BSH i fton qytetarët të investojnë te borxhi i qeverisë
Banka e Shqipërisë publikoi një broshurë të re informative me synimin që të nxisë individët dhe kompanitë e vogla të zgjedhin borxhin e qeverisë për të investuar kapitalet e tyre të lira. “Bonoja e Thesarit e qeverisë shqiptare është një instrument i negociueshëm borxhi me maturim deri në një vit, që emetohet dhe garantohet nga qeveria e Republikës së Shqipërisë”, thuhet në broshurën që doli në qarkullim dje.
Borxhi publik i brendshëm i qeverisë shqiptare është një nga tregjet më fitimprurëse në vend. Në këtë treg shpërndahen rreth 300 milionë dollarë fitime nga interesat çdo vit. Investimet në bono japin interesa mbi 8 për qind në vit dhe janë gjithmonë në lekë. Interesat paguhen në çastin e emetimit të bonove, gjë që ndodh zakonisht disa ditë pasi janë dorëzuar paratë. Kjo bën që rentabiliteti real i lekëve të investuara të jetë shumë më i lartë se sa investimet në depozita. Shuma minimale e nevojshme për të marrë pjesë në blerjen e bonove të thesarit është 300000 lekë. Kjo shumë mund të rritet me shumëfisha të 10000 lekëve. Aktualisht një numër i madh shqiptarësh i shijojnë interesat e prodhuara nga bonot e thesarit. Rreth 10 për qind e të gjithë borxhit publik të brendshëm të Shqipërisë është blerë aktualisht nga individët.
Qeveria shqiptare ka zgjedhur kohët e fundit t’i nxisë individët të blejnë bono, pasi presioni nga bankat është shumë i lartë dhe interesat shënuan vitin e kaluar nivelin më të lartë që nga 2002-shi.
#