Dy vjet Obama

Dy vjet kanë kaluar nga përurimi i presidentit të parë afrikano-amerikan të Shteteve të Bashkuara.
“Sot ne mblidhemi këtu sepse zgjodhëm shpresën dhe jo frikën, unitetin dhe jo konfliktin dhe mosmarrëveshjet”, pat deklaruar Barack Obama pas zgjedhjes së tij për president, në nëntor të vitit 2008.
Por, gjatë 2 vjetëve të para të mandatit të presidentit, Obama pa pasur plot mosmarrëveshje politike, veçanërisht lidhur me ligjin e kujdesit shëndetësor.
Pitër Brown punon në qendrën e anketimeve të Universitetit Quinipiak në Connecticat.
"Është interesant fakti që shumë votues thonë se gjëja më e mirë që ai ka bërë është reforma e kujdesit shëndetësor, por po ashtu ata thonë se gjëja më e keqe që ai ka bërë është kujdesi shëndetësor, qëndrime që tregojnë se vendi është i ndarë në këtë pikë”, thotë Brown.
Presidenti bëri thirrje për unitet në fjalimin që mbajti në një shërbim përkujtimor në Tucsan të shtetit Arizona, pas incidentit që la gjashtë të vrarë dhe disa të plagosur, përfshirë edhe anëtaren e kongresit, Gabrielle Giffords.
"Është me rëndësi për ne të ndalemi për një moment dhe të sigurohemi se flasim me njeri-tjetrin në një mënyrë që shëron dhe jo që plagos”, pat deklaruar Obama gjatë këtij fjalimi.
Kjo shpresë u sfidua shumë shpejt në Kongres, ku republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve votuan për sprapsjen e ligjit të reformës shëndetësore, mes tyre edhe kongresisti nga shteti Wiskonsin, Pol Rajen.
"Ne jemi këtu sepse e dëgjuam kërkesën e popullit amerikan në zgjedhjet e fundit. Ne jemi këtu sepse besojmë se është realisht me rëndësi të bësh kur zgjidhesh, atë që ke premtuar gjatë fushatës”, theksoi Rajen.
Anketuesi Brown thotë se amerikanët janë të ndarë në pikëpamjet e tyre për presidentin Obama, ndërkohë që ai fillon pjesën e dytë të mandatit.
"Thuajse tri e katërta e votuesve e pëlqejnë atë si njeri, por më pak se gjysma janë dakord me politikat e tij”, shpjegon Brown.
Mes atyre që nuk i mbështesin politikat e tij janë shumë votues të pavarur, thotë analisti dhe autori Richard Wolffe.
“Këta janë ata njerëz që e mbështetën Obamën në vitin 2008. Ata votuan kundër demokratëve në vitin 2010. Ata duhet të sigurojnë përsëri mbështetjen e tyre, të nxisin rritjen ekonomike dhe këtë ta bëjnë brenda dy viteve të ardhshme”, thotë Wolffe.
Sigurimi i mbështetjes së këtyre votuesve nuk do të jetë i lehtë, por anketuesi Brown e vë theksin tek ajo që ndodhi në vitet e 80-ta me presidentin e atëhershëm, Ronald Reagan.
“Regani kishte një mbështetje prej 37 për qind të elektoratit në fillim të vitit 1983. Pas 22 muajsh, Ronald Reagan fitoi me shumicën më të madhe në historinë e zgjedhjeve presidenciale. Kohërat ndryshojnë ashtu siç ndryshojnë edhe kushtet. Në rastin e zotit Reagan, ekonomia u përmirësua shumë”, nënvizon Brown.
Rivalët e mundshëm republikanë të Obamës në zgjedhjet presidenciale në vitin 2012, si ish-guvernatorja e Alaskës, Sarah Palin dhe ish kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Newt Gingrich, ende nuk kanë vendosur se a do të marrin pjesë në zgjedhjet që zhvillohen pas dy viteve.