E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbaron kriza, shtohet punësimi në SHBA

Statistikat

Ekonomia amerikane shtoi numrin e të punësuarve me 162 mijë vetë në mars dhe norma e papunësisë mbeti e pandryshuar në 9.7 për qind, deklaroi dje Departamenti i Punës. Kjo është ecuria më e mirë e regjistruar që nga marsi i vitit 2007. Sektori privat qe përgjegjës për 123 mijë vende pune të krijuara.

Departamenti rishikoi në rritje statistikat e publikuara për muajt janar dhe shkurt, duke vënë në dukje se që nga dhjetori, ekonomia amerikane nuk ka mbyllur më vende pune.

Shëndetësia qe sektori që dha kontributin më të madh në rritjen e punësimit. Për më tepër, biznesi privat mësohet se ka shtuar 40 mijë punëtorë me kohë të pjesshme gjatë muajit të shkuar, gjë që jep shpresa se punësimi në shkallë të gjerë dhe me kohë të plotë do të rifillojë së shpejti.

Megjithatë, ekonomistët mendojnë se ka dyjëzim në këto të dhëna dhe se ndoshta ekonomia e ka marrë kthesën, por rritja do të jetë e ngadaltë. Ekonomia amerikane duhet të krijojë 100 mijë vende pune në muaj vetëm për të thithur ata që hyjnë për herë të parë në tregun e punës. Që të ulet papunësia, e cila aktualisht është në nivelin më të lartë në dekada, nevojiten të krijohen më shumë vende pune se kaq. Në nëntor 2007, muajin para fillimit të recesionit, papunësia qe vetëm 4.7 për qind. Sipas qeverisë amerikane, shpresa është që papunësia të kthehet në këtë nivel vetëm në vitin 2016.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›