Mungesa e higjienës, 3.5 milionë fëmijë në botë humbasin jetën çdo vit
Emanuela Sako
Rreth 3.5 milion fëmijë në vit humbasin jetën nga mungesa e higjienës, e cila kthehet në faktor të rrezikshëm dhe infektiv tek të vegjlit. Në ditën Botërore të Larjes së Duarve, specialistët kanë përcaktuar shkaqet e sëmundjeve dhe si mund të shmangen sëmundjet vdekjeprurëse. Është viti i dytë që Kombet e Bashkuara e kanë vendosur 15 Tetorin si ditë botërore të larjes të duarve, e cila bëhet për reduktimin e sëmundjeve infektive, diarreike. Specialistët kërkojnë që të merren masat për parandalimin e sëmundjeve diarreike dhe infeksioneve akute të frymëmarrjes.
Fakte
Sipas një raporti të publikuar nga MSH-ja, duke iu referuar të dhënave të specialistëve të OBSH-së, më shumë se 5.000 fëmijë vdesin në ditë ose 1.7 milion fëmijë vdesin çdo vit nga çrregullimet diarreike te fëmijët nën moshën 5 vjeç. Diarreja është shkaku i dytë i vdekjes së fëmijëve nën 1 vjeç. Nga diarreja dhe pneumonia çdo vit vdesin të paktën 3.5 milion fëmijë. Specialistët rendisin si shkaktar kryesor mungesën e higjienës, siç është dhe larja e duarve, të cilat mbajnë ndotje të ndryshme dhe fëmijët nuk janë në gjendje t’i parandalojnë vetë ato. Larja e duarve, sidomos në momente kritike si, përpara ngrënies apo përgatitjes së ushqimit dhe mbas përdorimit të banjës mund të reduktojë deri në 50% diarrenë tek fëmijët nën 5 vjeç.
Larja
Larja e duarve me sapun mund të reduktojë incidencën apo rastet e reja me infeksione akute respiratore në masën rreth 23 %. Sëmundjet më të shpeshta dhe të rrezikshme që shfaqen nga mungesa e higjienës është Pneumonia, si pjesë e infeksioneve akute respiratore dhe është shkaku 1.8 milion vdekjeve tek fëmijët. Nga vëzhgimet që janë bërë në mbarë botën larja e duarve është në shifra të ulëta, në masën 34. Specialistët e konsiderojnë larjen e duarve si mënyrën e vetme dhe më të thjeshtë për të shmangur mjaft infeksione që shfaqen tek fëmijët. Specialistët theksojnë se gjatë gjithë kohës duart tona janë në kontakte me objekte nga më të ndryshmet, të cilat janë bartëse të shumë baktereve dhe mikrobeve. Gjatë prekjes këto baktere kalojnë në duart tona dhe mund te barten shumë lehtë nga një person tek tjetri, duke shkaktuar mjaft sëmundje ngjitëse si gripi, verdhëza etj.
Shumë shpërthime epidemike apo sëmundje me origjinë nga ushqimet shkaktohen nga duart e palara. Nga bakteret dhe viruset që ndodhen në duart tona shkaktohen gripi, sëmundje pulmonare, hepatiti i formës A dhe shumë forma të diarreve. Specialistët bëjnë apel që komuniteti të ndërgjegjësohet me një kulturë të tillë të pastërtisë, atëherë pakësohen risqet, jo vetëm të diarresë, por edhe të sëmundjeve të rrezikshme, si kolera dhe dizenteria. Këto sëmundje do të reduktoheshin në masën 48-59%. Fëmijët janë më të prirur për t’u prekur nga çfarëdolloj sëmundjeje për shkak të imunitetit të dobët që kanë. Prandaj shpeshherë specialistët japin këshilla për kujdesin nga higjiena, të ftohtët, të nxehtët, për mbajtjen nën kontroll të të gjitha simptomave që shfaqen te të vegjlit. Përveç kujdesit vetjak që duhet të kenë ndaj të vegjëlve. Mjekët këshillojnë ndjekjen e një axhendë mujore për kryerjen e vizitave dhe vaksinimit për fëmijët. Vaksinimi dhe kapja në kohë e sëmundjeve apo infeksioneve të ndryshme mund të parandalojë humbjen e jetës tek fëmijët. Në një pjesë të rasteve, infeksionet janë të vështira për t’u përcaktuar, prandaj dhe një pjesë e tyre humbasin jetën.
Ndërtesa te Ekonomiku, Kule: “Rama të anulojë lejen e ndërtimit”
Ndërtesa e ngritur pranë Fakultetit Ekonomik në kryeqytet duket se do të kthehet në një “mollë sherri” midis Universitetit dhe Bashkisë së Tiranës. Ditën e djeshme, rektori i Universitetit të Tiranës i ka kërkuar publikisht kryetarit të bashkisë, Edi Rama, të anulojë lejen e ndërtimit për godinën që po ndërtohet në oborrin e Ekonomikut. Sipas Kules, kjo leje bie në kundërshtim me një nga vendimet e vetë kryebashkiakut Rama, i cili ka dhënë urdhër për prishjen e objekteve, në oborrin e Fakultetit Ekonomik. Në deklaratën e tij për këtë çështje, Kule shpjegon se si janë zhvilluar ngjarjet, ku leja e parë për këtë objekt është dhënë që në vitin 2003 dhe është anuluar nga ish-kryetari i KRRTRSH-së në atë kohë, Fatos Nano. “Aty është dhënë një leje nga Bashkia e Tiranës, e cila në vitin 2003 nga KRRTRSH e Republikës, ish-kryeministri Nano, është anuluar. Bashkia e Tiranës ridha leje në vitin 2005, po përsëri ka një vendim të KRRTRSH-së së Republikës që e ka shfuqizuar vendimin e KRRTRSH-së së Bashkisë Tiranë dhe ka urdhëruar fillimin e procedurave për shpronësimin për interes publik”,- sqaron Kule. Më tej, rektori i UT-së deklaron se nëse nuk do të ketë një reagim nga ana e Ramës, kjo çështje nuk do të lihet me kaq, pasi ajo do të ndiqet edhe me procese gjyqësore. “Bashkia e Tiranës ta anulojë atë leje dhe të gjendet kudo në destinacionin përkatës që ata që duan të kryejnë këtë lloj veprimtarie ta kryejnë në ambiente që ka kompetencë Bashkia e Tiranës. Qyteti Studenti dhe zonat universitare sipas Ligjit të Urbanistikës administrohet, komandohet dhe jepet leje nga KRRTRSH-ja e Republikës”,- pohon Kule. Qëndrimin kundër ndërtimit të godinës pranë Ekonomikut e kanë shprehur hapur edhe studentët e këtij fakulteti, të cilët dy ditë më parë bojkotuan mësimin. Kule nuk ka nguruar ta komentojë edhe këtë qëndrim, sipas të cilit, protesta është një e drejtë studentëve, por tashmë çështja do të kalohet dhe në instancat më larta, dhe ata duhet t’i kthehen mësimit. J.Tashi
Dje, Dita e Shkopit të Bardhë, të verbrit kërkojnë standarde
Në Ditën Ndërkombëtare të Shkopit të Bardhë, mijëra të verbër në vendin tonë i kanë bërë apel pushtetit vendor të plotësojë kushtet për lëvizjen e tyre në rrugë. Kjo kategori i është drejtuar në veçanti pushtetit vendor, për përmirësimin e sinjalistikës në rrugë apo vendosjen e pajisjeve të posaçme në semaforë, pasi ata shprehen se jeta e tyre është në çdo moment e rrezikuar. “Shkopi i bardhë shërben si një instrument për të orientuar dhe për të lëvizur në mënyrë të pavarur. Në fakt nuk është vetëm shkopi i bardhë ai që të jep këtë mundësi. Ka nevojë që qyteti të përshtatet dhe me sinjalistikën e nevojshme, siç është sinjalistika akustike nëpër semaforë dhe sinjalistika që duhet vendosur nëpër trotuare, kryqëzime, që realizohet nëpërmjet të prekurit”,- shprehet kryetari i Shoqatës së të Verbërve, Sinan Tafaj. 15 tetori, Dita Ndërkombëtare e Shkopit të Bardhë kujtohet në të gjithë botën, si ditë për përmirësimin e standardeve për këtë kategori. Fillesa e saj vjen nga Amerika, kur presidenti Lindon Jonson, në vitin 1964 nënshkroi një deklaratë e cila i konsideron personat me shikim të kufizuar, të denjë për të gëzuar të drejta të barabarta. Aktualisht në vendin tonë numërohen rreth 10 mijë persona të verbër.
16 Tetor 2009