ka përfunduar faza e parë e përmirësimit të infrastrukturës së bllokut “V.Shanto”;

18.Rehabilitimi i rrugëve “Margarita Tutulani” dhe “Ymer Kurti”;

19.Rikonstruksioni i shkollës 8-vjecare “26 Nentori”.

20.Rikonstruksioni i lulishtes pranë Gardës së Republikës

Në proces janë projektet:

1.Ujesjellësi i ri i Selitës, që mbaron në qershor 2005;

2.Rikonstruksioni i shkollës ”Petro Nini Luarasi”

3.Rikonstruksioni i shkollës ”Dëshmorët e Lirisë” dhe i kopshtit pranë saj;

4.Ujësjellësi i Selitës Nr.2;

5.Rikonstruksioni i rrugës ”Lidhja e Prizrenit”, që përfundon brenda vitit.

6.Transformatorë në periferi të zonës.

7.Parqe e lulishte në brendësi të blloqeve të banimit në zonë.

8.Zgjerim i rrugës ”Abdyl Frashëri”

9.Rikonstruksioni i shkollës në Selitë;

10.Ujësjellës-kanalizime në Selitë etj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›