Dyfishohen pensionistët e rinj, 27 mijë përfitues në 2012-ën
Barazohet mosha për kategorinë e tretë, nga viti i ardhshëm e në vazhdim burrat do të dalin në pension 65 vjeç, ndërsa gratë 60 vjeçe. Ksera: Burimet e financimit të sistemit, përveç të ardhurave janë transfertat nga buxheti
Numri i pensionistëve që vitin e ardhshëm do të dalin rishtas në pension do të jetë dy herë më i lartë krahasuar me këtë vit. Kështu, gjatë vitit 2012 do ta ligjërojnë të drejtën e përfitimit të pensionit 27 mijë persona, nga 13 mijë që ka qenë për çdo vit. Ky dyfishim i pensioneve të reja do të vijë si shkak i barazimit të moshës së pensionit për të dyja gjinitë që bëjnë pjesë në kategorinë e tretë të punës, që ka edhe numrin më të madh të punonjësve. Në këto kushte, duke filluar nga viti 2012 e në vazhdim, burrat që bëjnë pjesë në kategorinë e tretë të punës do të dalin në pension të plotë pleqërie në moshën 65- vjeçare dhe kanë 35 vite pune të siguruara, ndërsa gratë 60 vjeçe, po me 35 vite punë. Vitin e ardhshëm do të marrë fund reforma e nisur nga qeveria shqiptare në vitin 2002, e cila asokohe miratoi një ligj që rriste moshën e daljes në pension me 5 vjet, si për burrat ashtu edhe për gratë. Sipas ligjit, mosha e daljes në pension rritej gradualisht me 6 muaj në vit për një periudhë 10-vjeçare. Ligji kishte dy qëllime. Së pari të lehtësonte buxhetin nga pagesat për pensionet, duke ulur vitet e përfitimit. Dhe së dyti, t’i shtynte në kohë këto pagesa, pasi rritja graduale e moshës përgjysmonte numrin e atyre që dilnin në pension çdo vit. Tani reforma po shkon drejt fundit të saj, pasi vitin e ardhshëm rritja graduale e moshës përfundon. Kjo bën që në 2012-ën numri i atyre që dalin në pension të dyfishohet krahasuar me këtë vit, nga 13 në 27 mijë. Ky fakt është bërë i ditur edhe nga ministri i Punës, Spiro Ksera, i cili ka sqaruar se një element i veçantë në programimin e shpenzimeve për pensionet publike të vitit 2012 është përfundimi i reformës së rritjes graduale të moshës së daljen në pension, e nisur në vitin 2002. “Kjo bën që në vitin e ardhshëm ritmi i pensioneve të reja të dyfishohet dhe të arrijë në rreth 27 mijë raste. Burimet e financimit të sistemit, përveç të ardhurave janë transfertat nga buxheti. Për vitin 2012, buxheti i shtetit do të transferojë në fondin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, nëpërmjet Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, vlerën prej 31.888 miliardë lekësh”, - ka sqaruar ministri Ksera. Por, duke filluar që nga viti 2013, numri i pensionistëve të rinj do të rritet edhe më shumë. Rritja graduale e moshës së pensionit do të mbyllet në vitin 2013 edhe për kategorinë e dytë të punës. Kështu, duke filluar që nga data 1 korrik e vitit 2013 e në vazhdim, mosha e daljes në pension për kategorinë e dytë do të jetë 65 vjeç për burrat, dhe 60 për gratë, ndërkohë që periudha e sigurimit do të jetë e njëjtë për të dyja gjinitë, 35 vite pune. Kurse për kategorinë e tretë të punës ku bëjnë pjesë profesionet e vështira, mosha e pensionit do të shkojë në 65 vjeç për meshkujt dhe 60 vjeçe për femrat, duke filluar që nga viti 2023.
Për vitin 2012, buxheti i shtetit do të transferojë në fondin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore nëpërmjet Ministrisë së Punës, vlerën prej 31.888 miliardë lekësh
Pensionet, 4% rritja për vitin e ardhshëm
Rritja e pensioneve për vitin e ardhshëm parashikohet të jetë në masën 4%, si për fshatin ashtu edhe për qytetin. Kjo shifër është bërë e ditur nga ministri i Punës, Spiro Ksera, gjatë prezantimit të projektbuxhetit të dikasterit që ai drejton në komisionin e Punës. “Fondi i Sigurimeve Shoqërore është programi kryesor si për nga rëndësia, nga volumi i shpenzimeve dhe nga shtresat sociale që trajton. Ky program është edhe një ndër elementët e rëndësishëm të reduktimit të varfërisë. Për këtë arsye, qeveria, ashtu siç ka premtuar edhe në programin e saj, ka vazhduar rritjen e përvitshme të pensioneve. Për vitin 2011 parashikohet që rritja të jetë në masën 4% për pensionet e fshatit dhe për pensionet e qytetit”, - ka deklaruar ministri i Punës. Projektbuxheti i vitit 2012 për Ministrinë e Punës, është më i madhi i planifikuar ndonjëherë për këtë institucion dhe në total arrin në 53.49 miliardë lekë, ose 3.84% e PBB dhe bashkë me të ardhurat kontributive, buxheti i këtij dikasteri shkon në 7.6% e PBB. Në krahasim me buxhetin e rishikuar 2011, projektbuxheti i vitit 2012 ka një rritje prej 6.54% dhe, në vlerë absolute, një rritje prej 3.29 miliardë lekësh. Bazuar në të dhënat e ardhura nga njësitë e qeverisjes vendore, numri i familjeve që kanë nevojë të trajtohen në skemën e ndihmës ekonomike rezulton të jetë 104,132 familje, të cilat parashikohet të mbulohen me një fond prej 4.68 miliardë lekësh. Krahasuar me vitin 2005, kur fondi për këtë zë shkonte në 3.2 miliardë lekë, për 2012-ën fondi ka rritje në masën 46.2%. Për vitin 2012 janë parashikuar të paguhen me pagesë papunësie mesatarisht 11 000 persona, me një fond prej 1 miliard lekësh. Si pasojë e humbjes së vendeve të punës nga privatizimi i ekonomisë, Ministria e Punës ka parashikuar rritjen e numrit të përfituesve në këtë skemë me 3000 persona, përfshirë punonjësit që pritet të dalin të papunë nga Alpetrol, OSSH, Albtelecom, arsimi, ushtria, shëndetësia apo luhatjet e tregut privat. Ndërkaq, parashikohet një rritje 10% e nivelit bazë të pagesës së papunësisë për 6-mujorin e dytë të vitit 2012, pasi mbi këtë bazë janë llogaritur fondet e nevojshme edhe për kompensimin e çmimit të energjisë elektrike, artikujve ushqimorë dhe pagesa për personat në ngarkim.