E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flamuri raporton për besnikërinë e grupit të PD

Nga Tema

Antena brenda familjes

Flamuri nisi dje raportin e fundjavës për atë burrin. Këtë radhë teksti ishte një raport mbi mënyrën se si grupi parlamentar i PD mbështeste vendimin e qeverisë për mbylljen e gazetës “TemA”. Ja çfarë shkruan:

“Kam ndjekur me vëmendje reagimet në grupin parlamentar pas vendimit për të hequr me dhunë gazetën “TemA” nga mjediset ku ajo punon. Mund të të them pa frikë se situata është e shkëlqyer. Shqetësimi tënd, që ma shprehe ditë më parë, se ndonjë deputet apo drejtues partie mund të reagojë në mbrojtje të gazetës, ka qenë me vend, por mendoj se puna ime natyrisht në emër tuaj ka dhënë frytet e veta. I kam kontaktuar të gjithë deputetët një për një, dhe të gjithë më kanë dhënë fjalën se nuk do të bëjnë asnjë deklaratë pro gazetës. Natyrisht, kur ua them unë këtë gjë, rritet dhe rëndësia, pasi ata e kuptojnë se nuk është vetëm problem personal, por mbi të gjitha parimor.

Po e shfrytëzoj këtë raport për të thënë fjalët më të mira për ministrin Ruli. Të them të drejtën, unë s’kam pasë besim tek ai për shkak të së kaluarës. Ju e dini se ai ka qenë një njeri i pabesë dhe shpeshherë të ka krijuar ty probleme, natyrisht dhe mua. Por sjellja e tij është shembullore. Kontaktova më të dhe i thashë që duhet të marrësh një qëndrim të qartë.

“Më kini pas jush, deri në vdekje”, - tha. Me thënë të drejtën, më preku shumë. Nuk e prisja që Ruli të ishte aq besnik dhe aq i devotshëm. Me sa duket puna ime në parti po i jep frytet e veta, por dhe ky ligji elektoral ka bërë punën e tij.

Unë i thashë Rulit me takt që të mos ndikohej në këtë rast nga raportet personale me “atë” botuesin e gazetës, por ai ma hoqi drojën. “Unë mbi të gjitha kam partinë, dhe kryeministrin, - tha. - Njohjet e miqësitë vijnë nga pas. Unë ligjet nuk i shkel kurrë, - tha, - përveç rasteve kur ma kërkon kryetari. Këtë e kam pas parim gjithë jetën”. Të them të drejtën, më preku. Nuk e dija që korrektësia e tij do shkonte deri këtu. Madje më përmendi dhe rastin e redaksive të tjera që u kanë dhënë objekte me këtë status. Më tha të të porosisja të mos kishe merak se atë godinën që i ka dhënë kunatit tuaj në Kinostudio po ia bën gati letrat për privatizim, kurse Aleksandër Frangajt ia ka bërë dosjet për t’ia falë thuajse gjysmën e Kinostudios. Më tha të të pyesja ç’qëndrim të mbaj ndaj atyre të NTV, se është akoma i paqartë. Nëse janë sjellë mirë, ai mund t’ua firmosë letrat, ndryshe t’u gjejë ndonjë gjë dhe atyre. Unë në fakt nuk iu shpreha, se kam frikë se u thotë atyre, por thashë do pyes njëherë. Më erdhi mirë që kunatit tuaj dhe Elvana Hanës po ua privatizon godinën, se me këtë rast mund të bëjnë dhe ndonjë pallat aty në vend të “Mediasat”-it. Por mbi të gjitha më erdhi mirë që ishte bërë i ndërgjegjshëm për rëndësinë që ka sjellja korrekte ndaj partisë, ndaj meje dhe natyrisht dhe ndaj jush.

Te të tjerët situata është më e shëndoshë. Kam hetuar me kujdes mos dikush nga ish-miqtë e tij në PD të reagonte apo t’i shprehte mbështetje qoftë dhe jopublikisht, por kanë qenë korrektë. Çdo ditë i kam takuar dhe më kanë deklaruar se mbështesin fort vendimin tuaj. Kjo është gjë shumë e rëndësishme. Unë u kam bërë të qartë rëndësinë që ka në raste të tilla mbështetja e vendimit të qeverisë, por dhe ata kanë qenë të qartë vetë. Shembulli i Rulit ka qenë shumë frymëzues dhe unë mendoj se duhet t’i shprehim një lloj mirënjohjeje. Për këtë mendoj se akuzat që i bëre atëherë dhe dyshimet tuaja se dhe ai mund të ketë pasur ndonjë qëllim të keq kundër nesh gjatë privatizimit të ARMO-s, nuk qëndrojnë. Ai ka reflektuar dhe duhet t’ia falësh dhe ndonjë gabim që mund të ketë bërë.

Nga pjesa tjetër e grupit nuk di ç’të të them. Të gjithë më duken korrektë. Kam disa dyshime tek ai Besnik Mustafaj dhe Preç Zogaj, por mua s’më kanë rënë në sy. Nëse bëjnë diçka më vete, me kokë të tyre, s’di ç’të them. Të tjerët janë në rregull, mos ki merak.

Edhe nga këta ministrat fjalë të mira kam dëgjuar. Të gjithë e dënojnë njëzëri.

Në fund desha të shtoj dhe Ferdinand Ponin. Më ka porositur veçanërisht të të them se e ke gati ta përdorësh në këtë rast, kur të të duhet. Ka dhe një inat personal ai, se donte ta bënte garazh për një shoferin e tij atë mjedisin dhe ia mori me ankand ky i gazetës “TemA”, se rriti çmimin. Tani më tha se “është koha të më kthehet mua”, se ai është dhe njeri i sigurt, nuk rrezikon Kartat e Identitetit. M’u lut të ta thoja këtë, se ka dhe një lokal që bën paçe aty afër dhe me këtë rast mund të dalë më shpesh nga reparti ku bëhen kartat.

Me kaq letrën po e mbyll duke të të siguruar dhe një herë për besnikërinë e lartë të grupit tonë ndaj vendimit tuaj për mbylljen e gazetës “TemA”.

Flamuri

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›