Dy vëllezër marrin peng një shtetas në Lazarat

Një person është rrëmbyer me forcë dhe më pas është mbajtur peng nga dy vëllezër në Lazarat. Lajmi është konfirmuar zyrtarisht Drejtoria e Policisë Gjirokastër.
Ata thanë se sot në orën 10.00, nga ana e Specialistëve të Seksionit Kundër Krimeve ndaj Personit në Drejtorinë e Policisë Gjirokastër është bërë ndalimi i 21-vjeçarit Proletar Rrapo Hallaci, lindur dhe banues në fshatin Lazarat të rrethit Gjirokastër.
“Në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative agjentët dhe specialistët e Sektorit Kundër Krimeve të Rënda në bashkëpunim edhe me Komisariatin e Policisë Gjirokastër, kanë bërë të mundur kapjen dhe ndalimin e të dyshuarit, në aksin rrugor Gjirokastër-Kakavijë”, - konfirmoi policia që ka formuluar për 21-vjeçarin, akuzën për veprën penale të “Heqjes së paligjshme të lirisë”.
Ndërkohë, policia tha se nuk ka arritur dot të arrestojë autorin tjetër të dyshuar, Abdurahman Hallaci, vëllai i të ndaluarit.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20.30 të ditës së djeshme në lagjen “Grihot” të rrethit Gjirokastër, kur dy vëllezërit lazaratas, i kanë hequr në mënyrë të paligjshme lirinë duke e marrë me forcë dhe mbajtur peng shtetasin S.K.
Policia tha se personi nga lagjja “Grihot” në Gjirokastër është mbajtur peng për të paktën dy orë, duke shtuar se krimi erdhi për motive të dobëta por pa dhënë detaje të mëtejshme.