E Shtunë, 31 Tetor 2026

Taçi sot në gjykatë për lirimin

Autori i Lajmit: Redaksia
Gjykata e Tiranës shtyu dje seancën gjyqësore për shqyrtimin e kërkesës për revokimiin e masës së sigurisë “arrest me burg” ndaj biznesmenit Rezart Taçi. Sipas një vendimi të Gjykatës së Tiranës, seanca do të zhvillohet ditën e sotme. Ashtu siç ishte parashikuar biznesmeni Rezart Taçi nuk ishte i pranishëm në seancën e djeshme ku u përfaqësua nga avokatët e tij, Maks Haxhia dhe Artan Hajdari. Për më shumë se një orë e 30 minuta ata debatuan me Gjykatën dhe Prokurorinë duke kërkuar revokimin e vendimit të gjyqtares Fahrije Budo, e cila la në arrest biznesmenin javën e kaluar. Avokatët e biznesmenit kanë dorëzuar një kërkesë në Gjykatën e Tiranës, ku kërkojnë nga e njëjta gjykatë që la në burg Rezart Taçin, lirimin e tij. Kërkesa është dorëzuar në Gjykatën e Tiranës nga dy avokatët, të cilët theksojnë se vendimi i dhënë nga gjyqtarja Fahrije Budo, duhet të rishikohet. Një ankim i tillë brenda së njëjtës gjykatë, duket se është bërë nga avokatët me qëllim lënien sa më pak në qeli të biznesmenit Rezart Taçi. Procedurat ligjore parashikojnë të paktën 20 ditë apo një muaj kohë, derisa Gjykata e Apelit të marrë çështjen në shqyrtim. Siç duket, me qëllimin për për të shkurtuar kohën e qëndrimit në qeli të biznesmenit, avokatët e tij kanë bërë kërkesën, e cila, sipas tyre, duhet të shqyrtohet brenda pesë ditëve nga Gjykata e Tiranës.

Ky lajm është publikuar: 17/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›