Tri kushtet për dekomunistizimin
Ndarja e shoqërisë shqiptare nga barbarizmat e regjimit komunist që ka nisur që në dhjetor 1990, është një proces që ngeli në mes, i cili nuk mund të marrë fund pa u përmbushur tri kushte të domosdoshme.
Një, ndarja nga veprimi. Ky kusht është përmbushur: periudha pas protestave studentore të Dhjetorit, krijimit të Partisë Demokratike dhe deri në zgjedhjet e marsit 1991, ishte periudha kalimtare nga komunizmi në shoqëri të lirë. Kjo mund të konsiderohet edhe periudha e parë e ndarjes me komunizmin.
Nuk ishte një kalim pa probleme, por krimet që janë kryer në këtë periudhë për motive politike nuk ishin krime shtetërore, siç ishte varja e poetit disident Havzi Nela, katër vjet më herët. Krime me prapavijë politike janë kryer edhe më vonë, por jo në mënyrë institucionale. Vrasja e dy prillit, krimet e vitit ‘97 apo vrasja e Azem Hajdarit – po ndalem te rastet më simbolike, janë krime komuniste që ndodhën në një shoqëri të çliruar dhe jo nën diktaturë. Ndërsa burgosjet dhe internimet prej vitit 1991 nuk janë shfaqur më si fenomen.
Kushti i dytë është qëndrimi juridik ndaj krimeve të regjimit komunist, i cili ende nuk ka nisur. Të gjitha krimet e komunizmit duhet të ishin dënuar, pasi të ishin bërë paditë, nga gjykata. Kriminelët janë kriminelë, vetëm kur për ta ka një vendim juridik, ndryshe gjithçka mbetet e diskutueshme. Moshedhja e këtij hapi e mban shoqërinë tonë në situatën e tanishme, ku bashkekzistojnë me të njëjtin status edhe viktima, edhe krimineli.
Kushti i tretë, i cili varet nga qëndrimi juridik, është reflektimi moral i shoqërisë. Nëse prokuroria do të zbardhte krimet e komunizmit dhe, e bazuar në fakte, ajo do ta shpallte Enver Hoxhën fajtor për krimet që ka bërë (kjo s’ka dyshim), atëherë shoqëria shqiptare do ta shikonte atë nga një tjetër perspektivë, qoftë edhe familjarët e tij. Kush do t’i dilte në mbrojtje, kush do të festonte ditëlindjen e tij, do të konsiderohej me të drejtë si mbrojtës i një krimineli. Askush nuk do të thoshte më, siç ka zëra që dëgjohen sot shpesh, se “Enveri ka pasur edhe të mira, edhe të këqija”. Jo, krimineli është kriminel dhe kaq. Edhe pas vdekjes ai duhet të përfaqësojë figurën e kriminelit dhe vetëm nostalgjikët e inkriminuar mund të krenoheshin me të, por, pas vendimit të gjykatës, shoqëria do të ishte më kurajoze t’u tregonte vendin këtyre njerëzve.
Për këtë duhet të ishte krijuar fillimisht ajo që ka kërkuar vazhdimisht Partia e Ballit Kombëtar Demokrat: Instituti i Dënimit të Krimeve të Komunizmit. Sigurisht, mund të emërtohet edhe ndryshe, i rëndësishëm është ndërtimi i këtij institucioni.
Kryeministri e deklaroi në Kuvend, të hënën, se ky institucion do të krijohet, dhe unë e kam ditur edhe më herët që po punohet për këtë, por, para se të miratohet ligji për pastrimin e figurave, Kuvendi duhet të miratojë bazën ligjore të krijimit të këtij institucioni.
Nga ky institucion i specializuar, pastaj, duhet të dalin projektligjet e nevojshme për dënimin e krimeve të komunizmit, pastërtinë e figurës së zyrtarëve etj.
Nëse procesi i ndarjes sonë me regjimin komunist dhe krimet e tij nuk plotëson këto kushte të domosdoshme, atëherë procesi i dekomunistizimit të Shqipërisë do të jetë një problem i hapur pafundësisht, njëlloj si problemi i rikthimit të pronave, dëmshpërblimit të ish-të përndjekurve, rishkrimi i historisë etj.