Karamanlis shmang bisedimet për çamët dhe futjen e PBDNJ në koalicion
Kryeministri shqiptar, Sali Berisha dhe homologu i tij grek, Kostas Karamanlis, shmangën dje pyetjet e gazetarëve në një konferencë të përbashkët për shtyp.
Çështja çame, dënimi i kryetarit të Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano apo dhe koalicioni ku do përfshihen minoritarët e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, ngelën pa sqaruar.
Në një konferencë ku të dy kryeministrat folën anglisht dhe jo në gjuhët amtare, nën një përkthim të çalë, u nënshkrua vetëm një marrëveshje, ajo për saktësimin e vijës kufitare mes vendeve, për të cilin këto ditë është folur shumë pak.
***
Në kohën kur në sheshin kryesor të kryeqytetit po organizohej një tubim nga përfaqësues të shoqatave dhe partia çame, në selinë kryeministrore, Sali Berisha deklaroi se mes Shqipërisë dhe Greqisë nuk ka asnjë problem dhe se ato janë zgjidhur.
“Marrëdhëniet tona politike janë me të vërtetë të shkëlqyera dhe shumë të shëndetshme. Ne nënshkruam një marrëveshje dhe një tjetër është gati. Konstatuam se nuk ka probleme midis vendeve tona dhe ato janë zgjidhur nëpërmjet shpirtit të dialogut dhe bashkëpunimit”, - tha Berisha.
Edhe homologu i tij grek tha se është bërë progres i konsiderueshëm në drejtim të marrëdhënieve dypalëshe.
“Për sa i përket marrëdhënieve bilaterale, jam i gëzuar të nënvizoj se gjatë viteve të fundit kemi arritur një progres shumë të rëndësishëm dhe cilësor. Të dy vendet kanë bërë hapa të rëndësishëm për krijimin e një klime të re kuptimi dhe besimi, duke krijuar kështu perspektivën për një bashkëpunim më të gjerë bilateral”, - tha Karamanlis.
Çamët kështu janë detyruar të bëjnë më të paktën, të protestojnë në vendin e tyre. Por ka ndodhur dhe çudia tjetër, atyre nuk iu është aprovuar mbajtja e tubimit.
Kryetari i shoqatës patriotike “Çamëria”, Ardian Tana, ka deklaruar se atyre iu është refuzuar edhe një takim që kishin kërkuar me kryeministrin grek.
“Përmes ambasadorit të Greqisë në Tiranë, kërkuam të realizonim një takim me kryeministrin. Ky takim nuk u mundësua, ndaj ne organizuam tubimin për të shprehur qëndrimin, si dhe kërkesat tona. Besojmë se ka ardhur koha të nisë procesi i diskutimeve ndërqeveritare për zgjidhjen e çështjes çame. Mes Shqipërisë dhe Greqisë janë realizuar së fundmi një sërë marrëveshjesh dhe është deklaruar se marrëdhëniet janë shumë të mira; gjykojmë se zgjidhja e çështjes çame i shërben pikërisht forcimit të frymës së miqësisë në këto marrëdhënie dhe impakti i saj shtrihet më gjerë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Në të kundërt, nuk mund të pretendohet kurrsesi për marrëdhënie të mira, kur mes dy vendeve mbeten pezull çështje të pazgjidhura”, - tha Tana.
***
Kryeministrat e të dy vendeve nuk kanë përmendur as rastin e dënimit të kryebashkiakut Bollano. Ky i fundit madje kishte kërkuar që Karamanlis të mos vinte në Shqipëri.
Berisha e ka shprehur qëndrimin e tij për kryebashkiakun e Himarës, ditën kur gjykata mori vendim kundër tij.
“Kryeministri Berisha, duke mbetur gjithmonë shumë i ndjeshëm ndaj respektimit dhe garantimit të të drejtave dhe lirive të çdo qytetari, si dhe për respektimin e plotë të pavarësisë së sistemit gjyqësor, mendon se interpretime dhe zbatime të ligjeve, të cilat mund të mbartin nuanca politike dhe arkaike, nuk i shërbejnë qëllimit të vendosjes së ligjit”, - thuhej në reagimin e kryeministrit Berisha.
Por ajo që bie erë në këtë mes nuk është qëndrimi i kryeministrit, por i vartësve të tij, që e kanë nxitur këtë dënim.
Gjyqtari që mori vendimin për dënimin e kryebashkiakut të Himarës, është një mik i ngushtë i ministrit të Drejtësisë. Nga ana tjetër, një zyrtar i lartë i qeverisë dhe i besuar i kryeministrit, Sali Berisha, zoti Genc Ruli, sulmoi pak ditë përpara vendimin për Bollanon. “Bollano ende nuk e ka kuptuar se Shqipëria nuk matet me çfarë tabelash ka dhe çfarë gjuhe është në to. Ky njeri nuk vendos as simbolin shqiptar në shiritin e kryetarit, që simbolizon flamurin shqiptar, kur pret personalitete. Ai nuk ngrihet dot kundër shqiptarëve”, - tha Ruli gjatë një turi elektoral në zonën e tij.
***
Kryeministri, Sali Berisha, është përpjekur që ta përdorë këtë vizitë të zotit Karamanlis si një lobim nga ana e tij që Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, formacioni politik që përfaqëson pakicën greke, të jetë sërish në koalicion me partitë e djathta. Kjo për shkak se PBDNJ dhe veçanërisht kryetari i saj, Vangjel Dule, kanë shprehur rezerva për qeverisjen e djathtë. Një sondazh i fundit tregonte se koalicioni i majtë, në përbërje të të cilit ishte dhe PBDNJ, rezultonte fitues në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Vetë Dule nga ana e tij ka deklaruar se nuk është Karamanlis që vendos se më kë bën koalicion PBDNJ.
Vetë Karamanlis ka thënë shumë pak në lidhje me minoritetin grek në Shqipëri.
“Minoriteti etnik grek në Shqipëri përbën një lidhje shumë të fortë me rëndësi jetësore midis vendeve tona”, - tha Karamanlis.
***
Sot, Shqipëria paraqet aplikimin e saj për në BE. Vizita e kryeministrit grek nuk mund t’i shpëtonte mesazheve në favor të këtij aplikimi. “I thashë mikut tim se nesër Shqipëria do të aplikojë për vendin kandidat në BE, e ftuar nga Presidenca Çeke. Dua të theksoj gjithashtu se Shqipëria po përmbush të gjitha kriteret dhe standardet për zgjedhje të lira dhe ne jemi shumë të angazhuar për këtë”, - tha Berisha. Por ajo që prisnin më shumë shqiptarët nga Karamanlis ishte një mesazh i qartë për sistemin e vizave. Në këtë drejtim, përgjigja ishte e mjegullt. “Me të vërtetë, ne ishim një ndër anëtarët e parë të Bashkimit Evropian që e mbështetëm Shqipërinë. Greqia ishte gjithashtu midis të parëve që pa shumë pozitivisht perspektivën e liberalizimit të regjimit të vizave, ashtu sikurse është vënë në dukje në axhendën e Selanikut, në vitin 2003”, - tha Karamanlis.
***
Edhe për problemet e emigrantëve tanë në Greqi, asgjë e qartë nuk u tha. Berisha tha se do diskutohej për pensionet e tyre. Nuk u fol në lidhje me shkollimin e tyre.
“Një çështje e diskutuar në takim ishte rënia dakord që ministritë tona të punojnë së bashku për të zgjidhur problemet e pensioneve, si për emigrantët tanë atje, dhe për qytetarët grekë.
Gjatë bisedimeve tona diskutuam edhe për minoritetin grek në Shqipëri dhe emigrantët shqiptarë në Greqi. Jemi shumë të gëzuar për progresin në të gjitha aspektet dhe pa dyshim e siguroj kryeministrin se Shqipëria është plotësisht e angazhuar për respekt të plotë, bashkëpunim dhe është fokusi i qeverisë sime të investojë dhe të mbështesë komunitetet minoritare, në mënyrë që të ndryshohet pozitivisht jeta në to”, - tha Berisha.
***
Ajo që ka ndodhur dje dhe që ndodh rëndom, është se shqiptarët janë informuar sërish për vendimet që merren, vetëm kur janë bërë fakt i kryer. Madje, për më keq, edhe kur janë bërë fakt i kryer, për to nuk dihet shumë. Siç ndodhi me vizitën e kryeministrit italian, Silvio Berluskoni, kur shqiptarët mësuan falë medieve të huaja se ç’do gatuhej të nesërmen në Tiranë, ashtu siç ndodhi dhe me vizitën në Francë të kryeministrit Berisha, kur sërish ishin mediet e huaja që nxorën në shesh të vërtetën e vizitës, edhe kësaj radhe, falë medieve greke u informuam për çka do të ndodhte në Tiranë. E sigurisht që ndodhi ashtu.
E vetmja pikë ku mund të kishte pak transparencë dhe debat, ishte marrëveshja për ndarjen e kufirit. Mjaftonte madje që dikush të thoshte që nuk ka pikë rëndësie për Shqipërinë nënshkrimi i saj.