E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dyfishohet numri i tumoreve te gratë, 400 raste të reja në vit



Emanuela Sako

Dyfishohen shifrat e grave të prekura me kancerin e gjirit. Specialistët e Onkologjisë, bëjnë të ditur se rreth 400 gra preken çdo vit nga kanceri i gjirit. E përkthyer ndryshe, sipas rasteve të konfirmuara, 1 në 8 gra mbi 40 vjeç preket çdo vit nga kjo sëmundje. Onkologia Teuta Buxheli, shprehet se numri i grave të prekura është dyfishuar nga viti i kaluar dhe sëmundja po përparon me hapa galopantë. Mjekja sqaron se problemi shkon edhe më tej deri në mentalitetin tonë, pasi gratë nuk tregohen të kujdesshme ndaj vizitave që duhet të kryejnë. Nëse ndiqen këshillat e mjekëve dhe gratë mbajnë gjendjen e tyre shëndetësore nën kontroll, atëherë numri i rasteve që shfaqen çdo vit e më shumë do të shënonte ulje. Kjo do të ndodhte, pasi nëse sëmundja kapet në fazat e para është më e lehtë për t’u luftuar.
Rastet
Nga të dhënat e OBSH-së bëhet e ditur se çdo vit, rreth 185.000 gra në Evropë preken nga kanceri i gjirit dhe rreth 44.000 vdesin për shkak të kësaj sëmundjeje. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në çdo 9 gra, njëra do të sëmuret prej kancerit të gjirit. Kanceri i gjirit është një nga llojet më të shpeshta të kancereve tek gratë, sidomos tek ato mbi 35 vjeç. Ndërsa në vendin tonë kanceri i gjirit është kanceri që haset më shpesh tek femrat. Ai përbën 25.6% të tumoreve malinje që prekin femrat sot dhe zë vendin e parë në shkaqet e vdekjeve të femrave. Prej kancerit të gjirit preken çdo vit rreth 400 gra.
Specialistët sqarojnë se kanceri i gjirit mund të kurohet në pjesën më të madhe të rasteve, mjafton të diagnostikohet në kohë. Kanceri i gjirit mund të mjekohet me sukses nëse pacientet e zbulojnë në kohë atë. Por, të gjitha gratë mund ta dallojnë vetë atë, duke parë ndryshimin e gjirit, nëpërmjet prekjes, apo nga dhimbja që mund të ndjejnë.
Parandalimi
Të gjitha femrat mund të dallojnë sëmundjen nëpërmjet prekjes së herëpashershme të gjinjve duke vënë re dallimet që mund të pësojnë. Vetëkontrolli i gjirit duhet të bëhet duke filluar nga mosha 20 vjeç pavarësisht se gjinjtë mund të jenë normal. Kontrolli i gjirit rekomandohet të bëhet çdo muaj, 7 deri në 10 ditë pas kalimit të periodave, mbasi gjatë periodave gjinjtë janë të dhimbshëm, të tendosur, dhe mund të të ngatërrojnë. Në periudhën e menopauzës (mbarimit të periodave), vetëkontrolli
i gjirit bëhet ditën e parë të çdo muaji, me qëllim që të jetë më të lehtë për tu kujtuar.

Box
Disa mënyra për të zbuluar kancerin e gjirit:

Vetëkontrolli mujor i gjirit
Kontrolli i gjirit tek mjeku
Mamografia
Ekografia e gjirit

Si bëhet vetë-kontrolli i gjirit

Qëndroni përpara pasqyrës. Vendosini duart në ije. Vini re: Mos ka ndonjë ndryshim të pazakonshëm në ngjyrën,formën apo madhësinë e gjinjve?

Qëndroni përpara pasqyrës. Vendosini duart pas kokës. Vini re: Mos ka ndonjë ndryshim të pazakonshëm në ngjyrën, formën apo madhësinë e gjinjve?

Qëndroni përpara pasqyrës. Vendosini duart pas kokës. Kthejeni trupin majtas. Kthejeni trupin djathtas. Vini re: Mos ka ndonjë ndryshim të pazakonshëm në ngjyrën, formën ose në madhësinë e gjinjve?

Kontrolloni me majat e gishtërinjve të dorës së djathtë gjirin e majtë dhe me majat e gishtërinjve gishtat e dorës së majtë gjirin e djathtë, duke shkuar deri tek sqetullat. Vini re: Mos ka ndonjë kokërr tek gjinjtë?

Kontrolloni me të prekur sqetullën e djathtë, pastaj dhe sqetullën e majtë. Vini re: Mos ka ndonjë kokërr tek gjinjtë?

Vetë kontrollin e gjinjve mund ta bëni edhe kur jeni duke bërë dush apo kur jeni duke ndenjur shtrirë.

Përpiquni ta bëni zakon bërjen e vetë ekzaminimit të gjirit 1 herë në muaj!

Nis vaksinimi kundër virusit AH1N1
Britania e Madhe do të fillojë javën e ardhshme një program vaksinimi kundër gripit të derrave AH1N1. Një total prej 415 mijë doza vaksinash nga kompania farmaceutike “GlaxoSmithKline” do të dërgohen duke nisur nga 21 tetori për të vaksinuar pacientët me shëndet të rënduar dhe punonjësit e shëndetësisë. Në datë 26 do të nisë dërgimi i 4.4 milionë dozave të tjera që do të përdoren për grupet e pacientëve me prioritet. Më parë qeveria kishte njoftuar se të parët që do të vaksinoheshin do të ishin rreth 5 milionë persona mbi moshën gjashtëmujore që bëjnë pjesë në grupet e rrezikuara nga gripi sezonal, të gjitha gratë shtatzëna, personat me sistem të dobët imunitar dhe rreth 2 milionë punonjës të shëndetësisë dhe shërbimit social. Britania e Madhe ka kontraktuar për blerjen e vaksinës kundër H1N1 me kompanitë “Glaxo” dhe “Baxter”.

Ministria e Shëndetësisë: Arritje legjislacioni për shëndetësinë

Ministria e Shëndetësisë përshëndeti Progres-raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë. Sipas, kësaj deklarate vendi ynë ka disa arritje në legjislacion, të cilat i janë përafruar atyre të BE-së, por specialistët kanë pasur dhe konstatime në ligje të veçanta. “Progres-raporti evidenton qartë arritjeve në legjislacionin shqiptar me miratimin e ligjit të shëndetit publik, por në mënyrë të veçantë ligjin për transfuzionin e gjakut dhe standardeve të sigurisë së tij, të ngjashme me ato të Bashkimit Europian. Janë për t’u shënuar vlerësimet e bëra në progres-raport për masat e marra lidhur me kontrollin e pandemisë së gripit. Progres-raporti me të drejtë vë në dukje nevojën për intensifikimin e luftës kundër duhanit dhe zbatimin e legjislacionit përkatës,- u shpreh zëdhënësja e MSH-së, Alisa Demollari. MSH-ja është e angazhuar në luftën kundër pirjes së duhanit, ku ai ndalohet me ligj dhe për këtë qëllim me qindra inspektorë do të ushtrojnë kontrolle intensive. si dhe duke marrë çdo masë administrative për çdo shkelës ligji pa dallim. MSH-ja do të rishikojë ato pjesë strategjisë së saj që kanë nevojë për përmirësime të mëtejshme. Njëkohësisht, konstatime pati dhe në lidhje me ligjin për shëndetin mendor.

16 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›