Kredia e pashlyer, "sekuestrim" makinës luksoze të deputetit
Kredia e papaguar ka lënë më këmbë deputetin e Kuvendit të Shqipërisë, Hajrullah Paturri. Agjentët e kredive në një bankë kanë bërë sekuestrimin e mjetit luksoz "Volksvagen Pajero", kur deputeti ka qenë në një lokal pranë stadiumit "Qemal Stafa". Policia e Tiranës është njoftuar për këtë ngjarje nga vetë deputeti, i cili ka deklaruar se në makinë ka lënë edhe pistoletën e tij me leje. Rreth orës 19:00 ai ka telefonuar në polici dhe ka treguar se dy persona, të cilët janë prezantuar si agjentë të kredive në bankën ku ishte "borxhli" deputeti, i kanë kërkuar paratë. Në debat e sipër ata i kanë marrë deputetit çelësat e makinës, kanë hipur në të dhe janë larguar duke e lënë më këmbë. Deputeti ka njoftuar menjëherë shërbimet e policisë, duke dhënë karakteristikat e makinës. Policia ka kontaktuar me dy agjentët e kredive dhe ata janë treguar të gatshëm për t‘u paraqitur në polici. Ata kanë shpjeguar se dy vjet më parë deputeti Paturri, i cili është me mandatin e Partisë Republikane në zonën e Krujës, ka blerë një makinë me kredi. Por, që nga dita që ka marrë kredinë e deri më sot, nuk ka paguar asnjë këst për të shlyer borxhin ndaj bankës. Në këto kushte ata kanë vendosur të sekuestrojnë makinën. Nga ana tjetër, policia shpjegoi se dy agjentët janë shoqëruar në polici dhe po hetohen për veprën penale të vetëgjyqësisë. Nga ana tjetër, është ushtruar kontroll në makinën e deputetit, ku është gjetur edhe pistoleta. Por në mbrëmje, kur policia ka dashur të kontaktojë me të, për të sqaruar rrethanat, ai kishte fikur telefonin. Policia tha se po kryen gjithë veprimet procedurale në lidhje me këtë ngjarje, e cila tashmë është dokumentuar. Kohë më parë prokuroria hapi një dosje ndaj deputetit për rrahjen e një gjyqtari në një ndeshje futbolli. Deputeti Paturri, pas ndeshjes Iliria-Albpetrol, rrahu arbitrin lushnjar, Shkëlqim Guçe, dhe më pas u shpreh krenar për këtë akt para mediave, duke pranuar rrahjen e tij. "E rraha unë arbitrin, por ai e meritoi me atë gjykim që bëri", tha Paturri në atë kohë, duke i habitur të gjithë, pasi njeriu i zgjedhur nga populli për ta përfaqësuar në Parlament, pranoi me krenari se kishte rrahur një arbitër, duke krijuar një precedent të rrallë në botën e futbollit shqiptar. Paturri është zgjedhur deputet në Krujë më 3 korrik të vitit 2005.