Miss e “Ardhmja” e Planetit!
Harrojini renditjet si “e fundit”, ku keni parë se Shqipëria kish zënë vend deri më sot nëpër lista e raporte ndërkombëtare.
Shqipëria së shpejti do të renditet e para nga fillimi, e pasuar me qindra vende bosh, për UNIKALITET!
Absolutisht e para! Më në fund e para! Dhe kjo…….falë popullsisë së saj.
Sepse, së fundi, rezultati i nivelit të mbërritur është mbresëlënës.
Ky lloj rezultati është aq i qartë dhe i pakundërshtueshëm, saqë nuk ke nevojë as ta përpjesëtosh e as ta përshumëzosh.
Korrupsioni është në nivelet e tij më të ulëta. Mirëpo, nuk është ndëshkimi meritë e kësaj mbërritjeje, por lejimi.
Sot, Shqipëria e “ndryshuar” nuk ka më njerëz të korruptueshëm, sepse janë të gjithë të korruptuar.
Të korruptuar, prej një sistemi të korruptuar, ku nuk të duhet më të “paguash” për t’u “lejuar”, pasi tolerancat janë tashmë qëndrime të nënkuptueshme.
Megjithëse të qarkullosh pa rrip sigurimi është e ndaluar “me ligj”, policët e trafikut sikur kanë arritur në njëfarë mirëkuptimi të heshtur dhe korruptohen me shikime nga shoferët. Polici sikur i thotë: “Ec, ec, po veje noi herë dhe rripin, se ….”, ndërsa “ti” që je pa rrip, i buzëqesh e i thua: “E më shefo se t’gjithë pa rrip janë”. Dhe vërshon pa rrip sigurimi nëpër trafikun e “çmendur” të kryeqytetit dhe nëpër gropat humneristike të dy shesheve qendrore nën emrat e dy figurave më të lavdishme shqiptare, “Nënë Tereza” dhe “Skënderbeu” (në mes të të cilit brenda një kasolleje prej xhami “Nis e Ardhmja”)!
Apo një shembull tjetër i shndërrimit të korrupsionit në “kulturë jete” është pirja e duhanit edhe në ambientin e “ndaluar” në të gjithë Shqipërinë e “Ndryshuar”. Ligji e ndalon pirjen e duhanit nëpër ambientet publike dhe qëllimi u arrit! Një reformë më tepër nëpër raporte ndërkombëtare dhe symbyllazi e veshëzënë drejt integrimeve euroatlantike.
Ndaj dhe me këto e me shumë shembuj të tjerë të jetës së përditshme kupton se ke mbërritur majat më të larta të sofistikimit të qenies njerëzore.
Shqipëria është një laborator qeniesh njerëzore me arritjet më të mëdha që mund të dëshmojë ndonjëherë shkenca, në stërvitjen e trurit të njeriut, nëpërmjet aftësimit të korrupsionit telepatik. Por gjithashtu ka treguar edhe shembuj të qartë nëpërmjet uljes së shifrave të korrupsionit material, duke e shndërruar korrupsionin material tashmë në “objekt të manipulimit dytësor që “shet” dhe “blen”.
Drejtësia dhe rendi në vend shënojnë shifra të larta në ndalimin e punëve të pista. Lufta kundër krimit është në nivele të larta. Por toleranca ndaj ndëshkimit gjithashtu është e lartë. Masat e ndëshkimit, të izolimit e të penalizimit janë në kulmin e emancipimit. Të dënuarit e vazhdojnë trafikun dhe komunikojnë lirisht me celularë personalë. Gardianët e dinë natyrisht, mirëpo është një pakt i heshtur midis të dyja palëve. Gardiani, në dijeni të televizorëve, ushqimeve, telefonave, parave, plotësimit të tekave të të burgosurve lehtësisht nga të afërmit e tyre, e toleron këtë lloj lirie duke thënë me vete: “Gjynof i shkreti, se osh n’burg”, ndërsa të dënuarit dëgjojnë emisionin tim “Kopirajt” në NRG radio, 106.6 FM çdo të mërkurë e të premte në 22.00 dhe flasin me mua në transmetim të drejtpërdrejtë duke më rrëfyer lirisht se e vazhdojnë trafikun e drogës, edhe pse janë në burg. Gjejnë lirisht numrin tim privat të celularit dhe më “kërcënojnë” vazhdimisht se, sapo të “dalin”, do të më “gjejnë”.
Mirëpo, kjo liri e të “ këqijve” për të vepruar, kur t’u teket e si t’u teket në çdo lloj kushti, vjen si pasojë e tolerancës së “ të mirëve” që në këtë rast përfaqësohen nga ata të “rendit” dhe “drejtësisë” dhe nga qytetarja “Unë”, e cila i përgjigjet kërcënimit me kurajë dhe jo me denoncim në polici, pasi besoj se i keqi nuk e ka seriozisht dhe se policia gjithashtu nuk do të ma marrë seriozisht denoncimin.
Ky shembull gjithashtu dëfton qartë nivelin e lartë të mirëkuptimit ndërnjerëzor, duke ulur në nivele shumë të ulëta pretendimin ndaj vetes dhe tjetrit. Duke i lejuar tjetrit ç’të dojë e duke mos patur besim tek asgjë tjetër veç fatit.
Historia e këtij vendi tashmë të ndryshuar nuk është asgjë tjetër veçse një model i zhvillimit njerëzor. Zhvillimi i telepatisë fillestare. Pra, aftësia e të korruptuarit të mendjes së çdo individi, pavarësisht nga formimi intelektual i tij dhe lehtësia e korruptimit “tënd” nga mendja e kujtdo.
Mbërritje të tilla e bëjnë Shqipërinë e ndryshuar të mbërrijë nivele të larta të luftës kundër krimit e vënies së drejtësisë në vend, duke ulur ndjeshmërinë ndaj krimit, si dhe pritshmëritë ndaj drejtësisë nga ana e popullit!
Dhe kështu, me ritmet e zhvillimit e të ndryshimit të saj, Shqipëria mund të trajtohet si nga ana sociale, edhe nga ana shkencore si shembull unik në historinë e zhvillimit njerëzor.
Fillesat e degradimit të shoqërisë dhe të sofistikimit të papërgjegjshmërisë. Një laborator i uljes së frikës ndaj tjetrit duke të shndërruar në vetë Armik të vetes tënde. Një grumbull shembullor i uljes së nivelit të Rrezikut, sepse rritet niveli i tolerancës ndaj tij.
Shqipëria do të kryesojë çdo renditje në të ardhmen. Do të trajtohet si shembull Planetar.
Shqipëria, prej mbërritjeve të niveleve të larta të sofistikimit që pëson njeriu në një shoqëri të degraduar, do të tejkalojë çdo çmim, çdo klasifikim. Do të jetë shembulli i vetëm që planeti do të ketë për të ilustruar këtë Koncept. Do të jetë Miss e Ardhmja! Që do të parakalojë përpara botës mbi një tapet të kuq të gjatë nga sheshi “Skënderbej”, te sheshi “Nënë Tereza”, duke përshëndetur me valëvitje duarsh të gjithë Planetin që sheh “live” se si Njeriu, sa më shumë t’i mprehet mendja nga eksperienca shoqërore, aq më shumë stërvitet të parakalojë lehtësisht edhe mbi gropa humneristike mbuluar me tapet të kuq!