Durrës, apeli kthen çështjen e vëllezërve Gjokea
DURRËS- Gjykata e Apelit të Durrësit ka rikthyer në shkallën e parë çështjen e tre vite më parë në një fshat të Durrësit ku janë vrarë dy persona si dhe është plagosur rëndë personi, të cilit i është ngritur pusi. Para togave të zeza të gjykatës së Durrësit ka dalë sërish Kastriot Gjoka, i akuzuar për vrasje në bashkëpunim me dy persona të tjerë, ndërkohë që në mungesë edhe në seancat e nisura dije nga e para do të gjykohen dy vëllezërit David e Arben Gjokea. Në masa të forta sigurie, policia pasi ka bllokuar rrugën kryesore ka dërguar në sallën e gjyqit të arrestuarin Kastriot Gjokea. Ai gjendet i arrestuar që nga maji i vitit 2005, vetëm një natë pasi ka ndodhur ngjarja e rëndë në Ishëm. Organi i drejtësisë ia ka lënë dosjen për ta rimarrë nga e para gjyqtares Shpëtime Pitaku, kurse akuza ka dërguar përballë të ndaluarit dhe avokatit të tij prokurorin Dritan Gina. Në listë për t’u pyetur janë kërkuar si dëshmitarë të akuzës 15 shtetas të cilët duhet të kenë dijeni lidhur me ngjarjen, konfliktin e mëparshëm mes palëve apo edhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me shkaqet që kishin shtyrë Simon Gjokenë të udhëtonte drejt Ishmit natën që i është zënë pritë. Sipas materialeve të gjykatës, më 18 maj 2005 në vendin e quajtur Ishëm është vrarë me armë zjarri 13-vjeçari Olgert Gjokea, 28-vjeçari Eduart Gjokea dhe është plagosur rëndë Simon Gjokea. Të tre këta persona kanë qenë duke udhëtuar në një kamionçinë përgjatë kodrës me ullishte dhe në orët e mbrëmjes në afërsi të Ishmit ata janë vënë para një prite. Menjëherë policia dhe grupi hetimor akuzoi për krimin e rëndë shtetasin Kastriot Gjokea dhe vëllezërit David e Arben Gjokea. I pari është arrestuar në kushtet e flagrancës në lokalin e tij në afërsi të Fushë-Krujës një natë pasi kishte ndodhur krimi, kurse dy të tjerë janë shpallur në kërkim që nga dita e akuzës.