Kalimash-Morinë, firmat në gjyq me Bashën
Ndërsa prej dy vitesh në qendër të lajmeve ka qenë segmenti Rrëshen-Kalimash, një skandal tjetër ndodh paralelisht në segmentin Kalimash-Morinë, duke e bërë rrugën “patriotike” një mal me probleme monetare dhe shkeljesh antiligjore.
Problemet kanë nisur që në fillim të zbatimit të punëve të marra përsipër, kur firmave fillimisht është dhënë volum pune për segmente rrugore me dy korsi, por që më pas u është dhënë urdhri për t’i bërë më dy korsi më shumë, pra duke u shtuar volumin e punës e për rrjedhim edhe fondin që duhej të harxhonin për të bërë punën.
Por ndërsa u është kërkuar të bënin veprën me katër korsi, firmat nuk kanë pasur në dispozicion edhe fondin për punimet shtesë që duhej të kryenin, dhe duke mos marrë përgjigje për t’i marrë këto fonde siç morën financimet e mëparshme, firmat janë detyruar të hedhin në gjyq Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve dhe Ministrinë e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacioneve.
Gazeta “Shekulli” posedon prej ditësh Akt-Paditë që firmat e segmentit Kalimash-Morinë, kanë bërë ndaj institucioneve shtetërore në Gjykatën e Tiranës.
Lotet
Segmenti Kalimash-Morinë u nda nga DPRR dhe MPPTT-ja në 5 Lote, ku janë angazhuar gjatë firma shqiptare dhe të huaja, siç janë firmat shqiptare “Gjoka”, “Arifaj+ Kastrati”, “Geci”, “ANK”, “Granit” nga Maqedonia dhe “Vict.Inv.Inter.” nga Kosova. Këto firma ishin pjesëmarrëse në tenderat e realizuar nga DPRR-ja dhe fituan 5 Lotet që ishte ndarë segmenti rrugor Kalimash-Morinë, pjesë e rrugës Durrës-Kukës-Morinë. Firmat i patën formuluar ofertat për tenderat që fituan, duke u bazuar në preventivat dhe puna e vënë në dispozicion nga DPRR-ja, dhe këto kishin të bënin me një rrugë me dy korsi lëvizjeje, një vajtje dhe një ardhje. Por pas shpalljes së firmave si fituese të tenderave për segmentet rrugore, që ishin ndarë në pesë Lote, ndërtuesit kishin nënshkruar edhe kontratat respektive të sipërmarrjes. Pas kryerjes së procedurave, firmave u është vënë në dispozicion edhe projekti i plotë i zbatimit të objekteve që do të bënin. Por në ndryshim nga preventivat dhe volumet e vëna në dispozicion gjatë procedurës së tenderave, projektet e plota të zbatimit përmbanin volume pune të tilla, që parashikonin ndërtimin e segmenteve rrugore, jo me 2, por me 4 korsi, dy vajtje dhe dy ardhje. Në funksion të ndërtimit të rrugës me katër korsi, ishte kryer edhe procedura e shpronësimit të pronarëve në pronat e të cilëve kalonte rruga.
Në kontratat e nënshkruara me firmat ishte parashikuar se enti prokurues, në çdo kohë, mund ta porosiste kontraktorin për ndryshim në projekt, thjesht duke rënë dakord me ndryshimin e çmimit të kontratës.
Në ndryshim nga ndërtimi i rrugës me dy korsi, preventivat e projekteve për ndërtimin e rrugës me katër korsi përmbanin volume shtesë punimesh në një masë të konsiderueshme. Të pyetur nga “Shekulli” drejtuesit e njërës prej firmave që ka hedhur në gjyq DPRR-në dhe MPPTT-në, thanë se që në korrik 2006 iu drejtuan Drejtorisë së Rrugëve, duke i kërkuar plotësimin e dokumentacionit të plotë tekniko-topografik të ndërtimit të rrugës, si dhe sqarimin e projektit, nëse do të bëhej me dy apo me katër korsi lëvizjeje. Pas mungesës së përgjigjes, firma iu drejtua sërish në gushtin 2006, duke i kërkuar sqarime se sa do të ishte gjerësia e rrugës nëse ajo do të ishte me dy korsi, apo do të vazhdojë zbatimi i projektit të plotë me katër korsi. Por ndërsa punimet shtriheshin në gjithës gjatësinë e lotit të marrë përsipër, firma, në një letër të janarit 2007 i kërkoi sërish DPRR-së dhe MPPTT-së miratimin edhe me shkrim të zbatimit të projektit që i ishte vënë në dispozicion pas nënshkrimit të kontratës. Por, as Drejtoria e Rrugëve, as Ministria e Punëve Publike nuk ishin treguar të gatshme për zbatimin e projektit me 2 korsi dhe me të gjitha veprimet, kishte miratuar zbatimin e projektit të ndërtimit të rrugës me 4 korsi. Miratimi për zbatimin e projektit me katër korsi i ishte transmetuar firmave edhe nga ish-drejtorja e Drejtorisë së Rrugëve, Lejla Saraçi, e cila i kishte shpjeguar drejtuesve të firmave se ishte porosi e ministrit Lulzim Basha, që kjo rrugë të ndërtohej me 4 korsi, ndaj dhe projekti i ndërtimit do të zbatohej me katër korsi.
Në Kërkesë-Padinë që posedon gazeta “Shekulli” thuhet tekstualisht se: “Një miratim i tillë verbal është dhënë edhe nga MPPTT në ceremoninë e fillimit të punimeve dhe ky është një fakt i njohur botërisht”.
Problemet që kanë hasur, pesë firmat që operojnë në 5 Lotet e segmentit Kalimash-Morinë, pas shumë përpjekjeve të kota në adresë së Drejtorisë së Rrugëve dhe Ministrisë së Punëve Publike, ia kanë bërë të ditura edhe kryeministrit Berisha, por përveç premtimeve nuk është bërë asgjë, ndaj është zgjedhur rruga gjyqësore, ku flitet për miliarda që duhen paguar nga buxheti i shtetit, për një punë që nisi pa projekt.