Gjirokastër, vdes në aksident ish-kreu i qarkut
Humb jetën në një aksident automobilistik ish-kreu i Këshillit të Qarkut të Gjirokastrës, Resul Llogo. Përplasja me një urë betoni ka qenë fatale për 63-vjeçarin. Ngjarja ka ndodhur dje në mesditë, në segmentin Ura e Kardhiqit-Mashkullorë, të autostradës Tepelenë-Gjirokastër. Llogo ka qenë duke udhëtuar i vetëm nga Kardhiqi drejt Gjirokastrës, me makinën e tij "Benz 2400", me targa GJ4677A, të cilin e drejtonte. Në një moment ai ka humbur kontrollin e automjetit, që ka devijuar nga rruga, duke kaluar rreth 160 metra brenda një kanali prej betoni në krahun e kundërt të rrugës, deri sa është përplasur në një nga mbikalimet prej betoni të kanalit vaditës që zgjatet paralel me autostradën. Burime nga grupi i ekspertëve të policisë që shkuan në vendngjarje kanë pohuar se duke u nisur nga provat dhe rrethanat e konstatuara në vend, dyshohet se shkak i aksidentit të jetë bërë një atak apo hemorragji cerebrale. Dyshohet se Llogo mund të ketë humbur jetën pak minuta para se makina e tij të devijonte nga rruga dhe të përplasej me mbikalimin prej betoni. Pas kryerjes së veprimeve të para hetimore, trupi i pajetë i 63-vjeçarit Llogo, një prej figurave më të njohura të Partisë Socialiste në Gjirokastër, është dërguar për në morgun e spitalit rajonal, "Omer Nishani" në Gjirokastër, ku i është nënshtruar autopsisë për të përcaktuar shkakun e vërtetë të vdekjes. Resul Llogo, babai i dy fëmijëve, ka qenë një nga figurat më të njohura në Qarkun e Gjirokastrës. Ai është diplomuar në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Tiranës, në degën Histori-Gjeografi dhe ka punuar për vite të tëra si mësues, inspektor, drejtor i shkollës 8-vjeçare "Urani Rumbo", drejtor i Radio Gjirokastrës, drejtor i Drejtorisë Arsimore dhe për dy mandate rresht (qershor 2000-shkurt 2007) ai është zgjedhur kryetar i Qarkut të Gjirokastrës. Resul Llogo ka qenë një aktivist i Partisë Socialiste dhe disa herë është zgjedhur si kryetar i degës së selisë rozë për Gjirokastrën. Ndërkaq, ai ka pasur edhe një aktivitet të gjatë akademik. Për vite me radhë ka qenë pedagog i jashtëm në Institutin e Lartë Pedagogjik dhe universitetin "Eqrem Çabej" dhe gjatë kësaj periudhe ka mbrojtur titujt shkencorë: Kandidat i Shkencave, Doktor i Shkencave Sociologjike dhe Profesor i Asociuar. Llogo është autor i disa librave dhe botimeve me karakter historik dhe etnografik.