Liria e cenimit të fjalës së lirë
Qeveria e këtij vendi i jep vetes liri më tepër se sa ka nevojë për të qeverisur në mënyrë normale, duke shkelur mbi lirinë e medias që përhap fjalën e lirë. Vendimi i fundit i qeverisë për të bllokuar botimin e gazetës “TemA”, duke prishur papritmas dhe në mënyrë të njëanshme një kontratë 20-vjeçare, cenon drejtpërsëdrejti fjalën e lirë. Jo vetëm fjalën e lirë të atyre që e drejtojnë këtë gazetë, por fjalën e lirë të individëve që ftohen në atë gazetë për të shprehur mendimin e tyre.
Qeveria duhet të mendohej përpara se ta ndëshkonte këtë gazetë, sepse ka ndëshkuar drejtpërdrejt fjalën e lirë. Mark Aureli thotë se, “pasojat e zemërimit janë më të rënda se shkaqet”. Dhe pasojat tashmë janë te porta.
Nuk është “TemA” që po ndëshkohet, por e vërteta që ka përcjellë vazhdimisht kjo gazetë. Taktika e përdorur në këtë rast është mjaft moderne, ndërsa përmbajtja kryekëput mesjetare.
Shprehja e lirë është diçka që po nëpërkëmbet më së shumti në kohën tonë. Ata që e shkelin, e dinë pse e shkelin, por për fat të keq pjesa më e madhe e atyre që u shkelet, nuk dinë e nuk mund ta mbrojnë. Duhet ta dimë se mohimi i shprehjes së lirë të një individi të vetëm, lëre pastaj të medias, është mohim i lirisë së shprehjes së tërë bashkësisë. Indiferenca në një rast të tillë i ngjan indiferencës së dikujt që s’do t’ia dijë fare se shtëpia e komshiut po digjet.
Pra, këtu nuk është fjala për të mbrojtur gazetën “TemA” apo një media të caktuar. Këtu është fjala për të mbrojtur shprehjen e lirë, për të mbrojtur veten tonë. Është pikërisht shprehja e lirë ajo që na bën njerëz. Nëse refuzojmë shprehjen e lirë, refuzojmë të qenit njerëz.
Sa i takon ndëshkimit absurd dhe padrejtësisë së rëndë që qeveria po kryen ndaj gazetës “TemA”, e gjej me vend shprehjen e madhe e gjithaq të dhimbshme të Karl Kraus: “Padrejtësia duhet të jetë, sepse përndryshe nuk mbaron kurrë”.
E pra, më duket se në këtë vend ka ardhur koha që padrejtësitë të marrin fund.