Dy zyra të administratës së bashkisë me njerëz të emëruar nga Edi Rama kanë shkelur ligjin

Prefektura e Tiranës padit kryebashkiakun e Tiranës, ka dhënë leje ndërtimi, pa kërkuar dokumentin për mbrojtjen kundër zjarritPrefektura Tiranë, pas një inspektimi të kryer ka zbardhur dje disa shkelje flagrante që janë konsumuar rregullisht nga bashkia e Tiranës dhe agjencitë e saj mbështetëse. Duke analizuar dokumentacionin e degës së Tiranës të Policisë për Mbrojtjen nga Zjarri, është konstatuar se në mënyrë të rregullt, bashkia e Tiranës ka refuzuar që të aplikojë pranë kësaj dege, që t’i pajisë firmat që merrnin rëndom lejet e ndërtimit nga Edi Rama me dokumentin përkatës. Për këtë shkak, prefekti i Qarkut të Tiranës, Keltis Kruja, nëpërmjet zëdhënëses së tij, ka njoftuar se ka vendosur të bëjë kallëzim penal ndaj kryebashkiakut Rama, drejtuesve vendore të zyrës së urbanistikës si dhe drejtuesve të KRT-së për shkelje të dy neneve të Ligjit të Urbanistikës, shkelje prej të cilave mund të rrezikohet edhe jeta e qytetarëve. “Në bazë të të dhënave dhe provave të ndodhura pranë policisë për mbrojtjen nga zjarri dega e Tiranës - dhe të përcjella pranë autoritetit të prefektit, rezulton se: KRrT e Tiranës, në kundërshtim të hapur me ligjin për urbanistikën, gjatë viteve 2000-2005, ka dhënë leje ndërtimi për subjekte ndërtuese të cilat nuk kanë depozituar dokumentacion pranë kësaj zyre dhe nuk kanë marrë të firmosur dhe vulosur lejen përkatëse”, u shpreh zëdhënësja e Prefektit të Qarkut të Tiranë, Esli Zala.Sipas saj, përgjegjëse për këtë kolaps janë dy zyra në bashkinë e Tiranës, ajo e urbanistikës dhe këshillit teknik. “Sipas neneve 49 dhe 50 të Ligjit për Urbanistikën, zyra e urbanistikës dhe këshilli teknik janë direkt përgjegjëse për shkeljet e konstatuara. Të dyja këto zyra janë pjesë e administratës së bashkisë Tiranë dhe drejtohen nga njerëz të emëruar nga kryetari i kësaj bashkie”, deklaroi ajo. Kësisoj, përballë kësaj situate ku vihet në rrezik të ndjeshëm jeta e qytetarëve Prefekti i qarkut Tiranë, me autoritetin që i jep ligji, dhe i vendosur në zbatimin e tij, do të kallëzojë penalisht kryetarin e bashkisë Tiranë, KRRT-në e bashkisë Tiranë dhe zyrën vendore të urbanistikes, për dhënien e lejeve të ndërtimit në kundërshtim me ligjin....