Ekonomia është në prag stanjacioni
Progresi ekonomik i Shqipërisë mbetet i brishtë e mjaft larg standardeve që garantojnë një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe duke paraqitur një rrezik relativisht të lartë të prishjes së tij. Konkretisht PBB për frymë, megjithëse në rritje, është akoma në nivele nga më të ulëtat në Europë, ndërsa norma në ulje papunësie e lë këtë tregues sërish në nivele mbi dyshifrore. Deklarata ka ardhur gjatë ditës së djeshme nga ish-Guvernatori i Bankës së Shqipërisë dhe njëkohësisht anëtar i Bordit të Fondacionit “Qemal Stafa”, Shkëlqim Cani. “Vendi vazhdon që të ketë tregues deficiti mbi normën e kërkuar për integrim në BE dhe për më tepër, me një parashikim për dyfishim në 2008. Deficiti i lartë tregtar në përkeqësim, kriza energjetike me cikle të shpeshta përsëritëse dhe pa ndonjë perspektivë për zgjidhje të shpejtë si dhe informaliteti dhe korrupsion në nivele të frikshme janë treguesit më të qartë të një krize ekonomike”,- tha Cani. Analiza e situatës makroekonomike në vend është realizuar nga Cani në tryezën që Fondacioni “Qemal Stafa” organizoi me ekspertë, analistë dhe profesionist të pavarur. Në këtë konferencë moren pjesë përfaqësues të shumtë të shoqërisë civile, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare që asistojnë Shqipërinë në zhvillimin ekonomik, ekspertë të huaj dhe vendas, përfaqësues të Fakultetit Ekonomik Shtetëror dhe Universiteteve private, përfaqësues të komunitetit të biznesit të madh e të vogël etj. Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit “Qemal Stafa” në hapje të tryezës ka deklaruar se, “ekonomia shqiptare është në prag të stranjacionit. Inflacioni ka tejkaluar limitet ligjore. Lufta kundër korrupsionit ka dështuar. Reforma e administratës publike është gjithashtu e dështuar, gjë që edhe institucionet ndërkombëtare që asistojnë Shqipërinë e kanë theksuar më shumë se një herë si fakt që po rëndon në zhvillimin e vendit. Mungon një vizion i qartë dhe harmonizimi i strategjive afatgjata, fakt ky që ka prodhuar kaotizëm, humbje kohe dhe humbje eficience. Duket sikur për maxhorancën e tanishme, historia ka filluar në 3 Korrik 2005, pasi vazhdon ende të injorojë strategjitë e hartuara edhe asistencën e partnerëve ndërkombëtare dhe vazhdon të hartojë të tjera me ritme inflacioniste”. Enea Janko, ekspert i zhvillimeve ekonomike bëri të ditur se “në Shqipëri, pavarësisht se biznesi privat mban peshën më të madhe të rritjes së ekonomisë sonë kombëtare, nga ana e qeverisë nuk ka një kuptim të qartë të rolit dhe rëndësisë së tij të vërtetë për prosperitetin e vendit. Akoma biznesi shikohet vetëm si një instrument për të realizuar të ardhurat e buxhetit të shtetit dhe jo si motori i vërtetë i zhvillimit ekonomik dhe social të vendit”.
Aktualisht në Shqipëri mbizotëron një frymë paniku dhe pasigurie në bizneset private, e cila është shkaktuar prej qëndrimeve jo pozitive të administratës shtetërore dhe një sjellje që vazhdon ta shikojë biznesin si kundërshtar dhe jo si një resurs të çmuar pa të cilin ekonomia dhe shoqëria jonë nuk mund të ecin përpara dhe të zhvillohen. Marrëdhëniet midis biznesit dhe administratës shtetërore, veçanërisht asaj tatimore janë shumë të acaruara dhe prodhojnë stres të vazhdueshëm për biznesin”.