E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dyfishim automjetesh per shkak te kthimit te emigranteve

Festat Ekspertët rrugorë: Kamera të përkohshme për evitimin e aksidenteve dhe mirëmenaxhimin e trafikut

Ndonëse të gjithë po presin me padurim të afrohen festat e fundvitit, duhet të përgatitemi edhe për kaosin që pritet të na “mbërthejë” gjatë ditëve në vijim. Numri i lartë i emigrantëve, të cilët pas liberalizimit të vizave kanë më shumë mundësi hyrjeje drejt Shqipërisë, pritet të shtojë radhët e gjata në trafikun e metropolit. Sipas ekspertëve, zgjidhja e këtij fenomeni të paralajmëruar duhet të jetë e shpejtë dhe e përkohshme për rrugët e Tiranës, të cilat prej disa kohësh janë bllokuar si pasojë e punimeve në sheshin “Skënderbej”.

"Kërkohet një ndërhyrje, pra një bashkëpunim i plotë midis Entit Pronar të Rrugës, që është në qytetin e Tiranës dhe policisë rrugore, e cila është pjesë e institucioneve shtetërore që bën konstatimin e aksidentit dhe të rrymave të trafikut. Pra, meqenëse ne kemi vështirësi në orientimin e trafikut në qytetin e Tiranës, kërkohet realisht që të ketë një bashkëpunim perfekt në mënyrë që të shmangen aksidentet dhe përzierja e rrymave pa shkak dhe pa ligj. Në varësi të trafikut ndër vite, është e thjeshtë për të ndërtuar një sinjalistikë të përkohshme në mënyrë që të mos kemi pengesa në trafik, të mos kemi vonesa apo agresivitet të drejtuesve të mjeteve dhe këmbësorëve”, - tha eksperti rrugor, Artur Sulçe.

Sakaq, policia rrugore ka filluar të zbatojë në terren dhe sistemin e monitorimit të akseve rrugore nëpërmjet kamerave. Projekti mësohet se do të mbulojë rrugët kryesore të kryeqytetit, ndërsa synohet disiplinimi i drejtuesve të automjeteve, por edhe identifikimi i rasteve kriminale. Sipas ekspertëve, Krishtlindjet dhe dita e ndërrimit të viteve kërkojnë një menaxhim efektiv të qarkullimit në kryeqytet, edhe pse vështirësia do të jetë e lartë për shkak të dyfishimit të numrit të automjeteve në vend.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›