E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy vrasjet misterioze, një i arrestuar, një i vdekur

Drejtori i Policisë së Tiranës, Sajmir Muça, bëri me dije sot se pas një pune hetimore 1 vjeçare, është zbardhur autorësia e vrasjeve dhe arrestimin e autorëve. Më 13 tetor të vitit 2010 mbetën të vdekur shtetasit Urim Begu Petraq Mihali, ngjarje këto të ndodhur në qytetin e Kavajës dhe në fshatin Plug të Rrethit të Lushnjës.

“Në lidhje me punën e bërë, dje më datë 18 Tetor 2011 rreth orës 23.30’ u bë arrestimi në flagrancë i bashkautorit të dyshuar të vrasjeve të sipërpërmendura i cili është shtetasi Jurgen Polizoi Kule, 19 vjeç, banues në Libofshë Fier, i proceduar më parë për veprën penale të mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”, sqaroi Muça.

Arrestimi i tij u krye në sajë të shtrirjes së gjerë të këtij hetimi, ku pas një pune të gjatë hetimore, ka rezultuar se shtetasi tashmë i arrestuar Jurgen Kule, dyshohet të jetë bashkautor edhe me shtetasin E.L.(aktualisht i vdekur pas konsumimit të rreth 1 muaj më parë të fotoksinës). Shtetasit e lartpërmendur dyshohet se janë autor të vjedhjes me armë në bashkëpunim, me pasojë vdekjen e taksistit Urim Begu, 48-vjeç, ngjarje e ndodhur në datën 13 tetor 2010 në Rrethin e Kavajës dhe më pas vrasjes së shtetasit Petraq Mihali, 53-vjeç, Roje e Pikës së Karburantit e ndodhur në fshatin Plug të Rrethit të Lushnjës.

Dyshohet se zanafilla e kësaj ngjarje, ka qenë grabitja e taksistit Urim Begu, ku autorët kanë hipur në automjet në Tiranë dhe pas mbërritjes në Kavajë kanë grabitur dhe vrarë të ndjerin Urim Begu me profesion taksist. Më pas autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes bashkë me automjetin e vjedhur dhe kanë ndaluar për të furnizuar automjetin në një pikë karburanti, ku dhe kanë vrarë me armë zjarri rojën e këtij karburanti shtetasin Petraq Mihali.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Jurgen Kule në fshatin Libofshë të rrethit Fier u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoleta m - 54 dhe një krehër me 5 copë fishekë. Kjo armë është  përdorur në dy vrasjet e sipërpërmendura, kjo pas aktit të ekspertimit të bërë në Institutin e Policisë Shkencore Tiranë, ku gëzhojat e gjetura në dy ngjarjet ishin të qitura nga arma e sekuestruar në banesën e Jurgen Kules. Gjithashtu janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale dy aparate celularë që i përkisnin taksistit të vrarë  Urim Begu. Aktualisht në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kavajë, vazhdon puna hetimore për sqarimin e rrethanave të mëtejshme të këtyre ngjarjeve të rëndë kriminale./S.Ll/Start/

                                                                                             2011-10-19 13:05
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›