E Shtunë, 31 Tetor 2026

Oketa: Demontimi do vazhdojë deri në 2010

POLIÇAN- Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, ka pohuar dje se demontimi i predhave të vjetra të ushtrisë shqiptare do të vazhdojë për të paktën edhe dy vjet. Edhe pse tragjedia e Gërdecit vazhdon ende që të shkaktojë viktima, kreu i dikasterit të mbrojtjes ka pohuar se numri tepër i madh i municioneve e bën procesin e demontimit të detyrueshëm. Deklaratat e ministrit Oketa janë bërë dje nga Uzina e armëve në Poliçan. Ministri ka inspektuar disa prej reparteve ku kryhet procesi i demontimit të armëve e municioneve si dhe ka zhvilluar një takim me punonjësit e këtij kombinati. Gjatë takimit ai ka renditur si një prioritet të qeverisë çmilitarizimin dhe demontimin e 98 mijë ton municione të shpërndara në të gjithë territorin e vendit, të cilat fatkeqësisht përbëjnë një rrezik të përditshëm për qytetarët e atyre zonave ku këto municione janë të depozituara. Ministri Oketa ka theksuar në përfundim të fjalës së tij, se ardhja e tij në qytetin e Poliçanit ka qenë njohja nga afër me kushtet e punës dhe kushtet e sigurisë. “Strategjia e procesit të çmilitarizimit të armëve e municioneve parashikon vitin 2013 si afatin e fundit, por prioriteti ynë është shkurtimi i këtij procesi të rëndësishëm deri në vitin 2010. Ky objektiv do të arrihet pa cenuar aspak kushtet e sigurisë së punës”,- pohoi ministri. Ai shpjegoi se të tre kombinatet që ekzistojnë në Shqipëri, i Poliçanit, i Gramshit dhe i Mjekësit, janë projektuar për prodhim municioni dhe jo për demontim dhe kthimi i tyre në ndërmarrje demilitarizimi kërkon në radhë të parë përmbushjen e të gjitha rregullave të sigurisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›