Elbasan, Basha: Rama nuk mund të kthejë diktaturën
Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, i bëri dje të ditur kryesocialistit Edi Rama se nuk do të mund të rikthejë diktaturën në Shqipëri. Basha vijoi dje takimet me studentë të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, por edhe me banorë të komunës Funar, nga ku lëshoi akuza të ashpra për kreun e PS-së, Edi Rama. Basha tha përpara studentëve se Rama nisi një fushatë në Qytetin Studenti, me dy ish-ministra të diktaturës, por sipas tij, kjo është një përpjekje e dështuar e Ramës për të riinstaluar diktaturën me një paketim të ri. “Dje, në Qytetin Studenti, me ministrin e fundit të Punëve të Brendshme të diktaturës komuniste që i përgjaku studentët, me ministrin e fundit të Arsimit të diktaturës komuniste që dërgonte Sigurimin nëpër shkolla, na treguan se politika e ashtuquajtur e re e Edi Ramës është vetëm një fasadë. Rikthimi me Gramoz Ruçin dhe Skënder Gjinushin nuk është gjë tjetër vetëm një përpjekje e dështuar e nomenklaturës së përmbysur për tu riinstaluar me paketim të ri”, - deklaroi Basha përpara studentëve të Elbasanit. Më tej, ai tha se nën qeverisjen e PD-së Shqipëria do të jetë gati për të hyrë në BE në vitin 2013, si dhe premtoi lëvizje të lirë pa viza në hapësirën “Shengen” në vitin e parë të mandatit të dytë të kësaj qeverie. “Shqipëria si kandidate për anëtarësim në BE, i hapi rrugën vetes që të nisë negociatat me BE-në për anëtarësim të plotë, që viti 2013, në fundin e mandatit tonë të dytë, Shqipëria të jetë gati për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian dhe në 12 muajt e parë të mandatit tonë të dytë do të bëjmë realitet që çdo student në këtë sallë dhe çdo shqiptar jashtë kësaj salle, i pajisur me pasaportën biometrike, nuk do të ketë më nevojë të kalojë në rrugën e ambasadave”, - premtoi Basha. Ministri bëri edhe një bilanc të punës së qeverisë, duke premtuar se kjo qeverisje do të vazhdojë të rrisë pagat dhe pensionet, të asfaltojë rrugë e të sjellë shpresë e ndryshim tek çdo familje shqiptare. “Në 4 vjet, kjo mazhorancë, - tha Basha, - ka investuar për komunën Funar 154 milionë lekë përkundrejt 25 milionë lekëve të qeverisë socialiste në 8 vjet”.