Mjekimi i të moshuarve, udhëzues për mjekët e familjes
Përfundon hartimi i protokolleve klinike për praktikën e mjekësisë së familjes, bazuar në udhërrëfyesin për moshën e tretë. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili ka bërë publik botimin e dytë në lidhje me pesë nozologjitë e sëmundjeve kryesore kronike. Në këtë mënyrë, Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit të Institucioneve Shëndetësore dhe Institutin e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, pajis mjekët e kujdesit shëndetësor parësor si dhe specialistët e shërbimeve ambulatore me njohuritë e duhura bashkëkohore në vënien e saktë të diagnozës. Sipas ministrit Vasili, suksesi me trajtimin e kësaj kategorie është ai që ka lidhje me jetëgjatësinë. “Çdo betejë e fituar në jetën e çdo të moshuari do të thotë një jetë e gjatë e fituar. Indeksi i jetëgjatësisë sot ka një mesatare që kalon moshën 78-vjeçare, por nuk mund të jetë një indeks real nëse nuk ka një trajtim profesional të moshës së tretë”, - tha ministri Vasili. Shpeshherë, mjekët ndihen konfuz për diagnozën e sëmundjeve që prekin moshën e tretë. Kjo për shkak se komplikacionet janë më të mëdha në këtë moshë, sëmundjet kronike po ashtu. Për të bërë një diagnozë të saktë duke dhënë edhe recetat pa barna të panevojshme, ekspertë të shëndetit kanë përgatitur një udhëzues në të cilin përshkruhen simptomat, por dhe trajtimi i sëmundjeve. Kardiologu Pandeli Cina, pjesë e grupit të punës, thotë se ka një shtim të rasteve të sëmundjeve kardiovaskulare tek të moshuarit dhe trajtimi shëndetësor për ta ka mangësi. Udhëzuesi përmbledh 5 sëmundjet më të përhapura tek mosha e tretë, sëmundjet e zemrës, diabeti, osteoporoza, çrregullimet gastrointestinale dhe shëndeti mendor.