E Diel, 1 Nëntor 2026

Dyfishohen korsitë, firmat duan 30% më shumë lekë

Në pesë Lotet e segmentit rrugor Kalimash-Morinë shumica e punëve janë vënë në vijë. Sipas tabelave të paraqitura nga MPPTT, në pesë Lotet e segmentit rrugor, jepen edhe vlerat e plota të projekteve. Sipas tyre, Kalimash-Kukës-Loti 1 kushton mbi 669 milionë lekë, Kalimash-Kukës - Loti 2 kushton mbi 849 milionë lekë, Kukës-Morinë Loti 1(vepra të mëdha) kushton rreth 852 milionë lekë, Kukës-Morinë -Loti 2 (dy viadukte) kushton rreth 941 milionë, Kukës-Morinë- Loti 3 kushton mbi 700 milionë lekë, Kukës-Morinë -Loti 4 kushton mbi 848 milionë lekë, ndërsa Kukës-Morinë -Loti 5 kushton 815 mln lekë. Kjo ishte llogaritja e MPPTT-së, por shumica e firmave që kërkojnë pagesën për volumin e punëve me katër korsi, kërkojnë rreth 30 për qind më shumë fonde, që u dhanë për tenderat e segmenteve që ishin parashikuar me dy korsi. Në vitin 2007, sipas regjistrit të parashikimeve të prokurimeve publike, për pesë Lotet e segmentit Kalimash-Morinë u dhanë nga buxheti i shtetit gjithsej rreth 51 milionë lekë të reja.
Në Kërkesë-Padinë e njërës prej firmave që bëjnë punë në këto segmente rrugore thuhet se, aktualisht janë kryer rreth 90 për qind e punëve dhe është duke u zbatuar projekti me katër korsi, i cili nënkupton volume shtesë punimesh në sasi të konsiderueshme. Kjo shtesë punimesh erdhi nga zbatimi i projektit me katër korsi, por sipas firmave ndërtuese nuk është bërë certifikimi i punimeve nga supervizori i projektit dhe rrjedhimisht nuk është kryer pagesa për këto punime. “Mos pagesa e këtyre punimeve, po i çon kontraktorët e rrugës Kalimash-Morinë drejt falimentimit, duke sjellë kështu ndërprerjen e punimeve për ndërtimin e kësaj rruge”,- thuhet në njërën prej kërkesë-padive që firmat kanë bërë në Gjykatën e Tiranës ndaj Drejtorisë së Rrugëve dhe MPPTT-së.
“Firmat ishin të detyruara që të zgjedhin rrugën gjyqësore”, thotë përfaqësuesi i njërës prej firmave ndërtuese, sepse edhe pse firmat kanë kryer volume pune shtesë, duke mos qenë të certifikuara, nuk i kanë shlyer detyrimet ndaj Administratës Tatimore, ndaj dhe pritet përfundimi i procesit gjyqësor, për të filluar shlyerjen e detyrimeve.
Vonesat, dështon përfundimi në Shkurt 2008
Sipas kontratave, veprat duhej të ishin mbaruar në Shkurt 2008, por ai është një afat që nuk mund të mbahet. Ndërsa shumica e firmave shqiptare kanë bërë një pjesë të konsiderueshme të punimeve, firma e mirënjohur maqedonase “Granit” është më e vonuara në ndërtimin e dy Loteve të marra në segmentin Kukës-Morinë. Sipas kontratës, maqedonasit duhej t’i përfundonin punimet në Nëntor 2007 dhe puna e saj ishte ndërtimi i urave dhe viadukteve. Kompani i ka paraqitur Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve një plan të ri për realizimin e punimeve, duke kërkuar që kontrata të shtyhet me një vit, por DPRR-ja ka njoftuar se do të ndërmarrë sanksione ndaj kompanisë “Granit” nëse nuk respekton kalendarin e punës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›