E Shtunë, 31 Tetor 2026

KJO MAZHORANCE DUHET ÇUAR NE SHTEPI

Të enjten e shkuar, pas përfundimit të programit "Top Story", shkuam - siç është bërë zakon tanimë - të uleshim një copë herë në një bar e të vijonim në mënyrë krejt të shpenguar debatin e lënë përgjysmë në studion e "Top Channel"-it (çdo debat televiziv, sido që të drejtohet e të zhvillohet, do të mbetet se s‘bën përgjysmë). Dhe aty lindën diskutimet mbi rastin hipotetik (por me shumë gjasa, amá) të humbjes së zgjedhjeve të ardhshme nga ana e Partisë Demokratike.

Pyetjes se a do të largohej Berisha në këto rrethana nga kreu i kësaj partie apo nga politika, gati të gjithë iu përgjigjën prerë e plot siguri: Kjo nuk ka për të ndodhur kurrë. Dhe kjo bindje afërmendsh mbështetet mbi arsyetime që kanë të bëjnë me marrëdhënien epsharake që Berisha e berishianët kanë me pushtetin, por edhe mbi faktin që ky njeri është zhytur aq thellë në korrupsion (tok me fëmijët e me soj e sorollopin e vet), sa e gjithë kjo përbën tanimë motivin kryesor të rezistencës në politikë. Me fjalë të tjera, deri disa vite më parë në politikë e ka mbajtur pasioni për të komanduar e për të ushtruar pushtet, apo dhe trysnia e turmave të militantëve, të cilët i kanë falur prore mbështetje në këmbim të shpresës për t‘u shpërblyer me "të mirat" që burojnë prej pushtetit, ndërsa tash qëndrimi në politikë është një kusht ekzistencial.

Soji e sorollopi "Berisha" kanë bërë aq shumë gjëra tre vitet e fundit (çdo ditë dëgjon anekdota me personazhe të quajtur Argita, Jamarbër, të cilët blejnë, investojnë, firmosin, fitojnë, urdhërojnë, marrin në punë, pushojnë nga puna etj., etj.), sado ta kenë të vështirë t‘i shpëtojnë filtrit të sistemit gjyqësor; nëse sot i kanë shpëtuar këtij filtri, kjo ka ardhur prej parzmores që u ka dhënë pushteti i kreut të tribusë së tyre. Sot ai mbrohet duke qenë Kryeministër e duke sulmuar gjithë sistemin e drejtësisë, por nesër do të mbrohet nga statusi i kreut të opozitës, gjë që e ka bërë edhe në periudhën 1997-2005. Fundi i historisë? Edhe po i humbi zgjedhjet e qershorit, ai nuk do të largohet.

Deri para ndonjë viti kam menduar herë pas here, se Sali Berishën është më mirë ta kesh Kryeministër se sa në opozitë; e kam menduar këtë, i shtyrë nga historia e tij opozitare, e cila është mbushur me tubime të përditshme, me dhunë mbi institucionet, me mbështetje të çdo logjike antiligjore e antishtetërore (e mbani mend mbështetjen që u dha lazaratasve, kur këta të fundit qëlluan me pushkë helikopterët e policisë?) me hedhje në erë të shtyllave të tensionit të lartë (e keni vënë re, që gjëra të këtij lloji nuk ndodhin më) etj., etj. Ndërsa duke qenë në pushtet - kështu kam menduar - do të jetë i fokusuar te qeverisja.

Mirëpo merret vesh që, sa herë e kam menduar këtë gjë, kam qenë naiv e shkuar naivit. Dëmet e Berishës në pushtet janë të jashtëzakonshme; në tre vjet ai ia ka dalë mbanë të çmontojë nga njëra anë të gjitha arritjet demokratike të bëra mundimshëm në tetë vjet, nga ana tjetër të gjithë atë botë institucionesh, e cila, mirë a keq, kish zënë të funksiononte larg presioneve politike e kish zënë të vihej në binarë ligjorë e kushtetues. Deri dhe Policia e Shtetit, e cila kish kohë që kishte zënë të rrinte mirë brenda kornizës së një shteti ligjor (për herë të parë në historinë postkomuniste shqiptare ne pamë në vitin 2005 - por edhe më parë - një polici, që luajti një rol krejt non-partisan në zgjedhje), tanimë është një armë e frikshme në duart e Berishës.

Po të shtojmë në këtë mes dhe fenomenin e korrupsionit, që nën Berishën (në fakt, nën berishajt) ka marrë përmasa elokuente, del qartë qederi i Berishës në pushtet. Nuk ka asnjë diskutim, pra, se nuk duhet të shqetësohemi më për nxjerrjen e Berishës në pension (po të duan, le ta bëjnë këtë të vetët; në mos, le t‘i pinë lëngun mbështetjes së tyre); detyra jonë është ta nxjerrim në opozitë dhe ta lëmë aty të tresë dhjamin e vënë në pushtet.

Por deri sa të vijë kjo ditë, do të na duhet të gjithëve të mobilizohemi si kurrë ndonjëherë kundër manipulimit të zgjedhjeve. Duhet ta shohim manipulimin e zgjedhjeve si një gjë të mundshme? Sipas meje, është më shumë se sa kaq; manipulimi i zgjedhjeve është tanimë një projekt. Dhe ky projekt lexohet në mënyrë paradoksale te garancitë që jep vetë Berisha mbi mbarëvajtjen e zgjedhjeve; sa më të mëdha të jenë këto garanci, aq më të trembur duhet të jemi mbi fatin e zgjedhjeve; sa më e madhe të jetë buzëqeshja e Berishës, teksa mban kartën e re të identitetit në dorë, aq më i sigurt është vullneti i tij për të vjedhur zgjedhjet.

Ka dy mënyra për të minimizuar efektin e projektit berishian për të vjedhur votat. Mënyra e parë është në duart e opozitës politike, e cila duhet të bëjë çmos të mos i lërë asnjë rol pushtetit në administrimin e procesit elektoral (kjo po, që është garanci), ndërsa mënyra e dytë është në duart e zgjedhësve, të cilët, nëse do të jenë të shumtë ditën e votimit, hëm do të demotivojnë pushtetin në vjedhjet e votave, hëm do ta bëjnë këtë vjedhje me efekt të reduktuar.

Në këtë mes, opozita mund të luajë një rol të madh, gjithashtu. Ajo duhet të frymëzojë në radhë të parë zgjedhësit e vet, por nga ana tjetër ajo duhet të krijojë një klimë të ndryshimit. Kjo bëhet duke i marrë iniciativën kundërshtarit të tyre. Nuk do t‘i falet opozitës të mos dijë të kandisë shqiptarët për të dalë në zgjedhje e për të votuar kundër një njeriu, që na ka vjedhur sistematikisht kauza, dinjitet, liri, prona e vota.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›