E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vazhdon solidariteti me gazetën “TemA”

Nga Tema

Dr. Irena Nikaj

Universiteti i Korçës

Përshëndetje,

Ju shpreh vlerësimin tim për pasqyrimin e asaj që është detyrë e gazetarisë së lirë në demokraci, investigimit dhe pasqyrimit të rezultateve të tij. Shpresoj që beteja juaj të jetë shenjë e emancipimit të opinionit publik në lidhje me të menduarin e padrejtuar nga politika e ditës. Ia vlen të luftosh për lirinë, demokracia pa të nuk ka kuptim. Njerëzit e politikës së ditës janë shpesh të vegjël dhe meskinë, sidomos kur përballen me madhështinë e parimeve të demokracisë. Sot, ca i kanë kuptuar dhe i shfaqin, ca i kanë stoli për konferenca. Uroj që ky të jetë shans që të shtojë mbrojtësit e thjeshtë të demokracisë, vetëm kështu autoritarizmi dhe despotizmi demokratik, si e quante Tocqueville, do të ketë më pak shanse t'i imponohet demokracisë.

Elton Metaj

Kryeredaktori i “Lajmi i Javës’

Gazeta “Lajmi i Javës” solidarizohet me gazetën “TemA”.

Man Shuti

Washington DC, USA

Përshëndetje gazetës “TemA”!

Çdo ditë ndjek me vëmendjen më të madhe ngjarjet që po përjeton Shqipëria, është për të ardhur keq, kur shikon se kryeministri i vendit, Sali Berisha, po përpiqet që me çdo mënyrë të bllokojë sistemin e drejtësisë për të fshehur aferat korruptive të qeverisë së tij. Unë që po ju shkruaj nuk jam i majtë, jam demokrat dhe sa për dijeninë e lexuesit i përkas shtresës së të përndjekurve politikë, për disa vite kam qenë anëtar i Këshillit Kombëtar të PDSH dhe kryetar i degës së PD për rrethin e Hasit.

Nuk jam pajtuar dhe nuk pajtohem në asnjë mënyrë me komunistët që vërshuan në PD dhe instaluan në të diktaturën. Çdo shqiptar i ndershëm duhet ta dijë se Sali Berisha ka qenë sekretar i organizatës komuniste në fakultetin e mjekësisë, merreni me mend se çfarë roli kishte sekretari i organizatës së Partisë Komuniste. Sot duhet i madh dhe i vogël t’i thotë “Ndal!” diktaturës komuniste të Sali Berishës dhe daljen përpara përgjegjësisë të ministrave të korruptuar.

Solidarizohem me shqetësimet e gazetës “TemA”, është një goditje e ashpër e tipit stalinist që po i bëhet shtypit të pavarur në Shqipëri.

Ky fakt përbën një ogur të zi për të ardhmen e vendit, Shqipëria nuk duhet të udhëhiqet nga njerëz të tipit Haxhi Qamil që asgjë nuk kanë të përbashkët me demokracinë.

Poshtë Komunizmi në Partinë Demokratike!

Mira Shehu

Ftoj të gjithë lexuesit e kësaj gazete të dërgojnë te miqtë e tyre një e-mail në ndihmë të gazetës “TemA” për sensibilizim. Në shekullin në të cilin ne jetojmë, lufta për fjalën e lirë dhe median e lirë mund të bëhet edhe online. Një e-mail më shumë do të thotë miq më shumë dhe sensibilizim më shumë, një dritare më shumë për të protestuar për një gazetë që secili nga ne e lexon përditë.

Lufta për fjalën e lirë bëhet edhe pa policë, dhe pa kontrata të prishura në mënyrë tinëzare. Mes Fazlliçit dhe “TemA”-s, unë zgjedh “TemA”-n.

Bilbil Meçaj

(familjarisht)

Përshëndetje botues dhe gazetarë të “TemA”-s.

I kemi lexuar me shqetësim artikujt në lidhje me veprimet arbitrare të kryeministrit kundrejt gazetës suaj. Kjo është një formë e njohur presioni e këtij kryeministri që vetëm emrin ka shqiptar, sepse gjithë kohës ka punuar për të keqen e këtij vendi duke na shuar çdo lloj shprese për ta ndjerë një ditë veten të lirë dhe të pashfrytëzuar nga hajdutë dhe klane mafioze.

Familjarisht ju mbështesim dhe shprehim solidaritet me ju si rruga e vetme e qytetëruar kundër këtij primitiviteti kaq absurd të qeverisë. Shpresojmë se zëri ynë do dëgjohet dhe qeveria t'i thërrasë arsyes e të kthejë këtë vendim që s'ka emër tjetër veçse hakmarrje personale.

Pirro Ferra

Itali

Ju përgëzoj për luftën që po bëni kundër korrupsionit dhe kupolës së qeverisë të korruptuar.

Edvana Vangjeli

edvanav@gmail.com

Kur fillon e kruhet me gazetat, i ka ardhur vërtet fundi.

Shkëlzen Rexhepi

Përshëndetje “TemA” dhe Stafi yt,

Nuk është e lehtë të përleshesh me këtë pushtet okult bushtrash që nuk lë njeri pa sharë, sulmuar dhe përgojuar, sepse nuk i vijnë pas fijes. Gjithsesi,

deri në zgjedhje do përjetojmë dhe pak nga kjo zallamahi dhe këto plehra do qërohen njëherë e përgjithmonë bashkë me sekserët e tyre serbë apo serbo-amerikanë qofshin. Bishat më shumë kafshojnë në fund, por ka rëndësi që plaga të shërohet.

Nuk ma merr mendja se këtë herë ky malukat dhe shpura e tij do bëhen aq trima sa të merren me shtypin.

Klement Velo

Itali

Përshëndetje stafit drejtues të gazetës “TemA” dhe personalisht drejtuesit të saj të guximshëm, zotit Mero Baze. Solidarizohem dhe bashkohem në betejën tuaj në mbrojtje të gazetës “TemA” dhe kundër atyre, që për interesat personale apo të një grupi të caktuar,

kërkojnë të shkatërrojnë median e lirë. E konsideroj gazetën “TemA” si të pavarur politikisht dhe do të dëshiroja që në mbështetje të saj në këto momente të vështira të radhiteshin të gjitha ato media që e konsiderojnë veten të pavarura e të lira.

Eminenca

elianoc2@gmail.com

Kryeministri, Sali Berisha, është në “grahmat” e fundit politike, morale dhe njerëzore, prandaj sillet në këtë mënyrë me një nga gazetat që si rrallëherë kanë denoncuar korrupsionin në nivelin më të lartë qeverisës, siç është rasti i Lulzim Bashës, një njeri që nga “hiçi” vjen dhe rrëmben nga paratë e popullit shqiptar miliona-miliarda euro. Gazeta “TemA” bashkë me stafin e saj dhe veçanërisht zoti Mero Baze duhet të vazhdojnë rrugën e tyre, duke mos u ndalur para asgjëje.

Të fala nga North-America.

Mon Zhubi

Shfrytëzoj rastin që të protestoj në mënyrën më të ashpër për vendimin e marrë nga qeveria e Berishës për mbylljen e gazetës së respektuar “TemA”, e cila po ndëshkohet, vetëm e vetëm për politikat parimore editoriale dhe guximin qytetar e intelektual që ka treguar gjatë gjithë këtyre viteve në denoncimin e krimit ekonomiko-politik në Shqipëri.

Por, të nderuar zotërinj pushtetarë, mos harroni se gazeta “TemA” ka kohë që ka marrë edhe aureolën e një prej gazetave më kombëtare, e cila sot lexohet me aq interesim dhe pasion, përveçse në Shqipëri, edhe në Kosovë dhe në të gjitha trojet e tjera shqiptare dhe diasporë. Ajo ka kohë që i ka hapur faqet e gazetës, për t’i shfaqur opinionet e veta shqiptarëve nga e gjithë bota, gjë që ka bërë që gazetarët shqiptarë më me peshë sot, të shfrytëzojnë pikërisht “TemA”-n si gazetën e tyre.

Kjo dëshmon sesa kombëtare dhe e fuqishme është “TemA” dhe sa të vështirë do ta keni që ta realizoni këtë marrëzi të radhës.

Erioni

kuçova.org

Personalisht solidarizohem me deklaratën e gazetës “TemA” dhe i bashkohem përpjekjeve të të gjithë njerëzve që kërkojnë kthimin mbrapsht të vendimit të qeverisë. Nuk e di, mbase do ishte mirë ta diskutonim me stafin dhe t'i dërgojmë një e-mail mbështetjeje gazetës “TemA”. Fjala e lirë është e shenjtë, paçka se dikujt mund t'i preken interesat dhe aferat personale.

shes.shtepi@gmail.com

Kjo që po i ndodh gazetës “TemA” është britma e fundit e një qeverie që çdo ditë e më shumë po punon kundër biznesit, kundër konkurrencës në treg, tashmë dhe kundër medias dhe fjalës së lirë. Në një kohë kur të gjithë e prekin realitetin, ku s’ka punë, s’ka pará, qeveria sheh ëndrra në diell dhe vret mendjen, vetëm se si të heqë qafe armiqtë e saj. Vendimi për t’u hakmarrë ndaj “TemA”-s nuk është një gjë e re, por mënyra e gjetur për ta bërë këtë është po aq e vjetër sa vetë Saliu.

A nuk hakmerren dhe diktatorët kështu?

Hodo Hasko

Vlorë

Sulmi i nisur kohë më parë ndaj gazetës “TemA” nuk është diçka e papritur. As fakti se Sali Berisha nuk ka ndryshuar nuk është diçka e re. Ky kryeministër ka treguar që me djegien e gazetës “Koha Jonë”, gjobat ndaj “Top Media”-s e shumë gazetave të tjera në vazhdim se ç’është i zoti të bëjë për të mbyllur një zë të lirë. Berisha bën mirë të dënojë ata gazetarë që shpifin, hedhin baltë e turpërojnë vendin dhe individët e lirë. Bën mirë që të çojë përpara drejtësisë ato media që propagandojnë frymën antikombëtare e krijojnë dezinformim. Të gjithë këtë rrëmujë në lidhje me “TemA”-n, kryeministri e bën për të larguar vëmendjen nga problemet e vendit. Për të larguar vëmendjen nga Bollano, nga Gërdeci e për t’i paguar borxhin mikut të tij Fazlliç që “TemA” e zbuloi fatmirësisht, edhe pse nuk ishte ndonjë gjë e papritur për ne. Gazeta “TemA” zbuloi Fazlliçin në Bosnjë e Berisha trembet se mos zbulohen dhe Fazlliçët e tjerë në vend. Turp zoti Kryeministër! Ti je nëpunës i këtij shteti e në emër të demokracisë, mos e ndy më shumë këtë periudhë kaq të rëndë për shqiptarët.

Eugen Çela

Student

Mënyra që zgjedh kryeministri i Shqipërisë, ai që presupozohet se na solli demokracinë në Shqipëri, për të mbyllur “gojën” e një medieje të pavarur, është tepër e rrezikshme për shoqërinë tonë. Ai nëpërmjet nëpunësve të tij ministrorë pengon çdo gjë që i vihet kundër. Mania e tij për të pasur gjithçka nën vete nuk ndalet, as presidenti dhe Prokuroria e Përgjithshme, duke i sulmuar këto në kuadër të lirisë së fjalës dhe demokracisë.

Problemi nuk është te gazeta “TemA”, një gazetë profesionale dhe me staf profesional, por psikoza e kreut të ekzekutivit, që gjithçka kritikuese, menjëherë nga ana e tij, është ndaluese. Ishte po ai që solli demokracinë në vend, ai që mbyll fjalën e lirë, duke e deformuar atë dhe duke e mbytur shoqërinë shqiptare me fuqinë e tij kryeministrore.

Nëse kthehemi prapa në kohë, i njëjti person që në vitin 1997 mbylli të vetmen gazetë të pavarur në Shqipëri dhe që nuk kishte rënë pre e censurës së pakufishme të politikave berishiane, të njëjtën gjë po bën edhe tani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›