E Diel, 1 Nëntor 2026

Qytetarët pyesin, specialisti përgjigjet



Shembulli
Pyetja
Kam qenë i punësuar deri në vitin 2002. Kam paguar rregullisht kontributet e sigurimeve shoqërore. Në korrik të viti 2003 jam sëmurur. Përgatita dokumentacionin për t'u paraqitur në Komisionin Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë, i cili për nga gjendja shëndetësore më vlerësoi invalid të plotë, por meqenëse isha bërë i paaftë gjatë kohës që isha i pasiguruar nuk më lindi e drejta për pension invaliditeti. Nga informacioni që kam marrë, mësoj që me ndryshimet në ligj mund të fitoj pension invaliditeti. Kam bërë përsëri dokumentacionin për t'u paraqitur në KMCAP. Ju lutem më sqaroni nëse do të përfitoj pension invaliditeti dhe kur do të më fillojë pagesa e pensionit.
Përgjigja
Ligji nr. 9377, datë 21.4.2005 “Për disa ndryshime e shtesa në ligjin nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë” (i ndryshuar), përveç të tjerave bëri ndryshime edhe në nenin 35 të ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993. Me ndryshimet që pësoi kjo dispozitë, u hoq kushti i të qenit i siguruar në kohën që personat bëhen të paaftë, për të përfituar pension invaliditeti. Për të përfituar pension invaliditeti, sipas nenit 35, të ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 “për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, duhet të keni plotësuar periudhën minimale të sigurimit, e cila është sa gjysma e diferencës së moshës suaj në kohën kur jeni bërë i paaftë dhe moshës 20 vjeç. Meqenëse keni një periudhë sigurimi, dhe jeni i bërë i paaftë gjatë kohës kur nuk keni qenë i siguruar, kusht që tashmë nuk përbën pengesë për përfitimin e pensionit të invaliditetit, sipas përcaktimit që do të bëjë KMCAP – i lidhur me aftësinë për punë dhe datën e fillimit të invaliditetit (DFI), do t’ju lindë e drejta e përfitimit të pensionit të invaliditetit. Në përcaktimin e datës së fillimit të pagesës së pensionit të invaliditetit ndikojnë disa momente: Së pari: Në qoftë se kërkesa për pension invaliditeti e shoqëruar me fletën e drejtimit për në KMCAP është paraqitur pranë agjencisë së sigurimeve shoqërore para datës 15.6.2006 (është brenda periudhës 1-vjeçare nga hyrja në fuqi e ligjit që solli ndryshimet) dhe në Vendimin e KMCAP – it përcaktohet që data e fillimit të invaliditetit është në kohën kur jeni sëmurur, pra korrik 2003, atëherë pagesa e pensionit të invaliditetit do të fillojë nga data 15.6.2005. Së dyti: Në qoftë se kërkesa për pension invaliditeti e shoqëruar me fletën e drejtimit për në KMCAP është paraqitur pranë agjencisë së sigurimeve shoqërore pas datës 15.6.2006 dhe në Vendimin e KMCAP - it përcaktohet që data e fillimit të invaliditetit është në kohën kur jeni sëmurur, korrik 2003, atëherë pagesa e pensionit të invaliditetit do të fillojë nga data e paraqitjes së kërkesës për pension invaliditeti.

Shembulli 2
Quhem N. Gjyla dhe jam banor në Bathore të Tiranës që nga data 1.3.2000 i ardhur nga komuna Shtiqen e Kukësit. Datëlindja ime është 16.1.1947. Kam blerë një tokë në komunën e Niklës dhe kam aktivitet bujqësor. Tokën e kam regjistruar në Hipotekë që nga viti 2007. Në kooperativë bujqësore kam një vjetërsi prej 32 vite pune. A mund të sigurohem si bujk? Kur e plotësoj moshën për të dalë në pension dhe sa do të më dalë pensioni?

Përgjigje

Bazuar në Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr.114 datë 30.07.2008, mbas kësaj date ju mund të siguroheni si i vetëpunësuar në bujqësi, e deri në plotësimin e moshës për pension. Aktualisht masa e kontributit vjetor për të vetëpunësuarit në bujqësi është 12 000 lekë. Ju duhet të paguani nga 1.8.2008 e deri më 31.12.2008 gjithsej 5000 lekë për këtë periudhë. Po kështu, duke paguar për vitet 2009, 2010 dhe 7 muaj në vitin 2011, do të plotësoni vjetërsinë e nevojshme për të përfituar pension të plotë. Për vitet që keni paguar si i vetëpunësuar në bujqësi, do të keni një shtesë prej 1 për qind për çdo vit sigurimi në këtë skemë. Ju do të plotësoni kushtet për pension në moshën 65 vjeç, pra 30.07.2012.

Shembulli
Letër, Z. J.Qenani banor i komunës Livadhja të Sarandës dhe jam 45 vjeç. Kam tokë në pronësi dhe kam aktivitet bujqësor në fshat. Kam punuar në kooperativë bujqësore nga viti 1979 e deri në vitin 1991, kur dhe u shpërbë kooperativa. Nga viti 1992 e deri tani kam ekonominë time bujqësore, por nuk kam paguar sigurime shoqërore. Sqarimet që kërkoj janë : Kur e plotësoj moshën për të dalë në pension? Me këtë vjetërsi që kam a përfitoj pension? Si mund të bëj sigurimin shoqëror dhe sa duhet të paguaj?

Përgjigjja
Me këtë vjetërsi në kooperativën bujqësore, ju nuk përfitoni pension. Kushti për të përfituar një pension të pjesshëm, kërkon që të keni një vjetërsi në punë prej jo më pak se 15 vite pune, i cili përfitohet mbasi të plotësohet koha e përcaktuar për pension. Mosha që ju lind e drejta për të përfituar pension është 65 vjeç. Për t’iu përgjigjur pyetjes tuaj të fundit dhe që është më kryesore, ju them se keni mundësinë më të mirë për të kompletuar vjetërsinë në punë, nëpërmjet skemës së të vetëpunësuarve në bujqësi. Është për ju që jeni aktualisht në periudhën kur ka hyrë në veprim Ligji nr.9986 datë 11.09.2008, i cili fal kamatëvonesat për të vetëpunësuarit në bujqësi. Në këto kushte ju mund të paguani kontribute për sigurimet shoqërore që nga periudha 1.10.1993 e deri më 31.12.2008, me ato masa kontributesh që kanë qenë në vitet respektive. Për të paguar periudha për sigurimet shoqërore e shëndetësore për periudhën 1.10.1993 e deri më 31,12.2008, pra për 15 vite e 3 muaj, së bashku me sigurimin shëndetësor, ju duhet të paguani 68 696 lekë sigurim shoqëror dhe 3 360 lekë sigurim shëndetësor. Në rast se ju do të vazhdoni të paguani në këtë skemë derisa të plotësoni një vjetërsi të përgjithshme prej 35 vite (vitet që keni në ish kooperativë plus sigurimin si i vetëpunësuar në bujqësi), atë herë do të përfitoni pension si në qytet. Pra me këtë sigurim ju do përfitoni të njëjtat përfitime që përfiton një i vetëpunësuar në qytet dhe konkretisht; Të gjitha llojet e pensioneve (pension pleqërie, pension invaliditeti, pension familjar), sigurim shëndetësor falas, rimbursim ilaçesh. I nderuar qytetar, përveç përfitimeve të mësipërme që janë jetike, ashtu sikurse mund ta keni konstatuar dhe ju, sigurimi shoqëror po kërkohet në çdo hap, për institucionet shëndetësore, për marrjen e vizave për jashtë vendit, për marrjen e kredive në banka etj. Duke u nisur gjithnjë nga interesi juaj, ju sugjeroj të siguroheni pa humbur kohë, aq më tepër që keni mundësinë për të paguar pa kamatëvonesa.

16 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›